Seminari
Vështrim i Përgjithshëm për Librat Enosi – Fjalët e Mormonit


“Vështrim i Përgjithshëm për Librat Enosi – Fjalët e Mormonit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Enosi – Fjalët e Mormonit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

EnosiFjalët e Mormonit

Vështrim i Përgjithshëm

Librat nga Enosi deri te Fjalët e Mormonit mbulojnë qindra vjet dhe na njohin me një larmi profetësh dhe burrash të frymëzuar. Enosi, biri i Jakobit dhe nipi i Lehit, iu lut Perëndisë “në lutje të fuqishme” për mëkatet e tij (Enosi 1:4). Librat e Jaromit dhe Omnit përmbajnë mësime të ndryshme që mund të na e bekojnë jetën. Mormoni mori udhërrëfim nga Shpirti i Zotit që të përfshinte fletët e vogla “për një synim të urtë”, në përputhje me vullnetin e Zotit (shih te Fjalët e Mormonit 1:3–7). Dhe mbreti Beniamin u mësoi bijve të tij rolin e rëndësishëm të shkrimeve të shenjta në besimin e tyre.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Enosi

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë besim te Jezu Krishti dhe të pendohen që të marrin falje.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Enosi 1:1–8 përpara orës mësimore, duke reflektuar për mënyrën se si u ndje Enosi dhe ato që ai mësoi rreth Zotit dhe të qenit i falur për mëkatet e tij. Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të përsiatin se si ata mendojnë se mund t’ia ketë ndryshuar jetën Enosit kjo përvojë.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi t’i ftoni nxënësit të përsiatin fraza domethënëse nga Enosi 1:1–8, merreni parasysh t’i lejoni ata t’i shpërndajnë ato duke përdorur funksionin e tabelës së bardhë. Nxënësit mund të zgjedhin njërën nga këto fraza që dëshirojnë ta kuptojnë më mirë dhe të shtojnë shënime nga studimi i tyre në krah të frazës. Më pas atyre mund t’u kërkohet t’i shpjegojnë shënimet e tyre.

Jaromi – Omni

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit t’i ushtrojnë përcaktimin dhe zbatimin e parimeve nga shkrimet e shenjta që mund ta bekojnë dhe udhërrëfejnë jetën e tyre.

  • Përgatitja e nxënësve: Ndërsa nxënësit bëjnë studimin e tyre të përditshëm të shkrimeve të shenjta, ftojini ata të ushtrojnë përcaktimin e parimeve që mund t’i ndihmojnë në jetën e tyre. Inkurajojini ata të vijnë të përgatitur për të treguar të paktën një parim që gjetën.

  • Figurë: Figura e një anijeje me një timon, ose e paraqitur, ose e vizatuar në tabelë

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta filloni orën mësimore me këtë pyetje: “Imagjinoni sikur udhëtimi juaj përgjatë jetës është si një anije që lundron në oqean. Cilat janë disa gjëra që mund t’i krahasoni me timonin e anijes që e drejton anijen përgjatë udhëtimit?” Ftojini nxënësit t’i përgjigjen pyetjes duke përdorur veçorinë e bashkëbisedimit. Lexojini me zë të lartë disa nga përgjigjet e tyre përpara se të shfaqni thënien nga Plaku Dejvid A. Bednar.

Fjalët e Mormonit

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndihen të sigurt se Zoti i di të gjitha gjërat dhe se puna e Tij do të përmbushet.

  • Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund ta pyesin një prind ose një udhëheqës të Kishës se si është udhërrëfyer ose bekuar nga reagimi ndaj një mbrese ose nxitjeje shpirtërore. 

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Kur nxënësit të lexojnë vargjet te 1 Nefi 9:5–6 dhe Fjalët e Mormonit 1:7–8, merreni parasysh ta ndani klasën në dhoma virtuale të veçanta për të diskutuar pyetjet dhe për të përcaktuar parimet që gjejnë. Në varësi të numrit të personave në çdo grup, një nxënës nga secili grup mund t’i tregojë klasës atë që grupi i vet diskutoi për vargjet te 1 Nefi 9:5–6 dhe më pas një nxënës tjetër nga secili grup mund të tregojë atë që diskutoi grupi i vet për vargjet te Fjalët e Mormonit 1:7–8.

Fjalët e Mormonit 1:12–18; Mosia 1

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta shtojnë dëshirën e tyre për t’i studiuar shkrimet e shenjta.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta dhe të përsiatin se si ndikon ai tek ata, veçanërisht te ndjenjat dhe mirëbesimi i tyre te Jezu Krishti.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Afër fundit të mësimit, kur nxënësit mund të përzgjedhin që të bëjnë disa veprimtari rreth studimit të shkrimeve të shenjta, merreni parasysh ta bëni veprimtarinë me material filmik si klasë. Vëreni të shkarkohet njërin nga materialet filmike dhe ftojini nxënësit ta shikojnë atë duke kërkuar shembuj të mënyrës se si studimi i shkrimeve të shenjta mund ta bekojë jetën tonë dhe ta rritë besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ftojini ata të japin mendimet e tyre përpara se të përzgjedhin dy nga veprimtaritë e mbetura.

Përsëritja 6 e Zotërimit Doktrinor

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre mbi të vërtetat për një ose disa fragmente të zotërimit doktrinor nga Libri i Mormonit dhe t’i shpjegojnë ato.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i rishikojnë fragmentet nga tabela në këtë mësim dhe të përzgjedhin një që do të donin ta kuptonin më mirë. Kërkojuni atyre ta lexojnë fragmentin që përzgjodhën dhe të përpiqen ta kuptojnë atë më mirë. Kjo mund të përfshijë kërkimin për shkrime të tjera mbështetëse, të shkruarit e mendimeve të tyre rreth saj në ditarin e tyre ose të pyeturit e dikujt tjetër se çfarë kupton nga vargu. Ftojini ata të vijnë të përgatitur për të treguar atë që bënë dhe atë që mësuan.

  • Figura: Figura të lojërave ose ngjarjeve të ndryshme sportive

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma virtuale të veçanta dhe ta ftoni çdo grup të punojë së bashku për të krijuar veprimtarinë e vet “Rresht pas Rreshti”. Pas një kohe të mjaftueshme, bëjini ata të bashkohen përsëri për t’ia treguar veprimtaritë e tyre pjesës tjetër të klasës.