Seminari
Mosia 28: Kthimi Vetjak në Besim dhe Shpërndarja e Ungjillit


“Mosia 28: Kthimi Vetjak në Besim dhe Shpërndarja e Ungjillit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 28”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 28

Kthimi Vetjak në Besim dhe Shpërndarja e Ungjillit

Pamja
një e re duke folur rreth ungjillit me të tjerë

Çfarë përvojash ke pasur me shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit? Pas kthimit të tyre në besim, bijtë e Mosias iu drejtuan mbretit për t’i marrë leje për t’ua predikuar ungjillin lamanitëve. Mbreti Mosia pyeti Zotin në fillim, më pas i lejoi bijtë e tij të shkonin në mënyrë që të mund t’ua çonin fjalën e Perëndisë lamanitëve (shih te Mosia 28:1). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë që të të shtohet dëshira për ta shpërndarë ungjillin.

Ndihmojini nxënësit të gjejnë veten tek të të vërtetat e ungjillit. Disa nxënës mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë se si ungjilli lidhet me jetën e tyre të përditshme. Kërkoni me lutje mënyra për t’i ndihmuar ata të ndiejnë se ajo që po mësojnë është kuptimplotë dhe e dobishme për rrethanat, pyetjet dhe nevojat e tyre vetjake.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të flasin me një individ që besojnë se është kthyer thellësisht në besim në ungjillin e Jezu Krishtit. Çfarë e ndihmoi atë individ në shtegun e tij ose të saj të kthimit në besim? Ju mund të merrni parasysh gjithashtu që t’i ftoni nxënësit të vlerësojnë dëshirën e tyre për ta shpërndarë ungjillin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ndarja e diçkaje me të tjerët dhe kthimi në besim

Merreni parasysh të sillni ose të shfaqni një fotografi të një diçkaje që ju pëlqen aq shumë, saqë keni qejf ta ndani me të tjerët ose t’ua tregoni atyre. Tregojuani këtë objekt nxënësve përpara se të bëni pyetjen e radhës.

  • Cilat janë disa gjëra që të pëlqejnë aq shumë saqë dëshiron t’i ndash me të tjerët ose t’ua tregosh atyre?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se nuk është e pazakontë të tregojmë [ose të ndajmë me të tjerët] gjëra që janë domethënëse për ne. Shikoje materialin filmik “Good Things to Share” [“Gjëra të Mira për të Ndarë”] (02:21), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, ose lexoje thënien më poshtë.

“Ndarja e gjërave që janë më domethënëset për ne ose që na kanë ndihmuar me të tjerët, nuk është aspak e pazakontë.

Ky model i njëjtë është veçanërisht i dukshëm në çështje të rëndësisë dhe pasojave të mëdha shpirtërore. …

Ftesat që ju drejtojmë për të mësuar rreth mesazhit tonë dhe për ta vënë atë në provë, janë si rrjedhim i ndikimeve pozitive që ungjilli i Jezu Krishtit ka pasur në jetët tona. Nganjëherë mund të jemi të sikletshëm ose të vrazhdë apo këmbëngulës në përpjekjet tona. Dëshira jonë e thjeshtë është të ndajmë me ju të vërtetat që kanë vlerën më të madhe për ne.” (Dejvid A. Bednar, “Ejani dhe Shikoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 109, 110)

Vlerëso se sa të vërteta janë për ty thëniet vijuese në një shkallë nga 1 deri në 5 (ku 1 nuk është e vërtetë për ty dhe 5 është shumë e vërtetë për ty):

Merreni parasysh t’ua paraqitni thëniet vijuese nxënësve teksa ata përsiatin dhe reflektojnë për jetën e tyre.

  • Të vërtetat rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe ungjillit të Tij kanë vlerë të madhe për mua.

  • Unë kam dëshirë t’ua shpërndaj ungjillin e Tij të tjerëve.

Teksa studion jetën dhe shembujt e bijve të Mosias, përsiat për dëshirën tënde për ta shpërndarë ungjillin e Shpëtimtarit. Kërko zbulesë për të ditur se cilët janë hapat e mëtejshëm që Zoti mund të dojë që ti t’i hedhësh në mënyrë që ungjilli të bëhet edhe më kuptimplotë për ty dhe dëshira jote për ta shpërndarë ungjillin të shtohet.

Bijtë e Mosias

Kujtohu që pas kthimit të tyre në besim, bijtë e mbretit Mosia e predikuan ungjillin në tokën e tyre, duke u përpjekur që t’i ndreqnin gabimet e tyre (shih te Mosia 27:32–37).

Lexo te Mosia 28:1–5, duke kërkuar atë që bijtë e Mosias dëshironin dhe përse. (Nëse dëshiron, mund ta shenjosh atë që gjen në shkrimet e tua të shenjta.)

  • Cilat fjalë ose fraza në këto vargje të bëjnë më shumë përshtypje? Çfarë arsyesh patën bijtë e Mosias për t’ua shpërndarë ungjillin lamanitëve?

    Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të tregojnë atë që gjetën.

  • Përse mund të jenë këto arsye shtysëdhënëse për ta shpërndarë ungjillin?

  • Çfarë të vërtetash mësove nga këto vargje?

Nxënësit mund të tregojnë një larmi parimesh të vërteta. Nëse nxënësit nuk e përmendin parimin e theksuar me ngjyrë të zezë më poshtë, merreni parasysh të bëni pyetjet në vijim: Si mund të jetë e lidhur dëshira jonë për ta shpërndarë ungjillin me kthimin tonë vetjak në besim? Përse?

Një e vërtetë që mësojmë nga këto vargje është se ndërsa kthimi ynë në besimin te Zoti thellohet, dëshira jonë për ta shpërndarë ungjillin shtohet.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, e pohoi këtë të vërtetë kur dha mësim sa vijon:

“Thellësia e dëshirës sonë për të shpërndarë ungjillin është tregues i madh i shkallës së kthimit tonë vetjak në besim” (Dallin H. Oaks, “Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 7).

  • Çfarë përvojash patën bijtë e Mosias që i ndihmuan ata të ktheheshin në besim te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij? (Shih te Mosia 27:34–36; 28:4.)

    Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese që nxënësit t’i përsiatin ose t’u përgjigjen në ditarët e tyre të studimit përpara se të japin përgjigje.

  • Cilat përvoja të kanë ndihmuar ty ose ata që ti njeh të kthehesh më shumë në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij?

  • Çfarë të pëlqen më shumë te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij që dëshiron ta ndash me të tjerët? (Për shembull, mund të kesh pasur përvoja kuptimplota me faljen e Shpëtimtarit, dashurinë e Perëndisë, lutjen, etj.)

Edhe kur kthehemi në besim te Zoti, mund të ketë arsye përse shpërndarja e ungjillit është ende e vështirë.

  • Nëse do të ishe njëri nga bijtë e Mosias, çfarë shqetësimesh mund të kishe rreth predikimit të ungjillit lamanitëve?

Si babai i tyre dhe si mbret, Mosia pati shumë arsye për t’u shqetësuar rreth dërgimit të bijve të tij që t’ua predikonin ungjillin lamanitëve. Mbreti Mosia nuk trembej vetëm për sigurinë e bijve të tij, por edhe se, nëse bijtë e tij largoheshin, ai nuk do të kishte një trashëgimtar për ta kurorëzuar si mbretin e ardhshëm të nefitëve.

Lexo te Mosia 28:6–8, duke kërkuar arsyen përse Mosia i lejoi bijtë e tij të shkonin në një mision kaq të rrezikshëm.

  • Çfarë bekimesh i premtoi Zoti Mosias?

Hapat e tu të radhës

Gjej një çast për të renditur shqetësimet që ti ose të tjerët mund të keni rreth shpërndarjes së ungjillit.

Renditini përgjigjet e nxënësve në tabelë. Vendosni a do të ishte më mirë të përzgjidhni një shqetësim ku të përqendrohet e gjithë klasa së bashku ose t’i vini nxënësit të punojnë individualisht apo në grupe të vogla.

Përzgjidhe njërin nga këto shqetësime dhe lutu për udhërrëfim teksa kërkon në shkrimet e shenjta dhe përsiat se si ta kapërcesh këtë shqetësim. Për shembull, po të kishe një nga shqetësimet vijuese, ti mund të përsiatje pyetjet dhe të studioje shkrimet e shenjta që renditen pas thënieve.

Merreni parasysh t’i paraqitni thëniet vijuese ose t’i shkruani ato në tabelë.

Nuk jam i/e sigurt a jam i/e kthyer në besim aq sa për ta shpërndarë ungjillin. Si mund të të ndihmojnë shembujt e bijve të Mosias? (Shih te Mosia 28:1–5.) Teksa i lexon disa nga vargjet vijuese, kërko mënyrat se si mund të kthehesh më shumë në besim: Veprat e Apostujve 3:19; Jakob [Bibël] 5:20; Enosi 1:2–5; Mosia 3:19; 5:2; 27:25; Alma 5:12–14; 22:15–18; 53:10; Helamani 15:7; 3 Nefi 9:20.

Kam frikë se do të më refuzojnë. Shqyrtoji te Mosia 28:2–4 arsyet pse bijtë e Mosias donin ta shpërndanin ungjillin ndonëse shumë njerëz mendonin se nuk kishte të ngjarë që lamanitët ta pranonin atë. Si mund të të ndihmojnë këto arsye? Si mund të të ndihmojë të menduarit rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ty (dhe mund të bëjë për të tjerët) që ta mposhtësh frikën tënde?

Unë nuk kam qenë shembulli më i mirë për të jetuarit e ungjillit. Përpara kthimit të tyre në besim, bijtë e Mosias predikonin kundër ungjillit (shih te Mosia 27:8–10), por pasi u penduan, ata u bënë disa nga misionarët më të suksesshëm në Librin e Mormonit (shih tek Alma 17:4). Çfarë të frymëzon të bësh shembulli i tyre? Çfarë shembujsh të tjerë në shkrimet e shenjta mund të sjellësh ndërmend që mund të të ndihmojnë?

Ftojini disa nxënës të tregojnë atë që gjetën dhe se si ajo mund t’i ndihmojë për shqetësimin.

Merreni parasysh t’i paraqitni fjalitë vijuese për nxënësit teksa ata përsiatin dhe përgjigjen në ditarët e tyre të studimit.

  • “Një nga gjërat më të rëndësishme që mësova nga bijtë e Mosias është …”

  • “Një gjë që e ndiej se Zoti do të donte që unë ta bëja për të ndjekur shembullin e bijve të Mosias është …”

  • “Për të marrë masa të efektshme për këtë, unë mund …”

Ftojini nxënësit të flasin. Mund të jetë e dobishme ta përmbyllni duke treguar dëshminë, ndjenjat dhe mbresat tuaja ose duke ftuar një ose dy nxënës ta bëjnë këtë.

Shtyp në Letër