“Alma 7:1–13: Që Ai të Mund të Ndihmojë Popullin e Tij”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 7:1–13”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 7:1–13
Që Ai të Mund të Ndihmojë Popullin e Tij
Vepra dhe lavdia e Perëndisë është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Mosia 1:39). Për ta përmbushur këtë, Ai e dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, të vuante për mëkatet tona dhe të mundte vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij. Shpëtimtari vuajti me gatishmëri të gjitha gjërat për ne “që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12). Ky mësim mund të të ndihmojë të mbështetesh te Shpëtimtari yt dhe të ndiesh dashuri më të madhe për Të.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Gjërat më të rëndësishme
Krijo një listë të asaj që ti i konsideron se janë disa nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë botërore dhe më pas renditi ato sipas radhës nga më e rëndësishmja te më pak e rëndësishmja.
-
Çfarë e bën një ngjarje domethënëse ose të rëndësishme?
-
Përse renditja e tyre sipas radhës së rëndësisë mund të jetë disi e vështirë për t’u bërë?
Ndërsa Alma i foli popullit në tokën e Gideonit, ai profetizoi se megjithëse “shumë gjëra do të vijnë; … një prej këtyre gjërave ka rëndësi më të madhe” nga të gjitha të tjerat (Alma 7:7).
Lexo tek Alma 7:7, duke kërkuar këtë ngjarje nga më të rëndësishmet. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.
-
Si mendon, përse ardhja e Shpëtimtarit është ngjarja më e rëndësishme e të gjithë kohëve?
Pasi Alma i foli popullit të Zarahemlës dhe e vuri në rregull Kishën në atë pjesë të vendit (shih tek Alma 6), ai udhëtoi drejt tokës së Gideonit. Alma 7 përmban mësime të rëndësishme nga Alma për popullin e Gideonit rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Para se të fillosh të studiosh, shpenzo një çast për të menduar rreth mënyrës se si Shlyerja e Jezu Krishtit ka lidhje me jetën tënde. Me çfarë rrethanash po përballesh aktualisht në të cilat të nevojitet ndihma që sigurojnë Ati Qiellor dhe Shpëtimtari?
Ndërsa studion sot, kërko mësime rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë atë që Ai ka bërë për ty dhe se si Ai mund të të ndihmojë.
Alma jep mësim rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit
Çfarë vuajti Shpëtimtari për mua |
Përse vuajti Shpëtimtari për mua |
---|---|
Lexo tek Alma 7:11–13, duke kërkuar mësimet e Almës rreth asaj që Jezu Krishti vuajti ose mori mbi Veten e Tij për ty si pjesë e Shlyerjes së Tij. Shënoji këto në kolonën e parë të grafikut tënd. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala dobësi iu referohet të metave dhe dobësive që përjetojmë në vdekshmëri.
Lexo te 2 Nefi 9:21; Mosia 3:5–8; dhe Doktrina e Besëlidhje 19:16–19. Këto fragmente përfshijnë hollësi të tjera rreth vuajtjes së Shpëtimtarit. Shto çfarëdo fjalë ose frazë që të duket e rëndësishme në kolonën e parë në grafikun tënd. Merre parasysh të shtosh një referencë-kryq ose hallkë lidhëse nga këto fragmente tek Alma 7:11–13.
-
Çfarë mendimesh apo ndjenjash pate ndërsa mësove rreth vuajtjes së Shpëtimtarit?
-
Përse mendon se është e rëndësishme ta kuptosh se çfarë vuajti Shpëtimtari dhe mori mbi Vete si pjesë e flijimit të Tij shlyes?
Përse Jezu Krishti i vuajti këto gjëra
Lexo përsëri tek Alma 7:11–13, këtë herë duke kërkuar përse Shpëtimtari vuajti për ty. Përqendrohu te frazat që fillojnë me “që ai” ose “që … e tij” ndërsa lexon. Shkruaje atë që gjen, në kolonën e dytë të grafikut tënd. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala ndihmojë do të thotë të ofrosh lehtësim ose ndihmë.
-
Çfarë mësove rreth arsyes përse Jezu Krishti i vuajti këto gjëra për ty?
-
Si do ta përmblidhje atë që ke studiuar tek Alma 7:11–13 në një pohim të vërtete?
Nga Alma 7:11–13, ti mund të kesh përcaktuar një të vërtetë si kjo: Jezu Krishti vuajti që të më shpëtojë nga mëkati dhe vdekja dhe të më ndihmojë përmes sfidave të vdekshmërisë.
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi disa nga sfidat e vdekshmërisë për të cilat Shpëtimtari mund të na ndihmojë. Lexoje pohimin vijues.ChurchofJesusChrist.org
“Shpëtimtari ynë përjetoi dhe vuajti plotësinë e të gjitha sfidave të vdekshme ‘sipas mishit’, kështu që Ai të mund të dinte ‘sipas mishit’ se si ‘të ndihmojë [që do të thotë të ofrosh lehtësim] popullin e tij sipas dobësive të tyre’. Prandaj Ai i njeh mundimet tona, pikëllimet tona, tundimet tona dhe vuajtjen tonë, sepse Ai me gatishmëri i përjetoi ato të gjitha si një pjesë thelbësore e Shlyerjes së Vet. Dhe për shkak të kësaj, Shlyerja e Tij i jep Atij fuqinë për të na ndihmuar – për të na dhënë forcën për t’i duruar të gjitha.” (Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 61)
-
Çfarë të ndihmon ky pohim të kuptosh ose ndiesh rreth Shpëtimtarit?
Lidhja e tij me jetën tënde
Përsiat për një çast se çfarë vuajti Shpëtimtari për ty personalisht. Për shembull, çfarë hidhërimesh, tundimesh, dobësish ose vuajtjesh të veçanta je duke përjetuar ose ke përjetuar? Merre parasysh t’i shkruash mendimet e tua poshtë grafikut tënd.
Më pas, përsiat me lutje se si Shpëtimtari të ka forcuar ose mund të të forcojë në secilën nga këto vështirësi. Kërkoji Atit Qiellor të të frymëzojë ndërsa i shkruan mendimet dhe ndjenjat e tua.
-
Kur e ke ndier forcën që jep Jezu Krishti nëpërmjet Shlyerjes së Tij?
-
Çfarë ke mësuar apo ndier rreth Jezu Krishtit në studimin tënd sot që dëshiron ta mbash mend?