Seminari
Alma 2–3: Kujt Zgjedhim t’i Bindemi


“Alma 2–3: Kujt Zgjedhim t’i Bindemi”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 2–3”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 2–3

Kujt Zgjedhim t’i Bindemi

e re duke përsiatur shkrimet e shenjta

Kudo në shkrimet e shenjta, profetët na kanë paralajmëruar vazhdimisht se do të përballemi me pasojat e veprimeve tona, bazuar se cilin zgjedhim të ndjekim. Për shembull, pas një konflikti ndërmjet nefitëve dhe amlicitëve, profeti Mormoni dha mësim se ata që vdiqën, do të “korr[nin] lumturinë e përjetshme ose mjerimin e përjetshëm, sipas shpirtit që ata vendosën t’i bindeshin, qoftë ai një shpirt i mirë ose i keq” (Alma 3:26). Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë pasojat se cilin zgjedh të ndjekësh gjatë kësaj jete.

Përgatituni me Objektivin në mendje. Shpenzoni kohë për të marrë parasysh atë që nxënësit do të përjetojnë në orën mësimore që do t’i ndihmojë ata t’i “kuptojnë dhe mbështeten në mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit”. Presidenti Rasëll M. Nelson i nxiti mësuesit: “Kujtojeni atë qëllim çdo ditë përpara se t’u jepni mësim nxënësve” (“Teaching Youth in the Day of the Wave” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë], 6 gusht 2013).

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë ose dëgjojnë kapitujt Alma 2–3 përpara se të vijnë në orën mësimore. Vërini ata të mendojnë për atë që mund të mësojnë nga rrëfimi në këta kapituj.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Cili është morali i historisë?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për histori ose fabula që japin mësime dhe ftojini ata t’ia tregojnë klasës. Nëse është e nevojshme, ju mund të përdorni shembullin vijues. Nëse nxënësit e njohin shembullin, merreni parasysh t’i ftoni ata ta tregojnë historinë me fjalët e tyre dhe të përcaktojnë moralin ose mësimin. Kjo do t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë parimet që Mormoni pati për qëllim që ne t’i mësojmë nga shkrimet e tij.

  • A të vjen në mendje një histori ose fabul që të jep një mësim për jetën?

Një fabul klasike që i atribuohet një tregimtari të lashtë grek, i quajtur Ezop, është “Bariu i Vogël dhe Ujku”. Historia flet për një bari të vogël i cili i mashtroi dy herë fqinjët e tij që të besonin se një ujk po e sulmonte tufën e deleve të fshatit. Për zbavitjen e madhe të djalit, disa fshatarë nxituan të jepnin ndihmë, por kuptuan se nuk kishte asnjë ujk. Më në fund, një ujk i vërtetë e sulmoi tufën. Por kur djali thirri për ndihmë një herë të tretë, askush nuk i erdhi në ndihmë.

  • Cili është një parim moral ose mësim që mund ta nxjerrim nga kjo histori?

Kërkoni mundësi gjatë të gjithë studimit tuaj të Librit të Mormonit për t’i ndihmuar nxënësit të dallojnë dhe përcaktojnë parimet dhe mësimet e theksuara nga profeti Mormoni.

Ashtu si historitë ose fabulat shpesh kanë parime morale, shkrimet e shenjta gjithashtu japin mësime dhe ilustrojnë parime. Një aftësi e dobishme e studimit të shkrimeve të shenjta, kur studion Librin e Mormonit, është të vësh re kur Mormoni e thotë me qartësi qëllimin e tij për përfshirjen e disa rrëfimeve në anale. Ai shpesh përdor fraza si “Dhe kështu ne mund të dallojmë qartë”, “dhe kështu ne shohim”, “me të vërtetë, me të vërtetë”, ose “vini re”, për të na bërë të ditur se ai po na tregon parime dhe mësime (shih tek Alma 24:30; 30:60; 48:17; 62:41; Helamani 3:27–28). Përcaktimi i mësimeve dhe të vërtetave që Mormoni i theksoi, mund të të ndihmojë të gjesh lidhje vetjake. Mund të rritë gjithashtu efektshmërinë e studimit prej teje të shkrimeve të shenjta.

Lexo tek Alma 3:26–27 duke kërkuar një të vërtetë që Mormoni donte që ne të mësonim nga ndodhia tek Alma 2–3. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.

  • Çfarë zbulove?

Merreni parasysh ta jepni informacionin vijues nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për t’i kuptuar të vërtetat e dhëna mësim tek Alma 3:26–27.

Për të të ndihmuar ta kuptosh më mirë këtë fragment, vër re se fraza “çdo njeri merr shpërblimin e atij të cilit vendos t’i bindet” na fton të përfytyrojmë sikur ne jemi punonjës dhe zgjedhjet tona përcaktojnë nëse punëdhënësi ynë është Ati Qiellor apo Satani (shih tek Alma 3:27). Prandaj, ata që vendosin të ndjekin Satanin, shpejt e gjejnë veten të punësuar prej tij dhe marrin “mjerimin e përjetshëm” (Alma 3:26). Në fund, zgjedhjet e jetës sonë do të zbulojnë se cilin kemi zgjedhur si punëdhënësin tonë të përjetshëm.

Mund të jetë e dobishme ta shkruani të vërtetën vijuese në tabelë në mënyrë që nxënësit të mund t’i referohen asaj gjatë gjithë mësimit.

Një e vërtetë e mundshme nga Alma 3:26–27 është se ai, të cilit ne zgjedhim t’i bindemi në këtë jetë, përcakton lumturinë ose mjerimin tonë të përjetshëm.

Mendo për jetën tënde dhe kujt po zgjedh t’i bindesh. A po përpiqesh fort ta ndjekësh Jezu Krishtin? Apo po ndjek dikë tjetër? Përsiati këto pyetje ndërsa e vazhdon studimin tënd sot.

Amlici kërkon të jetë mbret

Gjatë viteve të para të mbretërimit të gjykatësve, Alma dhe populli i tij u përballën me një sprovë të vështirë për besimin dhe lumturinë e tyre.

Lexo tek Alma 2:1–12 duke kërkuar sprovën me të cilën u përballën nefitët.

Merreni parasysh ta përfshini sugjerimin për lirinë fetare te pjesa Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit në këtë pikë në mësim.

  • Çfarë kishte për qëllim të bënte Amlici nëse bëhej mbret? (Shih te vargu 4.)

  • Si u përgjigjën nefitët?

  • Si e treguan nefitët dëshirën e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin?

Zgjedhjet dhe pasojat

Ndihmojini nxënësit të kërkojnë dhe të tregojnë pasoja të ndryshme të ndjekjes së Perëndisë ose të djallit. Një mënyrë për ta bërë është ta kopjoni grafikun vijues në tabelë dhe t’i vini nxënësit ta plotësojnë atë. Një mundësi tjetër është të përgatitni disa copa letre të vogla përpara orës mësimore si simbol i kartëmonedhave ose “shpërblimit” (Alma 3:27). Më pas, sillni dy qese ose kuti prej letre dhe emërtojeni njërën “Ndjekja e Perëndisë” dhe tjetrën “Ndjekja e djallit ose e shërbëtorëve të tij”. Jepini çdo nxënësi të paktën një copë letër dhe vëreni gjysmën e klasës ta lexojë secilin nga blloqet e shkrimeve të shenjta të renditura më poshtë. Ndërsa nxënësit zbulojnë shpërblimet e ndryshme nga secili rrëfim, ftojini ata t’i shkruajnë këto në copat e tyre të letrës dhe ta vendosin shpërblimin e tyre në enën e duhur. Kur nxënësit të mbarojnë, lexoni disa prej shpërblimeve me zë të lartë. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë shpërblime të tjera nga ndjekja e Perëndisë që i kanë vënë re në jetën e tyre ose në jetën e të tjerëve.

Kopjoje grafikun e mëposhtëm në ditarin tënd të studimit. Lexoji vargjet në vijim dhe rendit se çfarë “shpërblimesh” vijnë nga ndjekja e Perëndisë ose e djallit në kolonën e duhur.

“Shpërblimi [i] atij të cilit vendos t’i bindet” (Alma 3:27)

Ndjekja e Perëndisë

Ndjekja e djallit ose e shërbëtorëve të tij

Alma 2:16–18, 26–31 (Alma dhe nefitët)

Alma 3:4, 13–14, 18–19 (amlicitët)

  • Çfarë vure re në këto dy ndodhi?

Shënim: Mallkimi që përjetuan amlicitët edhe lamanitët, ishte një ndarje nga Perëndia për shkak të rebelimit dhe mosbindjes së tyre (shih te 2 Nefi 5:20–21). Shenja, e cila në atë kohë i dallonte lamanitët nga nefitët, ishte që “lëkurat e Lamanitëve ishin të errëta” (Alma 3:6). Është e rëndësishme të mbahet në mendje se natyra dhe paraqitja e kësaj shenje nuk kuptohen plotësisht. Profetët e Librit të Mormonit dhe profetët bashkëkohorë kanë dhënë mësimin se është e gabuar t’i fyesh apo t’i përçmosh njerëzit për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre (shih te Jakobi [LiM] 3:9).

Në varësi të aftësive të nxënësve tuaj, në vend që të jepni tri grupet vijuese të vargjeve, ju mund t’i ftoni nxënësit të gjejnë shkrime të tjera të shenjta që e përshkruajnë “shpërblimin” e ndjekjes së Perëndisë ose të dikujt tjetër. Ju mund t’i nxitni ata të përdorin fragmentet e zotërimit doktrinor.

Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë dhe shtoje atë që gjen në grafikun tënd.

2 Nefi 2:27

Alma 30:60

Mateu 11:28–30

Kur nxënësit ta kenë mbaruar plotësimin e grafikëve të tyre, ftojini ata të tregojnë atë që gjetën. Bëjuni nxënësve pyetje të ndjekjes së ecurisë si shembulli vijues ndërsa tregojnë, që i ndihmojnë ata ta lidhin atë që gjetën në shkrimet e shenjta, me jetën e tyre.

Zbatimi në planin personal

  • Çfarë ke vërejtur ose përjetuar në jetë që të ka treguar vërtetësinë e parimit të ilustruar tek Alma 3:26–27?

Mendo për mundësitë që po krijon aktualisht, të cilat të ndihmojnë t’i ndjekësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Si do të të çojnë ato në lumturinë e përjetshme? A po bën ndonjë zgjedhje që mund të të largojë nga Shpëtimtari? Vendos se çfarë mund të nevojitet të bësh për të ndryshuar. Merre parasysh se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të të bekojnë dhe forcojnë teksa përpiqesh fort të marrësh vendimet e drejta që të kthejnë tek Ata.