Seminari
Zotërimi Doktrinor: Alma 7:11–13 – “Dhe Ai do të Shkojë Përpara, duke Vuajtur Dhimbje dhe Hidhërime dhe Tundime të çdo Lloji”


“Zotërimi Doktrinor: Alma 7:11–13 – ‘Dhe Ai do të Shkojë Përpara, duke Vuajtur Dhimbje dhe Hidhërime dhe Tundime të çdo Lloji’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: Alma 7:11–13”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Alma 7:11–13

“Dhe Ai do të Shkojë Përpara, duke Vuajtur Dhimbje dhe Hidhërime dhe Tundime të çdo Lloji”

Shpëtimtari duke vuajtur në Gjetseman

Në studimin tënd të vargjeve Alma 7:1–13, ti mësove për disa nga ato që Shpëtimtari vuajti si pjesë e Shlyerjes së Tij në mënyrë që “ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij” (Alma 7:12). Ky mësim mund të të ndihmojë ta mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë të zotërimit doktrinor për vargjet Alma 7:11–13, ta shpjegosh doktrinën e dhënë mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Ndihmojini nxënësit të marrin përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Të mësuarit e ungjillit që çon në kthimin në besim kërkon që nxënësit të ushtrojnë besim dhe përpjekje të madhe. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përvoja e tyre e seminarit varet kryesisht nga ata. Nxitini nxënësit të mbajnë përgjegjësi për të mësuarit e tyre, jepuni mundësi për ta bërë këtë dhe shprehni bindjen se ata do të kenë sukses.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përsiatin me lutje atë që mund të bëjnë për të marrë ndihmën dhe forcën që Jezu Krishti siguron nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Alma 7:1–13”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor tek Alma 7:11–13. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet Alma 7:11–13 është: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”. Merre parasysh ta shenjosh këtë frazë në shkrimet e tua të shenjta nëse nuk e ke bërë tashmë.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, merreni parasysh t’i ftoni ata ta përsëritin atë midis tyre me një partner derisa të dy të mund ta përsëritin lehtësisht përmendsh.

Materiali vijues mund të përdoret më pas për t’u dhënë nxënësve një mundësi për të shpjeguar doktrinën në këtë fragment.

Në një mësim të mëparshëm ti mësove nga Alma 7:11–13 se Jezu Krishti vuajti për të të shpëtuar nga mëkati e vdekja dhe për të të ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë.

Supozo sikur një shok të dërgoi mesazh me celular për diçka të vështirë që po kalon. Ti mendon se mesazhi tek Alma 7:11–13 do të jetë i dobishëm për shokun tënd, por shqetësohesh se ai nuk do ta lexojë nëse ti i dërgon vetëm referencën e shkrimit të shenjtë.

  • Si do t’i përmblidhje vargjet tek Alma 7:11–13 në një mënyrë që mund ta ndihmonte shokun tënd përmes vështirësisë së tij?

Merreni parasysh t’u jepni kohë nxënësve për t’i shkruar përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme. Kur të kenë mbaruar, ftoji disa vullnetarë të tregojnë atë që shkruan. Nxënësit gjithashtu mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre një partneri ose një grupi të vogël.

Ushtroje vënien në zbatim

Pyetini nxënësit nëse mund t’i kujtojnë tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Nëse nuk janë në gjendje, ftojini ata të ndjekin udhëzimet në paragrafin e radhës.

Gjeji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Shkruaji këto parime si tituj në ditarin tënd të studimit, duke lënë hapësirë ndërmjet secilit në mënyrë që të mund t’u përgjigjesh pyetjeve rreth tyre më vonë në mësim.

Merre parasysh se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrina e dhënë mësim tek Alma 7:11–13 mund të ndihmojnë në skenarin vijues.

Merreni parasysh ta paraqitni skenarin vijues në mënyrë që nxënësit të mund t’i referohen gjatë gjithë pjesës tjetër të mësimit. Nëse është e nevojshme, merreni parasysh ta përshtatni skenarin për të përfshirë situata që janë më të përshtatshmet për nxënësit.

Që kur prindërit e Ervinit u shkurorëzuan pak vite më parë, ai është ndier sikur jeta e tij është bërë gjithnjë e më e vështirë. Ai ka pasur vështirësi në shkollë dhe disa nga shokët e tij nuk duket se e përfshijnë atë aq sa e përfshinin dikur. Ervini gjithashtu ka ndaluar më së shumti pjesëmarrjen në kishë, leximin e shkrimeve të tij të shenjta dhe lutjen drejtuar Perëndisë. Një ditë, Ervini foli hapur me një nga shokët e tij rreth vështirësive të tij. Ai tha: “Unë dua që gjërat të përmirësohen, por nuk di se kujt t’i drejtohem. Ndihem shumë i vetmuar dhe i bllokuar në situatën time.”

Përfytyro sikur ti je shoku të cilit Ervini po i fliste, dhe gjithashtu sikur ai të kërkoi këshillë se si ta kapërcejë situatën e tij të vështirë. Përdori mësimet tek Alma 7:11–13 dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar Ervinin në sfidën e tij.

Ka shumë mënyra se si nxënësit mund ta plotësojnë këtë veprimtari të ushtrimit të vënies në zbatim. Një mënyrë është të studiojnë vargjet tek Alma 7:11–13 dhe paragrafët 5–8, 11–12, në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, duke kërkuar mësimet që mund të jenë të dobishme për Ervinin. Nxënësit më pas mund t’i tregojnë ide klasës, në dyshe bashkëpunimi ose në grupe të vogla.

Pyetjet dhe burimet vijuese mund të jenë të dobishme në diskutimet e tyre. Nuk është e nevojshme t’i përdorni të gjitha këto burime dhe pyetje; ato janë shembuj të gjërave që nxënësit mund të marrin parasysh ndërsa punojnë me këtë skenar.

Vepro me besim

Lexo paragrafët paragrafët 5–7 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Merre parasysh ta shenjosh atë që të duket e dobishme.

  • Çfarë mund t’i mësosh Ervinit rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij që mund ta ndihmojë atë të veprojë me besim?

  • Çfarë mund të bëjë Ervini për të marrë ndihmën që Jezu Krishti mund të japë?

Shqyrtoji konceptet ose pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

Lexo paragrafin 8 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Merre parasysh ta shenjosh atë që të duket e dobishme

  • Si mendon se Ati Qiellor do të donte që Ervini të mendonte rreth situatës së tij?

  • Pse mendon se do të ishte e dobishme që Ervini ta shihte situatën e tij me një këndvështrim të përjetshëm?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Në ç’lloj burimesh të caktuara në mënyrë hyjnore, mund ta drejtoje Ervinin që mund t’i sigurojnë atij ndihmën që i nevojitet?

Një burim i rëndësishëm, i caktuar në mënyrë hyjnore që mund ta ndihmojë në këtë situatë, është Alma 7:11–13. Rilexoji këto vargje, duke kërkuar mësimet që mund të jenë të dobishme për Ervinin.

  • Çfarë do të doje që Ervini të kuptonte dhe ndiente nga këto vargje?

  • A mund të mendosh për ndonjë fragment tjetër të shkrimeve të shenjta që jep mësim atë që Ati Qiellor mund të dojë që Ervini të dijë?

Kur nxënësit të mbarojnë, merreni parasysh t’i ftoni ata të mendojnë për situatat e tyre vetjake në të cilat u nevojitet ndihma e Shpëtimtarit. Ju mund t’u kërkoni atyre të mendojnë se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrina e dhënë mësim tek Alma 7:11–13, mund t’i ndihmojnë ata të marrin ndihmën e Shpëtimtarit në jetën e tyre. Nxënësit mund t’i mbajnë shënim këto mendime në ditarët e tyre të studimit.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Veprimtaria vijuese e përsëritjes duhet të përdoret në një mësim të dhënë së afërmi pas këtij mësimi.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit që referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë tek “Alma 7:11–13: ‘Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji’”, t’i përsëritin midis tyre me një partner derisa të dy të mund t’i përsëritin lehtësisht përmendsh.