Seminari
Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt te Mosia 25–28


“Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt te Mosia 25–28”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 25–28”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 25–28

Vështrim i Përgjithshëm

Si kryeprift në Kishën e Shpëtimtarit, Alma mori udhëzime nga Zoti për t’i ndihmuar ata që kishin kryer mëkate të rënda. Ai dhe mbreti Mosia e njihnin pikëllimin që vjen nga të parit të pjesëtarëve të familjes që rebelohen kundër Shpëtimtarit. Nëpërmjet mëshirës së Krishtit, ata u bekuan në fund që të ndienin gëzimin e të parit të këtyre njerëzve të dashur të pendoheshin. Shpëtimtari e ndihmoi Alma të Riun dhe bijtë e Mosias, të cilët përshkruhen si “mëkatarët më të urryer” (Mosia 28:4), të ndryshonin “në një gjendje drejtësie” (Mosia 27:25). Pas kthimit të tyre në besim, bijtë e Mosias shkuan t’ua predikonin ungjillin lamanitëve.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u siguron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Mosia 26

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë natyrën e dashur dhe falëse të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe arsyen përse duhet të pendohemi për mëkatet tona.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për pyetjet që kanë rreth pendimit. Nxitini ata të lexojnë te Mosia 26, duke kërkuar përgjigjet për këto pyetje.

  • Fletushkë: “Shqetësimet rreth Pendimit

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’ua dërgoni me postë elektronike ose me mesazh në celular fletushkën nxënësve tuaj përpara orës mësimore. Nëse po përzgjidhni një shqetësim që ta studiojë e gjithë klasa, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë në veçorinë e bashkëbisedimit shkronjën për shqetësimin që dëshirojnë të studiojnë. Kjo do t’ju ndihmojë të dini se çfarë dëshiron të mësojë shumica e nxënësve. Nëse nxënësit po përzgjedhin individualisht një shqetësim për ta studiuar, lejojini ata ta përfundojnë studimin e tyre dhe më pas merreni parasysh t’i ftoni të shkruajnë në veçorinë e bashkëbisedimit shkronjën për shqetësimin që studiuan. Në varësi të nevojave të klasës, ju mund t’u kërkoni nxënësve që studiuan të njëjtin shqetësim që ta diskutojnë me njëri-tjetrin atë që mësuan. Ose, për larmi, ju mund të përzgjidhni nxënës që studiuan shqetësime të ndryshme ta diskutojnë me njëri-tjetrin atë që mësuan.

Mosia 27:1–24

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të zbulojnë mënyra për t’i ndihmuar ata që i refuzojnë mësimet e Jezu Krishtit të kthehen tek Ai.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përgatiten për të treguar histori nga shkrimet e shenjta në të cilat Zoti e ndihmoi dikë të humbur ose rebel që të ndryshonte.

  • Materiali filmik: “Alma i Riu Kthehet në Besim te Zoti” (11:32; shiko nga kodi kohor 03:06 deri në 6:59)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nga fundi i mësimit, për t’i ndihmuar nxënësit të studiojnë ose agjërimin, ose dhënien e dëshmisë, merreni parasysh t’i gruponi në dhoma virtuale të veçanta. Sigurohuni t’i paraqitni udhëzimet për studimin e secilës temë, të caktoni një kufi kohor (për shembull, gjashtë minuta) dhe t’i informoni nxënësit se ata do ta tregojnë atë që mësuan kur të bashkohen sërish si klasë.

Mosia 27:24–37

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të pendohen dhe të tregojnë besim se Shpëtimtari mund t’ua ndryshojë zemrën.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për gjëra në natyrë që ndryshojnë rrënjësisht (p.sh. një larvë shndërrohet në një flutur). Ata mund të fotografojnë diçka për t’ia treguar klasës.

  • Figura që duhen paraqitur: Figura e një larve dhe e një fluture; figura e një engjëlli që i shfaqet Alma të Riut; një figurë e Jezu Krishtit

  • Materiali filmik: “Shpresa për Dritën e Perëndisë” (06:46)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të ftoni në Kishë një të rritur të kthyer në besim që të marrë pjesë në orën mësimore ose të regjistrojë një material filmik në të cilin tregon mënyrën se si Shpëtimtari e ka ndihmuar të ndryshojë. Sigurohuni të merrni miratim nga bashkërenduesi dhe udhëheqësi vendor i priftërisë përpara se ta ftoni personin të vijë.

Mosia 28

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që t’u shtohet dëshira për ta shpërndarë ungjillin.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të flasin me një individ që besojnë se është kthyer thellësisht në besim në ungjillin e Jezu Krishtit. Çfarë e ndihmoi atë individ në shtegun e tij ose të saj të kthimit në besim? Ju mund të merrni parasysh gjithashtu që t’i ftoni nxënësit të vlerësojnë dëshirën e tyre për ta shpërndarë ungjillin.

  • Send: Diçka (ose figura e një gjëje) që të pëlqen aq shumë, saqë ke qejf ta ndash me të tjerët ose t’ua tregosh atyre

  • Materiali filmik: “Good Things to Share” [“Gjëra të Mira për të Ndarë”] (02:21)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për të filluar mësimin, merreni parasysh të sillni ose të tregoni figurën e një gjëje që ju pëlqen aq shumë, saqë keni qejf ta ndani me të tjerët ose t’ua tregoni atyre. Tregojuani nxënësve këtë përpara se t’u bëni atyre pyetjen e parë të mësimit.

Përsëritja 9 e Zotërimit Doktrinor

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e zotërimit doktrinor dhe t’ua shpjegojnë atë të tjerëve.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar për një rast kur jeta e tyre u bekua nëpërmjet dikujt që ua shpjegoi shkrimet e shenjta ose kur kanë pasur mundësi të bekojnë jetën e dikujt tjetër duke përdorur ose shpjeguar shkrimet e shenjta.

  • Materiali filmik: “Thellimi i Kthimit Tonë në Besim te Jezu Krishti” (10:05; shiko nga kodi kohor 06:34 deri në 07:31)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Paraqitini tre hapat e të kuptuarit dhe shpjegimit të të vërtetave nga shkrimet e shenjta. Vërini nxënësit të përgatiten për t’ia treguar dikujt tjetër një varg të zotërimit doktrinor duke përdorur këta hapa. Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në dhoma virtuale të veçanta për të interpretuar me role shpjegimin e fragmentit të zotërimit doktrinor që zgjodhën.