Seminari
Mosia 27:24–37: “Lindur nga Perëndia”


“Mosia 27:24–37: ‘Lindur nga Perëndia’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 27:24–37”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 27:24–37

“Lindur nga Perëndia”

Alma i Riu duke u lutur

Pendimi i Alma të Riut dhe bijve të Mosias mund t’i japë shpresë kujtdo që pyet veten a është e mundur të ndryshosh. Shpëtimtari i ndihmoi këta të rinj, të cilët përshkruhen si “mëkatarët më të urryer” (Mosia 28:4), të ndryshonin “në një gjendje drejtësie” (Mosia 27:25). Ky mësim mund të të ndihmojë të pendohesh dhe të tregosh besim se Shpëtimtari mund të ta ndryshojë zemrën.

Ndihma ndaj nxënësve që të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin. Ndërsa nxënësit arrijnë ta njohin vetë Shpëtimtarin, ata mund të mësojnë nga Ai dhe të përpiqen fort qëllimisht që të bëhen si Ai. Ata mund të mësojnë ta marrin ndihmën, shpresën dhe shërimin e Tij gjatë gjithë jetës së tyre. Ata do të jenë në gjendje ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për gjëra në natyrë që ndryshojnë rrënjësisht (p.sh. një larvë shndërrohet në një flutur). Ata mund të fotografojnë diçka për t’ia treguar klasës.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ndrysho

Ftojini nxënësit të tregojnë gjëra në natyrë që ndryshojnë rrënjësisht, si p.sh. një lule që bëhet fryt ose një farë që bëhet pemë. Më pas paraqiteni këtë fotografi teksa bëni pyetjet vijuese.

një larvë dhe një flutur
  • Si mund të krahasohet përparimi ynë shpirtëror me një larvë që bëhet flutur?

  • Si na e ka bërë Perëndia të mundur të ndryshojmë dhe të bëhemi si Ai?

Mendo për një çast rreth përparimit tënd për t’u bërë më shumë si Perëndia. A ka diçka te vetja jote që do të doje ta ndryshoje ose ta përmirësoje? Me çfarë pengesash mund të përballesh gjatë bërjes së këtyre ndryshimeve të dëshiruara?

Sot do të studiosh një ndryshim të mrekullueshëm që bëri Shpëtimtari në jetën e disa të rinjve. Teksa studion, dëgjoji nxitjet e Shpirtit rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund të të ndihmojë edhe ty të ndryshosh.

Alma i Riu dhe bijtë e Mosias

Merreni parasysh ta paraqitni figurën vijuese dhe t’i kërkoni një nxënësi t’i kujtojë klasës tregimin që ajo portretizon. Përdoreni informacionin në paragrafin vijues vetëm nëse nevojitet.

një engjëll duke iu shfaqur Alma të Riut dhe bijve të Mosias

Kujtohu që pjesa e parë e kapitullit te Mosia 27 përmban një tregim rreth Perëndisë që u përgjigjet lutjeve të Almës. Perëndia dërgoi një engjëll për të bindur Alma të Riun dhe bijtë e mbretit Mosia për gabimin e udhëve të tyre. Alma i Riu nuk mundi të fliste ose lëvizte për disa ditë pas kësaj ngjarjeje (shih te Mosia 27:19, 23). Gjatë asaj kohe, ai përjetoi lëngim të papërshkrueshëm për mëkatet e tij. Kur më së fundi mundi të fliste sërish, ai përshkroi atë që Perëndia kishte bërë për të.

Merreni parasysh ta ftoni një nxënës të krijojë sa vijon në tabelë që klasa ta përdorë gjatë gjithë mësimit.

Shkruaj “Ndryshimi është i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit” në krye të një cope letre. Më pas, vizato dy vija vertikale për ta ndarë letrën në tri kolona të barabarta. Emërtoje kolonën e majtë “përpara”, kolonën e mesit “roli i Jezu Krishtit” dhe kolonën e djathtë “pas”.

Për studimin vijues të shkrimeve të shenjta, ftojeni gjysmën e klasës të lexojë vargjet 8–10 dhe gjysmën tjetër të lexojë vargjet 32–37. Më pas, ftojini nxënësit që ta shkruajnë në tabelë atë që gjetën.

Lexo te Mosia 27:8–10; 28:4 për të shqyrtuar se si Alma i Riu dhe bijtë e Mosias ishin më parë në jetën e tyre. Shkruaji përshkrimet për ta në kolonën “përpara” në letrën tënde.

Tani lexo te Mosia 27:32–37 dhe shkruaj përshkrime se si u bënë në kolonën “pas”.

Ndalo për një minutë për të reflektuar për ndryshimin që ke parë te dikush që është penduar me besim te Shpëtimtari. (Mund të mendosh edhe për veten tënde.) Shto në kolonat e tua përshkrime se si ata (ose ti) ishin përpara dhe pas këtij ndryshimi.

Ftojini nxënësit të vijnë tek tabela dhe të shkruajnë një gjë nën secilën kolonë për të treguar ndryshimin që kanë parë te personi që u erdhi në mendje.

Lexo te Mosia 27:23–26, duke kërkuar frazat që përshkruajnë ndryshimin e nevojshëm që ne të bëhemi si Shpëtimtari. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala e mishit (vargu 25) mund të ketë kuptimin i botës ose epshor, dhe fraza “duke u bërë bijtë dhe bijat e [Perëndisë]” (vargu 25) mund t’u referohet atyre që “trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (vargu 26).

Në kolonën “roli i Jezu Krishtit” në letrën tënde, shkruaji frazat që të bënë më shumë përshtypje. Gjej një çast për të përsiatur për kuptimin e tyre. Nëse është e nevojshme, kërko çdo fjalë që do të doje ta kuptoje më mirë tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të tregojnë se cilat fraza shkruan dhe çfarë kuptimi kanë ato. Ju mund t’i pyetni gjithashtu se si ato janë përshkrime të mira të ndryshimeve që kanë parë tek ata që vijnë te Shpëtimtari. Disa fraza që nxënësit mund t’i gjejnë përfshijnë sa vijon:

  • Të shëlbuar nga Zoti

  • I lindur përsëri

  • I lindur nga Perëndia

  • Të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit

  • Duke u bërë bijtë dhe bijat e tij

  • Bëhen krijesa të reja

Një e vërtetë që jepet mësim te këto vargje është se i gjithë njerëzimi ka nevojë të ndryshohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Merreni parasysh të vendosni një figurë të Jezu Krishtit në qendër të tabelës dhe të bëni pyetjet vijuese:

  • Cilat fraza që përshkruajnë ndryshimet e mundësuara nëpërmjet Jezu Krishtit, kanë më shumë domethënie për ty? Përse?

  • Si na ndryshon marrja e faljes prej Shpëtimtarit?

  • Sipas vargut 24, çfarë na kërkohet për ta ftuar Shpëtimtarin të na ndryshojë?

Ndryshimi është një proces, jo një ngjarje

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ndërkohë që për disa procesi i pendimit mund të ndodhë në mënyrë dramatike, ashtu siç i ndodhi Almës, ky është përjashtimi më tepër sesa rregulli. Shumica prej nesh lëviz hap pas hapi, me ngadalë drejt një mirësie më të madhe, përpikërie më të madhe në besëlidhjet tona, shërbimi dhe zotimi më të madh.” (Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness [2019], f. 11)

  • Përse është e rëndësishme të mbahet mend thënia e Plakut Andersen?

Gjej pak kohë për të renditur disa veprime që mund t’i ndërmarrim për t’u penduar dhe ndryshuar gradualisht me anë të Zotit. (Për ide, rilexoje thënien e Plakut Andersen më lart dhe merre parasysh të lexosh disa nga vargjet vijuese: Mosia 26:29; 27:35; Alma 36:18; 3 Nefi 9:22; Doktrina e Besëlidhje 6:9; 58:42–43.)

  • Çfarë mund të bëjmë për t’u kthyer te Zoti dhe për t’u penduar?

  • Si mendon se mund të na ndihmojnë këto përpjekje që të ndryshojmë gradualisht nëpërmjet Shpëtimtarit?

Shikoje materialin filmik “Shpresa për Dritën e Perëndisë” (06:46), duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e ndihmoi dikë të ndryshonte “hap pas hapi, me ngadalë drejt një mirësie më të madhe”.

6:46

Dëshmoni se tregimi te Mosia 27 tregon fuqinë dhe dëshirën e Shpëtimtarit për ta ndryshuar këdo që pendohet me besim tek Ai.

Më pas, ftojini nxënësit të plotësojnë sa vijon në ditarin e tyre të studimit.

Gjej një çast për të përsiatur se si ky mësim gjen zbatim për ty. Mbaji shënim mendimet e tua rreth pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  1. Cilat janë ndryshimet graduale që Shpëtimtari të ka ndihmuar tashmë t’i bësh? Si ndihesh për përpjekjet e tua dhe ndihmën e Zotit?

  2. Cili është hapi i radhës që ti e ndien se Zoti dëshiron që ta hedhësh për t’u penduar dhe për të vazhduar të ndryshosh nëpërmjet Tij?

  3. Cilat janë pengesat me të cilat mund të përballesh në këtë proces dhe si mund të kthehesh te Zoti që të të ndihmojë t’i mposhtësh ato?