Seminari
Alma 7:14–27: “Shtegu që të Çon në Mbretërinë e Perëndisë”


“Alma 7:14–27: ‘Shtegu që të Çon në Mbretërinë e Perëndisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 7:14–27”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 7:14–27

“Shtegu që të Çon në Mbretërinë e Perëndisë”

një person duke ecur në shtegun drejt mbretërisë së Perëndisë

Profetët i referohen shpesh “shteg[ut] të ngushtë dhe të ngushtuar” (2 Nefi 31:19), si “shtegu i besëlidhjeve”, ose “shtegu që të çon në mbretërinë e Perëndisë” (Alma 7:19). Alma e dalloi se populli i Gideonit ishte në këtë shteg dhe u dha mësim njerëzve se si të vazhdonin në të dhe të bëheshin më të ngjashëm me Perëndinë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë në përpjekjet e tua për të fituar cilësi si të Krishtit teksa ndjek shtegun që të kthen te Perëndia.

Nxitni një atmosferë dashurie dhe respekti. Nxitini nxënësit të shprehin dashuri si të Krishtit dhe pranim ndaj çdo anëtari të klasës. Bërja e kësaj mund t’i zbutë zemrat e anëtarëve të klasës të cilët po hasin vështirësi.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth cilësive si të Krishtit që do të donin t’i zhvillonin më plotësisht, dhe të vijnë të përgatitur të tregojnë përse.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Një shteg për ta ndjekur

Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese (ose një të ngjashme) ndërkohë që bëni pyetjen vijuese.

shteg përmes një pylli të dendur
  • Cilat janë përparësitë e të pasurit të një shtegu për ta ndjekur?

Merre parasysh të shikosh “Rivendosja e Përditshme” nga kodi kohor 01:40 deri në 03:25 për të parë Plakun Diter F. Uhtdorf, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të shpjegojë se çfarë u ndodh njerëzve që po udhëtojnë pa një shteg ose pika orientimi të besueshme. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org

13:43

Pasi i profetizoi popullit të Gideonit për jetën dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit, Alma u dha njerëzve fjalë inkurajimi.

Lexo tek Alma 7:19–20 për të parë atë që Alma tha për Perëndinë, shtegun e Tij dhe popullin e Gideonit.

Merre parasysh ta shenjosh frazën “shtegu… që të çon në mbretërinë e Perëndisë” te vargu 19. Sot ti do të mësosh më shumë rreth këtij shtegu.

  • Si mendon se mund ta kuptosh nëse je në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë?

Merreni parasysh ta vizatoni figurën vijuese në tabelë dhe ta emërtoni atë “Shtegu që të çon në mbretërinë e Perëndisë”. Ftojini nxënësit të vizatojnë diçka të ngjashme në ditarët e tyre.

Vizato një figurë të ngjashme me atë në vijim dhe emërtoje “Shtegu që të çon në mbretërinë e Perëndisë”.

skicë artistike e shtegut që të çon në mbretërinë e Perëndisë

Shtegu që të çon në mbretërinë e Perëndisë shpesh quhet shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar ose shtegu i besëlidhjeve. Ne jemi në këtë shteg kur jemi duke i ndjekur shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit. Vazhdimësia në këtë shteg do të na çojë në jetë të përjetshme (shih te 2 Nefi 31:19–20).

Ndërsa studion, përsiat a e sheh veten në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë. Kërko mësime që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë këtë shteg dhe bekimet që Zoti të ofron ndërsa e ndjek atë.

“Shtegu që të çon në mbretërinë e Perëndisë”

Alma i përshkroi veprimet që mund të ndërmarrim, të cilat na kthejnë në praninë e Perëndisë.

Lexo tek Alma 7:14–16 dhe më pas shënoji këto veprime te shtegu në vizatimin tënd ose pranë tij.

  • Çfarë të ndihmuan të kuptosh këto vargje se çfarë do të thotë të jesh në shtegun që të çon te Perëndia?

Merreni parasysh t’i lejoni disa nxënës t’i shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme. Këta nxënës mund të ftojnë më pas të tjerë që mund të vijnë dhe të rrethojnë në tabelë një përgjigje që duket veçanërisht e rëndësishme për ta. Atij nxënësi që e rrethoi përgjigjen, mund t’i kërkohet më pas të shpjegojë pse e ndien se ky është një veprim i rëndësishëm që na ndihmon të kthehemi në praninë e Perëndisë.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje, është se ndërsa pendohemi, bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe marrim ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit, ne ndjekim shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë.

  • Si na ndihmojnë këto veprime të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë?

  • Çfarë bekimesh mund të përjetojmë gjatë kësaj jete duke ndjekur shtegun e Perëndisë?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë bekimet që kanë përjetuar në jetën e tyre duke ndjekur shtegun e Perëndisë. Ju mund të tregoni shembuj nga jeta juaj po ashtu.

Zhvillimi i cilësive si të Krishtit ndërsa ecim në shtegun e Tij

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se një bekim i ndjekjes së shtegut të besëlidhjes së Perëndisë është se ai “na çon deri atje sa të bëhemi si Ai” (“Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104).

Merreni parasysh t’i paraqitni këto figura të Shpëtimtarit (ose të tjera që zgjidhni) ndërkohë që u bëni nxënësve pyetjet vijuese. Ju mund të tregoni cilësitë e Jezu Krishtit që i admironi më së shumti përpara se të bëni pyetjet.

Krishti me gruan e kapur në shkelje kurore
Krishti duke ngushëlluar Marien dhe Martën
Krishti duke qetësuar detin
  • Cilat cilësi admiron më së shumti rreth Jezu Krishtit? Përse?

  • Në ç’mënyra dëshiron të jesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin? Çfarë mund ta bëjë atë të vështirë? Si mund t’i mposhtim këto vështirësi me ndihmën e Zotit?

  • Kur e ke ndier dëshirën më të madhe për të qenë i ngjashëm me Të? Çfarë po ndodhte në jetën tënde që të bëri të ndihesh në atë mënyrë?

Alma përcaktoi disa nga cilësitë si të Krishtit që duhet të orvatemi t’i fitojmë ndërsa ecim në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë.

Lexo tek Alma 7:22–25 dhe kërko cilësi dhe sjellje si të Krishtit që i shikon të pohuara ose të përshkruara. Merre parasysh t’i shenjosh këto në shkrimet e tua të shenjta. Ti gjithashtu mund të marrësh parasysh t’i renditësh këto cilësi dhe sjellje te shtegu në vizatimin tënd ose pranë tij.

Veprimtaria vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë më shumë rreth cilësive si të Krishtit të përmendura tek Alma 7:22–25 dhe të bëjnë një plan për të zhvilluar një ose më shumë prej këtyre cilësive. Mund të jetë e dobishme që ju ta plotësoni këtë veprimtari përpara orës mësimore në mënyrë që të jeni të përgatitur më mirë për t’i ndihmuar nxënësit ndërsa punojnë. Sigurohuni t’u jepni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta plotësuar këtë veprimtari.

Merreni parasysh të paraqitni udhëzimet vijuese.

Zgjidh me lutje një cilësi të përmendur tek Alma 7:22–25 që ti e ndien se Ati Qiellor do të donte që ta zhvilloje, dhe më pas plotësoje veprimtarinë vijuese. Mbaji shënim idetë e tua në fund të figurës sate ose diku tjetër në ditarin tënd të studimit.

  1. Mëso më shumë rreth kësaj cilësie. Merre parasysh të përdorësh burime të shkrimit të shenjtë si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta që të të japin ndihmë për këtë. Shkruaje atë që mësove.

  2. Renditi sfidat e zhvillimit të cilësisë që zgjodhe, dhe arsyen pse mendon se Perëndia të lejon t’i përjetosh ato sfida.

  3. Rendit dy deri në tri mënyra të ndryshme se si jeta jote do të ishte më e mirë pas sigurimit të kësaj cilësie.

  4. Përcakto një shembull nga jeta e Shpëtimtarit në të cilin Ai e mishëroi këtë cilësi. Përndryshe, rendit një shembull nga jeta e dikujt që ti njeh, në të cilin ai e mishëroi këtë cilësi si të Krishtit.

  5. Përcakto një ose më shumë veprime që mund t’i ndërmarrësh që do ta ftonin ndihmën e Perëndisë ndërsa përpiqesh ta zhvillosh këtë cilësi. Bëj një plan për mënyrën se si ta zbatosh atë veprim në jetën tënde. Një mënyrë se si mund të përpiqesh fort ta zbatosh këtë veprim, është duke folur me Atin Qiellor në lutjet e tua të përditshme rreth përparimit tënd dhe duke kërkuar ndihmën e Tij aty ku nuk po ia del mbanë.

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla. Çdo person i grupit mund të shpjegojë shkurtimisht atë që ka mësuar dhe ndier për cilësinë që zgjodhi, dhe përse dëshiron që ta zhvillojë atë. Përndryshe, ata mund ta tregojnë cilësinë që zgjodhën dhe shembullin nga jeta e Shpëtimtarit ose një shembull nga jeta e dikujt që njohin. Nxitini studentët të veprojnë sipas planeve të tyre. Dëshmoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i ndihmojnë ata në përpjekjet e tyre.