Seminari
Alma 14: “U Bëftë Sipas Vullnetit të Zotit”


“Alma 14: ‘U Bëftë Sipas Vullnetit të Zotit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 14”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 14

“U Bëftë Sipas Vullnetit të Zotit”

Alma dhe Amuleku të burgosur

Për shkak se jetojmë në një botë të rënë, shumë njerëz trajtohen në mënyrë të ashpër dhe të padrejtë. Ndërsa Alma dhe Amuleku e dhanë mësim ungjillin e Jezu Krishtit në qytetin e Amonihës, njerëz të ligj i mundonin besimtarët dhe i dënonin me vdekje duke i djegur. Alma dhe Amuleku u burgosën më pas dhe u përndoqën ashpërsisht. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë të mirëbesosh te Zoti kur përballesh me vështirësi, vuajtje dhe padrejtësi.

Mësimdhënia nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë dëshmon për të gjithë të vërtetën dhe jep dëshmi për Atin dhe Birin. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Studentët tanë nuk mund të dinë për Perëndinë dhe po ashtu të duan siç duhet të duan, përveç nëse mësohen nga Shpirti i Shenjtë” (“To Know and to Love God” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 26 shkurt 2010], f. 2).

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të reflektojnë për çdo sprovë që kanë duruar. Nxitini ata të mendojnë se si mirëbesimi i tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i ndihmoi ata ose mund t’i kishte ndihmuar t’i duronin sprovat e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Sfidat në vdekshmëri

Lexoje pohimin vijues nga Plaku Entoni D. Perkins, i Të Shtatëdhjetëve:

“Pavarësisht se ku jetoni, vuajtja fizike ose emocionale nga një llojshmëri sprovash dhe dobësish të vdekshmërisë ka qenë, është tani ose do të jetë në të ardhmen pjesë e jetës suaj”. (Entoni D. Perkins, “Kujtoji Shenjtorët e Tu të Përvuajtur, O Perëndia Ynë”, Liahona, nëntor 2021, f. 103)

Nxitini nxënësit të mendojnë sa më shumë përgjigje të munden për pyetjen vijuese dhe merreni parasysh t’i renditni ato në tabelë.

  • Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si mund të reagojmë ndaj sprovave?

Alma 14 është një rrëfim i njerëzve të drejtë që përjetuan sprova të rënda. Shumica e këtyre sprovave iu imponuan atyre nga njerëz që e keqpërdorën lirinë e tyre të zgjedhjes. Ndërsa studion, merre parasysh se si të vërtetat që zbulon nga shembujt e Almës, Amulekut dhe të njerëzve të tjerë të drejtë mund të të ndihmojnë të reagosh ndaj sprovave tani dhe në të ardhmen.

Merreni parasysh t’i shkruani emrat vijues në tabelë. Ftojini nxënësit të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë se çfarë vuajti çdonjëri siç përshkruhet tek Alma 14:1–9. Nëse e përdorni materialin filmik [“20 – Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” pjesën “Zizromi Beson dhe të Drejtët Përndiqen” nga kodi kohor 15:14 deri në 18:25 në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos], merreni parasysh të ndaloni te kodi kohor 16:52.

  • Alma dhe Amuleku

  • Zizromi

  • Besimtarët në fjalën e Perëndisë

Lexo tek Alma 14:1–9, duke kërkuar shembuj të vuajtjeve që njerëz të ndryshëm përjetuan. Nëse dëshiron, mund edhe të shohësh materialin filmik [“20 – Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” pjesën “Zizromi Beson dhe të Drejtët Përndiqen” nga kodi kohor 15:14 deri në 18:25 në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos].

3:51
  • Çfarë pyetjesh mund të kishe nëse përjetove sprova si të disa prej këtyre njerëzve?

Merreni parasysh të përdorni veprimtarinë plotësuese të të mësuarit të titulluar “Alma 14:11. Këndvështrimi i përjetshëm”, për t’i ndihmuar nxënësit të përsëritin se si t’i shqyrtojnë konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.

Mirëbesimi te Zoti

Ne mund të reagojmë në shumë mënyra kur përjetojmë vuajtje ose dëshmojmë vuajtjet e të tjerëve. Lexo tek Alma 14:10–11, duke kërkuar se si Amuleku dhe Alma reaguan ndaj vuajtjes së besimtarëve.

  • A ke dashur ndonjëherë ta shpëtosh veten ose të tjerët nga dhembja e një sprove, siç bëri Amuleku? Përse?

  • Çfarë mëson rreth Perëndisë nga reagimi i Almës te vargu 11?

Lexo tek Alma 14:12–13, duke kërkuar një të vërtetë që Alma e dha mësim për mënyrën se si të reagojmë kur përjetojmë vuajtje.

  • Si e treguan fjalët e Almës mirëbesimin te Zoti?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Almës?

Një parim që mund të mësojmë është se kur përjetojmë sprova dhe vuajtje, ne mund të zgjedhim të mirëbesojmë te Zoti pavarësisht nga rezultati. Merre parasysh ta mbash shënim këtë parim në ditarin tënd të studimit dhe ta shenjosh frazën “U bëftë sipas vullnetit të Zotit” në shkrimet e tua të shenjta.

  • Në ç’mënyra mendon se mirëbesimi te Zoti është një zgjedhje?

  • Si mund ta zbatoje frazën “U bëftë sipas vullnetit të Zotit” te diçka që po e përjeton aktualisht?

Mendoni se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta vlerësojnë aftësinë e tyre për të mirëbesuar te Zoti gjatë sprovave të tyre. Merreni parasysh t’i renditni pohimet vijuese në tabelë dhe t’u jepni nxënësve kohë për ta vlerësuar veten në heshtje.

Mendo për jetën dhe rrethanat e tua. Çfarë bën kur ti ose ata që ti do përjetojnë përndjekje, sprova ose padrejtësi? Përgjigju për pohimet vijuese me gjithmonë, ndonjëherë ose kurrë.

  1. Unë mirëbesoj në vullnetin dhe kohën e Zotit kur lutem për lehtësim nga sprovat e mia.

  2. Unë kërkoj me besnikëri durim dhe kuptueshmëri kur jeta duket e padrejtë.

  3. Unë e përqendroj besimin tim te Jezu Krishti dhe premtimet e Tij të përjetshme dhe jo në një rezultat të caktuar për të cilin shpresoj.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një këndvështrim që mund të na ndihmojë t’i mirëbesojmë Zotit gjatë sprovave tona.

2:3

“Të gjithë ne morëm pjesë në këshillat e qiellit që siguruan lirinë e zgjedhjes morale, duke e ditur që do të kishte dhembje të jetës së vdekshme e madje tragjedi të tmerrshme për shkak të abuzimit me lirinë e zgjedhjes. Ne e kuptuam se kjo mund të shkaktonte që ne të bëheshim të zemëruar, të hutuar, të pambrojtur dhe të cenueshëm. Por gjithashtu e dinim se Shlyerja e Shpëtimtarit do t’i mposhtte e do të zhdëmtonte të gjitha padrejtësitë e jetës së vdekshme dhe do të na sillte paqe.” (Kuentin L. Kuk, “Paqja Vetjake: Shpërblimi i Drejtësisë”, Liahona, maj 2013, f. 33–34)

  • Çfarë ke mësuar që mund të të ndihmojë kur përjeton vuajtje ose bëhesh i/e vetëdijshëm/me për vuajtjet e të tjerëve?

Sigurohuni që nxënësit ta kuptojnë informacionin vijues si pjesë e diskutimit.

Është e rëndësishme të mbash mend se, nëse lëndohesh ose keqtrajtohesh në ndonjë mënyrë, ti duhet të kërkosh ndihmë nga një prind ose udhëheqës i Kishës në mënyrë që ata të të ndihmojnë ta zgjidhësh problemin. Zoti të do dhe dëshiron që të ndiesh paqe dhe lumturi.

Të vazhduarit me besim dhe mirëbesim te Zoti

Pasi Alma dhe Amuleku u detyruan të dëshmonin djegien e besimtarëve të drejtë, ata u përqeshën, rrahën dhe burgosën nga sundimtarët e Amonihës (shih tek Alma 14:14–17).

Vendosni se si t’i angazhoni më mirë nxënësit në orën tuaj mësimore ndërsa ata i studiojnë vargjet vijuese. Nxënësve mund t’u pëlqejë të lexojnë së bashku ose të dëgjojnë një variant zanor dhe ta ndjekin atë.

Nëse nxënësit mund të marrin dobi nga krahasimi i këtij rrëfimi me jetën e Shpëtimtarit, merreni parasysh të përdorni veprimtarinë plotësuese të të mësuarit “Alma 14:14–24. Ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit”.

Lexo tek Alma 14:18–29, duke kërkuar se si Alma dhe Amuleku mirëbesuan te Zoti gjatë vuajtjes së tyre. Nëse dëshiron, mund edhe të shohësh materialin filmik [“20 – Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” pjesën “Alma dhe Amuleku Çlirohen Mrekullisht nga Burgu” nga kodi kohor 18:26 deri në 20:35, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos].

2:45
  • Si vazhduan Alma dhe Amuleku të mirëbesonin te Zoti gjatë pikëllimeve të tyre?

Kë njeh ti?

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në dyshe dhe t’i ftoni ata të tregojnë për njerëz që njohin, të cilët janë shembuj të mirë të mirëbesimit te Zoti gjatë sprovave. Nxënësit mund të japin edhe ide rreth mënyrës se si ata mund të mirëbesojnë më mirë te Zoti gjatë sprovave të tyre.

Mendo për dikë në jetën tënde i cili ose e cila përpiqet fort t’i mirëbesojë Zotit gjatë sprovave dhe pikëllimeve. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i tij ose i saj? Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet reagimit të këtij personi dhe mënyrës se si Alma dhe Amuleku reaguan ndaj vështirësive?

Shkruaj një ose dy gjëra të veçanta që mund t’i bësh për të besuar më mirë te Zoti kur jeta është e vështirë ose duket e padrejtë. Merre parasysh ta vendosësh atë që shkruan diku ku do ta shohësh shpesh.