“Alma 5:1–32: Pyetjet e Almës për Vlerësimin e Vetes”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 5:1–32”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 5:1–32
Pyetjet e Almës për Vlerësimin e Vetes
Çastet e vlerësimit të vetes mund të na ndihmojnë ta shohim forcën e marrëdhënies sonë me Jezu Krishtin më qartësisht. Alma, duke e ditur se si krenaria dhe grindja ishin bërë pjesë e Kishës, u bëri anëtarëve të Kishës në Zarahemlë një seri pyetjesh që i nxitën ata të reflektonin mbi përqendrimin e zemrave të tyre dhe qëndrimin e tyre përpara Perëndisë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta vlerësosh përparimin tënd shpirtëror dhe të forcosh kthimin tënd në besimin te Jezu Krishti.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Vlerësimi i vetes
Mendo për mundësitë që ti ke pasur për t’u intervistuar nga dikush tjetër, duke përfshirë intervistat për rekomandimin e tempullit, intervistat vjetore me peshkopin ose presidentin tënd të degës dhe intervistat e punës.
-
Cili është qëllimi i intervistave?
-
Si mund të bësh një intervistë me veten?
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga përfitimet e gjetjes së kohës rregullisht për të vlerësuar përparimin tonë shpirtëror. Mund të duash të shohësh materialin filmik “Të Kthehemi dhe të Marrim” në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 8:14 deri në 8:58 ose të lexosh tekstin e mëposhtëm.
“Kam zbuluar se, që të qëndroj i përqendruar në kthimin [në praninë e Perëndisë] dhe marrjen e bekimeve të premtuara, unë duhet të gjej kohë rregullisht që ta pyes veten time: ‘Si po ia kalon?’
Është si të kesh një intervistë personale, vetjake me veten tënde. Dhe nëse kjo tingëllon e pazakontë, mendoni këtë: Kush në këtë botë ju njeh më mirë sesa e njihni ju veten tuaj? Ju i dini mendimet tuaja, veprimet tuaja vetjake, dëshirat tuaja dhe ëndrrat, synimet e planet tuaja. Dhe ju e dini më mirë se çdokush tjetër mënyrën se si po përparoni.” (M. Rasëll Ballard, “Të Kthehemi dhe të Marrim”, Liahona, maj 2017, f. 64)
Mendo se sa shpesh ti gjen kohë për të vlerësuar përparimin tënd shpirtëror.
-
Çfarë lloj përfitimesh mund të vijnë nga bërja e kësaj rregullisht?
Një aftësi që mund ta përdorësh kur studion shkrimet e shenjta, është të gjesh kohë për të ndaluar dhe vlerësuar se sa mirë po i jeton mësimet ose parimet që po studion. Sot do të kesh një mundësi për ta ushtruar atë aftësi ndërsa studion kapitullin Alma 5. Ky kapitull përmban shumë pyetje që Alma i bëri popullit të tij. Ti gjithashtu mund t’ia bësh vetes këto pyetje për të vlerësuar përparimin tënd shpirtëror. Ndërsa studion, kërko udhërrëfim nga Ati Qiellor për të të ndihmuar të dish se çfarë po bën mirë dhe se si Ai dëshiron që ti të përmirësohesh.
Alma i predikon popullit të Zarahemlës
Sill ndër mend se pasi pa krenarinë dhe lakminë mes popullit të tij, Alma dha dorëheqjen si kryegjykatës i nefitëve për t’iu kushtuar më plotësisht mësimdhënies së fjalës së Perëndisë (shih tek Alma 4:19).
Alma e filloi predikimin e tij në tokën e Zarahemlës. Ai u kujtoi këtyre njerëzve robërinë shpirtërore dhe fizike që nefitët kishin përjetuar gjatë ditëve të Mbretit Noe (shih tek Alma 5:3–5).
Lexo tek Alma 5:6–13, duke kërkuar atë që Alma donte që populli i tij të kujtonte rreth brezit të mëparshëm të nefitëve.
-
Përse mendon se Alma donte që populli i tij t’i kujtonte këto gjëra?
-
Çfarë donte Alma që populli i tij të dinte rreth Jezu Krishtit te vargu 7?
Lexo tek Alma 5:14, 26, duke kërkuar pyetjet që Alma i bëri popullit të tij pasi u kujtoi njerëzve trashëgiminë e tyre shpirtërore.
-
Si mendon, çfarë donte Alma që populli i tij të kuptonte duke ia bërë këto pyetje?
-
Si mendon se mund të ndikojë në jetën tënde bërja e pyetjeve ndaj vetes tënde si ato nga vargjet 14 dhe 26?
Përdorimi i mësimeve të Almës për të kryer një vetëvlerësim
Gjej kohë për t’i studiuar fjalët e Almës drejtuar popullit të Zarahemlës tek Alma 5:14–30 dhe reflekto nëse e ke përjetuar ose po e përjeton ndryshimin që Alma përshkroi. Ndërsa studion, kryeje vetëvlerësimin tënd duke përdorur disa ose të gjitha pyetjet që Alma bëri në këto vargje. Këtu janë disa mënyra se si ti mund ta bësh atë.
-
Ndalo dhe reflekto çdo dy deri në tre vargje, duke vlerësuar se si pyetjet e Almës në ato vargje lidhen me jetën tënde.
-
Përzgjidh disa nga pyetjet e Almës që ti e ndien se janë më kuptimplota dhe të rëndësishme për ty. Shkruaji këto pyetje në ditarin tënd të studimit dhe mbaji shënim përgjigjet e tua për çdo pyetje, si edhe çfarëdo mendim ose përshtypje tjetër që mund të kesh.
-
Pasi t’i përcaktosh pyetjet që bëri Alma në këto vargje, formulo dy ose tri pyetje që mund t’i përdorësh për ta vlerësuar përparimin tënd shpirtëror. Shënoji përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.
-
Cilat nga pyetjet e Almës ndjeve se ishin më kuptimplota për ty? Përse?
-
Cilat fjalë ose fraza gjete nga këto vargje që mund të të japin dëshirën dhe kurajën për t’u penduar?
-
Çfarë mësove rreth Perëndisë dhe dëshirave të Tij për ty nga ajo që ke studiuar?
Mendo për atë që ke mësuar ose ndier sot, teksa ke përdorur fjalët e Almës për të vlerësuar përparimin tënd shpirtëror. Përcakto një ose dy gjëra për të cilat do të doje të punoje si rezultat i asaj që ke studiuar. Mendo për atë që do të fillosh të bësh sot, me cilat pengesa mund të përballesh dhe se si mund të kërkosh ndihmën e Perëndisë në kapërcimin e pengesave të tua. Shënoji mendimet dhe mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.