Seminari
Alma 1:19–33: Gjetja e Paqes në Krishtin duke Qëndruar Besnik përmes Përndjekjes


“Alma 1:19–33: Gjetja e Paqes në Krishtin duke Qëndruar Besnik përmes Përndjekjes”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 1:19–33”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 1:19–33

Gjetja e Paqes në Krishtin duke Qëndruar Besnik përmes Përndjekjes

misionare të lumtura duke i dhënë mësim një gruaje dhe një fëmije

Ne besojmë se të gjithë njerëzit kanë të drejtën ta adhurojnë Perëndinë sipas ndërgjegjes së tyre (shih Nenet e Besimit 1:11). Por çfarë ndodh nëse të tjerët të përndjekin për bindjet e tua? Si mund të përgjigjesh dhe gjesh paqe nëse të tjerët të kritikojnë për besimin tënd? Në kohën e Almës, populli “filloi të persekutonte ata që bënin pjesë në kishën e Perëndisë” (shih tek Alma 1:19). Ky mësim mund të të ndihmojë të përgjigjesh me besnikëri dhe të ndiesh paqe edhe nëse përballesh me përndjekje ngaqë je një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ndihmojini nxënësit të zhvillojnë aftësitë e studimit të shkrimeve të shenjta. Të kërkuarit për lista në shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë mësuesit dhe nxënësit të dallojnë pikat kyç që thekson autori. Nxënësit mund të bëjnë gjithashtu lista të mendimeve, ideve ose udhëzimeve të lidhura për t’i ndihmuar ata ta kuptojnë atë që po mësojnë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për rastet në jetën e tyre kur bindjet iu janë sfiduar dhe për mënyrën se si ata janë përgjigjur.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të jesh i përndjekur për bindjet e tua

Tregoni sa vijon nga Plaku Xhefri R. Holland, ose merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të interpretojnë me role një skenar ku ata mund të përndiqen për bindjet e tyre.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e këshilloi rininë e Kishës.  ChurchofJesusChrist.org

14:45

“Me admirim dhe inkurajim për çdo njeri që do të duhet të mbetet i palëkundur në këto ditë të mëvonshme, unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.

Për shembull, një motër misionare më shkroi kohët e fundit: ‘Unë dhe shoqja ime pamë një burrë të ulur në një stol në qendër të qytetit duke ngrënë drekën e tij. Teksa i shkuam më afër, ai ngriti sytë dhe pa etiketat tona misionare. Me një shikim të tmerrshëm në sy, ai u ngrit me rrëmbim dhe ngriti dorën që të më qëllonte. Iu shmanga tamam në kohë, vetëm që ai të arrinte ta pështynte ushqimin e tij kudo mbi mua dhe të fillonte të na shante me fjalët më të tmerrshme. U larguam pa thënë asnjë fjalë. U përpoqa ta fshija ushqimin nga fytyra ime, vetëm që të ndieja një masë pureje patatesh që më goditi në kokë nga pas. Nganjëherë është e vështirë të jesh një misionare, sepse pikërisht në atë çast doja të kthehesha, ta mbërtheja atë burracak dhe t’i thoja: “Ç’TË ZURI!” Por nuk e bëra.’” (Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, ose Liahona, maj 2014, f. 6.)

Ndihmojini nxënësit t’i marrin parasysh ndjenjat e tyre vetjake duke bërë disa ose të gjitha pyetjet vijuese.

  • Si mund të ishe përgjigjur po të ishe misionarja në këtë rrethanë?

  • Përse mund të jetë e vështirë të përgjigjesh në një mënyrë si të Krishtit?

  • Kur të kanë trajtuar keq ose përndjekur për bindjet e tua?

  • Cilat mund të jenë disa situata në të ardhmen në të cilën ti mund të përndiqesh për bindjet e tua?

Ndërsa i studion shembujt e anëtarëve të Kishës së Krishtit në Librin e Mormonit, kërko mënyrat se si mund të qëndrosh i/e palëkundur dhe të gjesh paqe në Jezu Krishtin gjatë përndjekjes.

Përndjekja në Librin e Mormonit

Alma pati shumë sfida gjatë kohës së tij si kryegjykatës. Pasi Nehori u dënua me vdekje ngaqë vrau Gideonin, disa nga njerëzit vazhduan të besonin në mësimet e Nehorit. Lexo tek Alma 1:19–24, duke kërkuar sfidat me të cilat u përballën nefitët.

  • Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet asaj me të cilën u përballën nefitët, dhe përvojave të tua?

  • Çfarë veprimesh nga anëtarët e Kishës kontribuuan në këto sfida (shih te vargu 22)?

Mund të doni t’u vini në dukje nxënësve se Shpëtimtari ka dhënë mësimin se grindja është e gabuar dhe nga djalli (shihni tek 3 Nefi 11:29–30). Këtu përfshihet [dhe rasti] kur ajo që po jepni mësim, është e vërtetë dhe e drejtë.

Lexo tek Alma 1:25–28, duke kërkuar atë që bënë anëtarët e drejtë të Kishës. Për të të ndihmuar ta organizosh atë që studion, bëj një listë të asaj që bënë njerëzit. Ti mund ta bësh këtë në ditarin tënd të studimit, ose mund ta shenjosh atë që gjen, në shkrimet e tua të shenjta.

Nxënësve mund t’u mësohet aftësia e bërjes së listave e studimit të shkrimeve të shenjta. Ata mund t’i shenjojnë shkrimet e shenjta në një mënyrë që ka kuptim për ta. Disa nxënës mund të dëshirojnë të shtojnë një titull në listë siç është “Si të Kesh Paqe Kur Përndiqesh” ose një titull tjetër në shkrimet e tyre të shenjta.

Mund t’i ftoni nxënësit të përzgjedhin një zë nga lista e tyre, më pas të lëvizin nëpër dhomë dhe t’u përgjigjen pyetjeve më poshtë me sa më shumë nxënës të munden.

  • Cilat ishin disa nga mënyrat e ndryshme se si anëtarët e Kishës iu përgjigjën përndjekjes?

Plotëso frazën vijuese me diçka që mësove nga shembulli i nefitëve.

  • … mund të na ndihmojë të ndiejmë paqen e vazhdueshme të Shpëtimtarit edhe kur na përndjekin pse besojmë tek Ai.

  • Si mendon, në çfarë forme përgjigjja në këto mënyra mund ta ndihmojë dikë ta ndiejë paqen e Shpëtimtarit?

  • Çfarë dëshiron që të kujtosh më shumë nga këto vargje ose nga lista jote nëse ndonjëherë përballesh me përndjekje për bindjet e tua? Përse?

    Nëse ka kohë, merreni parasysh të diskutoni disa nga mësimet e Shpëtimtarit mbi të duruarit e përndjekjes te 3 Nefi 12:10–12, 43–45.

    Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të përsiatin për pyetjen e radhës në vend që t’u kërkoni atyre të përgjigjen me zë të lartë. Bërja e kësaj mund ta lejojë Shpirtin e Shenjtë t’i udhërrëfejë personalisht pa i bërë ata të ndihen të detyruar t’i tregojnë nxitjet vetjake.

  • Çfarë përvojash në jetën tënde të bëjnë të ndiesh një nevojë për paqen që ofron Jezu Krishti?

Më shumë sesa thjesht paqe

Përveç përjetimit të paqes, Ati Qiellor i bekoi nefitët besnikë në mënyra të tjera. Lexo tek Alma 1:29–32, duke kërkuar bekimet e Atit Qiellor për nefitët ndërsa ata qëndruan të palëkundur gjatë kohëve të vështira.

  • Si i ke parë bekimet e Atit Qiellor ndërsa ti ose të tjerë që njeh, keni qëndruar besnikë gjatë përndjekjeve?

Merreni parasysh të tregoni një përvojë vetjake se si Zoti ju ka bekuar ju ose dikë që njihni, ngaqë keni qëndruar besnikë gjatë përndjekjeve.

Përzgjidh të paktën dy prej veprimeve që ndërmorën nefitët besnikë për të treguar dashuri dhe dhembshuri për të gjithë njerëzit pavarësisht përndjekjes (shih tek Alma 1:25–30). Përshkruaj se si dikush në kohën tonë mund të bëjë të njëjtën gjë.

Ftojini nxënësit t’i tregojnë përgjigjet e tyre.

Tregojuni nxënësve bindjen tuaj se Shpëtimtari do t’i ndihmojë ata të qëndrojnë të palëkundur në Të edhe përmes përndjekjes. Ftojini ata të marrin parasysh të veprojnë sipas asaj që ata ose një nga shokët e klasës tregoi.