Seminari
Alma 1:1–18: Ligësitë e Intrigave të Priftërinjve


“Alma 1:1–18: Ligësitë e Intrigave të Priftërinjve”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 1:1–18”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 1:1–18

Ligësitë e Intrigave të Priftërinjve

Nehori duke predikuar

Ne jetojmë në një botë ku njerëzit iu bëjnë reklamë vetes dhe ideve të tyre për lavdi dhe përfitim vetjak. Besimi në këto praktika të rreme bën që shumë njerëz të mëkatojnë dhe ta refuzojnë Shpëtimtarin e tyre, Jezu Krishtin. Kjo ishte e vërtetë edhe për nefitët. Një njeri i quajtur Nehor dha mësim doktrinë të rreme që bëri që njerëz në kohën e tij dhe të tjerë në vitet e ardhshme, ta refuzonin Shpëtimtarin e tyre. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i dallosh dhe refuzosh mësimet e rreme që mund të të largojnë nga Jezu Krishti.

Përqendrohuni te Jezu Krishti. Drejtojini nxënësit te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij dhe mos e tërhiqni vëmendjen tek vetja juaj. Plaku Pol V. Xhonson, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, vërejti: “Nëse mësuesit tanë janë të çliruar nga intrigat e priftërinjve, nxënësit do t’i duan ata, por ata nuk do të jenë të varur prej tyre. Ata do t’ju duan dhe do të jenë mirënjohës për atë që ju u mësoni, por ata do të drejtohen te Zoti” (Paul V. Johnson, “The Dangers of Priestcraft”, Religious Educator 9, nr. 3 [2008]: f. 11).

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të studiojnë përvijimin “Fjala e Perëndisë mund të më ndihmojë ta dalloj dhe refuzoj doktrinën e rreme” në përvijimin “ 3–9 Qershor. Mosia 29 – Alma 4: ‘Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm ’” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2024.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mësimet e rreme

Vërini nxënësit ta plotësojnë veçmas veprimtarinë vijuese të vlerësimit të vetes. Paraqitini pohimet ose lexojini ato me zë të lartë dhe kërkojuni nxënësve të mendojnë për përgjigjet e tyre.

  • Në një shkallë nga 1 deri në 5 (ku 1 është “nuk jam aspak dakord” dhe 5 është “jam shumë dakord”), sa shumë bie dakord ose nuk bie dakord me pohimet vijuese? Përse?

Pjesa më e madhe e informacionit që më paraqitet çdo ditë, është e vërtetë. (Për shembull, në mediat shoqërore, në reklama, nga udhëheqësit dhe personat me ndikim në shoqëri.)

Informacioni që marr, ndikon në besimin tim te Jezu Krishti.

Perëndia më ka siguruar ndihmë që ta dalloj të vërtetën nga e gabuara.

Ne jetojmë në një botë me shumë mesazhe të rreme që mund ta dobësojnë besimin tonë në Jezu Krishtin. Ndërsa studion kapitullin Alma 1, kërko udhërrëfimin e Shpirtit për të të ndihmuar t’i dallosh mësimet e rreme në botën që të rrethon, të cilat mund të të largojnë nga Jezu Krishti.

Përpara vdekjes së tij, mbreti Mosia vendosi një formë të re qeverisjeje. Në vend që të kishte mbretër, populli zgjodhi gjykatës për zbatimin e ligjeve. Alma i Riu u zgjodh si kryegjykatësi ose guvernatori i parë (shih tek Alma 2:16). Ai gjithashtu ishte kryeprifti dhe udhëheqësi i Kishës (shih te Mosia 29). Njerëzit filluan ta matnin kohën që nga koha kur qeveria e tyre ndryshoi.

Në vitin e parë të mbretërimit të gjykatësve, një njeri i lig i quajtur Nehor, filloi të ndikonte te nefitët. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se përse historia e Nehorit është e përfshirë në Librin e Mormonit.

“Libri i Mormonit përmban rrëfim për një njeri të quajtur Nehor. Është e lehtë të kuptohet përse Mormoni, duke përmbledhur një mijë vite të dokumentimeve nefite, e mendoi si të rëndësishme të përfshinte diçka lidhur me këtë njeri dhe ndikimin e zgjatur të doktrinës së tij. Mormoni po kërkonte të na paralajmëronte, duke e ditur që kjo filozofi do të rishfaqej në kohën tonë.” (D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Liahona, nëntor 2011, f. 38)

Lexo tek Alma 1:2–6, duke kërkuar atë që Nehori i dha mësim popullit. Bëj një listë të mësimeve të Nehorit. Emërtoji ato “E vërtetë”, “E rreme”, ose “E përzier”.

Për të ndihmuar në përfshirjen e nxënësve, ju mund t’i vini ata t’i renditin dhe emërtojnë mësimet e Nehorit në tabelë. Ftoni disa nxënës të japin mendimet e tyre.

Mund të kesh vënë re se Nehori i përzjeu mësimet e tij të rreme me pohime të vërteta. Kjo ilustron një taktikë që edhe Satani e përdor. Ndërsa e krahasojmë Nehorin me Satanin, ne mësojmë se Satani përdor gënjeshtra të përziera me të vërtetën për t’i mashtruar njerëzit dhe për t’i larguar ata nga Jezu Krishti.

  • Çfarë provash të kësaj sheh ti sot?

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e ilustroi mënyrën se si idetë e rreme të Nehorit ndikojnë te disa njerëz sot:

15:45

“[Një mësim i rremë që na pengon të pendohemi,] është të mendosh se mëkatet tona nuk kanë rëndësi ngaqë Perëndia na do pavarësisht nga çfarë bëjmë. Është tunduese t’i besosh asaj që i dha mësim Nehori mashtrues popullit të Zarahemlës: ‘I gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet ditën e fundit dhe se ata nuk duhej të kishin frikë, as të dridheshin, … dhe në fund të gjithë njerëzit do të kishin jetë të përjetshme’. [Alma 1:4.] Por kjo ide joshëse është e gënjeshtërt. Perëndia vërtet na do. Sidoqoftë, ajo që bëjmë, ka rëndësi për Të dhe për ne. Ai ka dhënë udhëzime të qarta se si duhet të sillemi. Ne i quajmë urdhërime këto. Miratimi i Tij dhe jeta jonë e përjetshme varen nga sjellja jonë, përfshirë gatishmërinë për të kërkuar me përulësi pendim të vërtetë.” (Dejll G. Renland, “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, Liahona, nëntor 2016, f. 123.)

Dallimi i mësimeve të rreme

Dallimi i mësimeve të rreme, si ato të Nehorit, ndonjëherë mund të jetë i vështirë. Fatmirësisht, ti mund t’i dallosh ato. Mormoni dha mësim se nëse një mesazh ose mësim na bind “të bëj[m]ë keq dhe të mos besoj[m]ë në Krisht, dhe ta mohoj[m]ë atë, dhe të mos i shërbej[m]ë Perëndisë”, ne mund ta dimë se është i rremë dhe vjen nga djalli (Moroni 7:17).

  • Cili nga mësimet e Nehorit mund ta bëjë dikë të ndihet se nuk ka nevojë për Shpëtimtarin?

    Pyetja vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit t’i dallojnë mësimet e rreme. Nxitini nxënësit që t’i japin mendimet e tyre.

  • Cilat janë mësime të tjera të rreme sot që i largojnë njerëzit nga Jezu Krishti?

Pyetjet vijuese janë menduar për vetëreflektim dhe nuk janë për diskutim në orën mësimore.

Mendo për mesazhet që dëgjon ose lexon rregullisht. Si ndikojnë ato tek ti? A po ndikon ndonjë prej tyre negativisht në besimin tënd te Jezu Krishti?

Nëse po konsumon mesazhe të rreme të medias që ndikojnë negativisht në besimin tënd te Jezu Krishti, fike ose largoje burimin e këtyre mesazheve nga jeta jote. Zëvendësoji ato me mesazhe që do ta ndërtojnë besimin tënd në Jezu Krishtin. Për shembull, revistat Për Forcën e Rinisë dhe Liahona, që janë në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, kanë përmbajtje që ndërtojnë besim.

Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se mësimet e Nehorit patën një ndikim të rëndësishëm për keq. Gjatë gjithë Librit të Almës, grupe të ndryshme njerëzish e refuzuan Shpëtimtarin për shkak të mësimeve të Nehorit. Nëse e ndieni se nxënësit mund të përfitojnë nga të mësuarit më shumë rreth kësaj, shihni te “Ndikimi i mësimeve të Nehorit” në pjesën Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit.

Intrigat e priftërinjve

Merreni parasysh ta diskutoni besnikërinë e Gideonit në mbrojtje të Krishtit. Ju mund të theksoni vargun Alma 1:7. Ju mund t’i drejtoni gjithashtu tek Alma 1:8 dhe t’u kujtoni nxënësve veprimet besnike të Gideonit te Mosia 22:3–9.

Një ditë, Nehori u takua me një udhëheqës të moshuar të Kishës, i quajtur Gideon. Kur Nehori u mundua t’i largonte njerëzit nga Kisha, Gideoni “i bëri ballë [Nehorit], duke e qortuar me fjalët e Perëndisë” (Alma 1:7). Nehori u zemërua me Gideonin dhe e vrau atë. Nehorin e çuan përpara Almës dhe e dënuan me vdekje sipas ligjit (shih tek Alma 1:9–15).

Lexo tek Alma 1:12, duke kërkuar se si Alma i përshkroi mësimet e Nehorit.

Mund të doni t’i ndihmoni nxënësit të ushtrojnë përdorimin e poshtëshënimeve. Nxënësit mund të tregojnë një larmi mënyrash për të mësuar se çfarë është intriga e priftërinjve. Nëse askush nuk e përmend, drejtojini nxënësit te poshtëshënimi 12 a.

Lexo tek Alma 1:16 dhe 2 Nefi 26:29, duke kërkuar një përshkrim të intrigës së priftërinjve.

  • Si e sheh predikimin e Nehorit si një shembull të intrigës së priftërinjve?

  • Si mendon, pse disa ide të rreme janë të njohura?

  • Si mendon, pse intrigat e priftërinjve janë kaq të rrezikshme?

Refuzimi i mësimeve të rreme

Si Gideoni, ne mund t’i përdorim fjalët e Perëndisë për të na ndihmuar t’i refuzojmë mësimet e rreme (shih tek Alma 1:7, 9). Përzgjidh një ose më shumë mësime të rreme të Nehorit ose disa që i ke dëgjuar nga koha jonë. Më pas, gjej një shkrim të shenjtë që e ndreq të rremen. Për shembull, ti mund t’u kundërvihesh mësimeve të Nehorit tek Alma 1:3 me mësimin e Shpëtimtarit te Mateu 23:11.

Disa shembuj të shkrimeve të shenjta që nxënësit mund t’i përdorin, përfshijnë vargjet Mateu 7:15–23; 2 Nefi 26:29–31; Mosia 18:24–26; Helamani 12:25–26; dhe Doktrina e Besëlidhje 1:31–32.

  1. Trego mësimin/et e rremë/e që përzgjodhe dhe shkrimin/et e shenjtë/a që ti e ndien se e korrigjon/jnë atë.

  2. Trego se çfarë ke mësuar nga Alma 1 rreth mënyrës se si t’i dallosh dhe refuzosh mësimet e rreme.