Seminari
Alma 15: Fuqia Shëruese e Jezu Krishtit


“Alma 15: Fuqia Shëruese e Jezu Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 15”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 15

Fuqia Shëruese e Jezu Krishtit

Pamja
Zizromi shërohet

Ofrimi i ndihmës ndaj atyre që vuanin, ishte përqendrimi i shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit. Alma dhe Amuleku patën të njëjtin përqendrim pasi u çliruan mrekullisht nga burgu nga dora e Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kesh qasje te fuqia shëruese në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit.

Bëni ftesë për të mësuarit me zell. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se të mësuarit e ungjillit nuk ka për qëllim të jetë një përvojë pasive. Ajo kërkon arsyetim, studim, lutje dhe veprim të kujdesshëm. Mund t’i ndihmoni nxënësit duke krijuar përvoja që do t’i nxitin ata të marrin pjesë në diskutime, të tregojnë përvojat e tyre dhe të bëjnë pyetje.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë idenë për studimin familjar të shkrimeve të shenjta te vargjet Alma 15:1–12 në përvijimin e studimit për “24–30 Qershor. Alma 13–16: ‘Hyni në Prehjen e Zotit’” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2024.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Sëmundja fizike dhe shpirtërore

Ajo që vijon ka për qëllim të ndihmojë që nxënësit të përgatiten të dallojnë simptomat ose ndikimin e mëkatit. Nëse nevojitet, ju mund të zgjidhni gjendje mjekësore që nxënësit i njohin më shumë sesa ato në listë.

Shqyrtoje listën vijuese të gjendjeve mjekësore. Mendo për simptomat e tyre si edhe për ndonjë trajtim të përdorur për t’i shëruar ose kuruar ato.

  • Sëmundje zemre

  • Kancer

  • Thyerje kockash

  • Çfarë do të ndodhte nëse dikush do të trajtonte vetëm simptomat e këtyre gjendjeve pa kërkuar t’i kuptojë problemet themelore?

Kur të paraqitni paragrafin vijues dhe pyetjet e mundshme, mos kërkoni ose lejoni që nxënësit të zbulojnë mëkate vetjake.

Ashtu si sëmundjet fizike, edhe mëkati – ose sëmundja shpirtërore – ka simptoma. Mendo se cilat mund të jenë disa nga simptomat e mëkatit dhe gjej një çast për të menduar rreth gjendjes së shëndetit tënd shpirtëror. Pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë ta bësh këtë.

  • Si mund të ndikojë mëkati në ndjenjat tona për veten tonë dhe në marrëdhënien tonë me të tjerët?

Ndërsa studion, dëgjo për Frymën e Shenjtë që të mëson se si mund të kesh qasje më mirë te fuqia shëruese e Jezu Krishtit për ta përmirësuar mirëqenien tënde shpirtërore.

Gjendja e Zizromit

Pasi u çliruan mrekullisht nga burgu në Amoniha nga dora e Perëndisë, Alma dhe Amuleku udhëtuan drejt Sidomit (shih tek Alma 15:1–2). Ndërkohë që ishin në Sidom, ata u dhanë shërbesë atyre që ishin dëbuar nga Amoniha ngaqë e besuan mesazhin e tyre për Jezu Krishtin. Një person të cilit i dhanë shërbesë ishte Zizromi.

Merreni parasysh ta shpërndani fletushkën vijuese për nxënësit. Ata mund të punojnë së bashku në grupe të vogla, duke përdorur vargjet tek Alma 15:4–12 për të identifikuar cilat ishin simptomat e Zizromit dhe për të përcaktuar recetën që mund ta shëronte atë.

Sëmundja Shpirtërore

Pamja
doctor note

Lexo shkrimet e shenjta të renditura nën “Simptomat”. Nën to, rendit çdo fjalë ose frazë që e përshkruan gjendjen e Zizromit.

  • Si mund ta përshkruaje gjendjen e Zizromit, duke përfshirë mirëqenien e tij shpirtërore?

  • Çfarë mban mend rreth Zizromit që do ta bënte atë të ndihej në këtë mënyrë?

Merreni parasysh ta ftoni një nxënës të tregojë një pjesë të historisë së të kaluarës së Zizromit. Vargjet vijuese mund të ndihmojnë: Alma 10:31; 11:21–22; 12:1, 7–8. Mund të merrni parasysh gjithashtu të tregoni pohimin nga Presidenti Ezra Taft Benson në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

Sëmundja fizike nuk është gjithmonë e lidhur me mëkatin (shih te Gjoni 9:2–3). Vër re ndjenjat e fajit të Zizromit tek Alma 14:6. Ndërkohë që përjetimi i ndjenjës së fajit nuk është i pëlqyeshëm, ai i shërben një qëllimi. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi qëllimin që mund të kenë këto ndjenja. Lexo tekstin më poshtë.

“Të gjithë ne e kemi përjetuar dhembjen që shoqëron një dëmtim apo plagë trupore. Kur kemi dhembje, ne zakonisht kërkojmë lehtësim dhe jemi mirënjohës për ilaçet dhe mjekimet që ndihmojnë për të na e lehtësuar vuajtjen. Konsiderojeni mëkatin si plagë shpirtërore që shkakton ndjenjë faji ose, siç ia përshkroi Alma të birit, Koriantonit, ‘brejtje të ndërgjegjes’ (Alma 42:18). Ndjenja e fajit është për shpirtin tonë ashtu siç është dhembja për trupin tonë – një paralajmërim për rrezikun dhe një mbrojtje nga dëmi shtesë.” (Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44)

  • Sipas Plakut Bednar, cili është një nga qëllimet e ndjenjës së fajit?

  • Si mund ta ndryshojë kjo pikëpamjen ose këndvështrimin tonë të ndjenjës së fajit pas bërjes së një gabimi?

  • Në ç’mënyra mendon se simptomat e Zizromit ishin si “një paralajmërim për rrezikun dhe një mbrojtje nga dëmi shtesë”?

Shërimi nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit

Lexo me kujdes rreth shërimit të Zizromit tek Alma 15:4–12. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik [“20 – Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” pjesën “Zizromi Shërohet dhe Pagëzohet” nga kodi kohor 20:37 deri në fund, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos]. Ndërsa lexon, kushtoju vëmendje hollësive që kontribuan në shërimin e Zizromit. Merre parasysh t’i shkruash shënimet e këtyre hollësive nën pjesën “Receta” të shënimit të mjekut.

  • Cilat parime ose të vërteta mund të mësojmë nga shërimi i Zizromit?

Një parim që mësojmë nga këto vargje është se ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të shërohemi.

  • Çfarë provash pe në këto vargje për Zizromin që ushtron besim te Jezu Krishti si përpara, edhe pasi u shërua?

  • Si mund ta ushtrojmë besimin te Jezu Krishti në të njëjtën mënyrë?

Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi se si ne mund ta ushtrojmë besimin. Lexo tekstin më poshtë.

“Shpëtimtari shpesh quhet Mjeku i Madh dhe ky titull ka kuptim si simbolik, ashtu edhe të drejtpërdrejtë. … Nga Shlyerja e Shpëtimtarit rrjedh balsami qetësues që mund të na i shërojë plagët tona shpirtërore dhe ta largojë ndjenjën e fajit. Sidoqoftë, ky balsam mund të zbatohet vetëm përmes parimeve të besimit [te] Zoti Jezu Krisht, të pendimit dhe bindjes së qëndrueshme. Rezultatet e pendimit të sinqertë janë paqja e ndërgjegjes, ngushëllimi dhe shërimi e përtëritja shpirtërore.” (Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44)

Nxënësit do të duhet të formulojnë disa përgjigje të qarta për pyetjen e parë në përgatitje për veprimtarinë përfundimtare të mësimit. Ndërsa e diskutoni këtë pyetje me klasën, ju mund të doni t’i renditni idetë e nxënësve në tabelë. Ndihmojini ata të krijojnë një larmi idesh.

Dy pyetjet e tjera mund të përdoren si pyetje të ndjekjes së ecurisë si pjesë e këtij diskutimi.

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund të kemi qasje te fuqitë shëruese të Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit?

  • Si mendon, përse “Mjeku i Madh” është një titull i përshtatshëm për Shpëtimtarin? Pse mendon se Ai është në gjendje të na shërojë?

    Nëse nxënësit do të merrnin dobi nga disa shkrime të shenjta që e pohojnë se Krishti ka fuqi për të shëruar, merreni parasysh të jepni disa nga vargjet në vijim: Psalmeve 30:2; 147:3; Isaia 53:5.

  • Kur e ke përjetuar (ose kur e ka përjetuar dikush që ti njeh) shërimin e Shpëtimtarit?

Ndonëse jo të gjithë mund të vuajmë si Zizromi, ne të gjithë kemi probleme dhe përjetojmë vuajtje që Shpëtimtari mund të na ndihmojë t’i kalojmë. Mendo për disa nga pasojat e mëkateve ose gabimeve që adoleshentët mund t’i përjetojnë dhe se si atyre mund t’u nevojitet fuqia shëruese e Shpëtimtarit.

Merreni parasysh t’i renditni idetë e nxënësve në tabelë. Ata mund të punojnë edhe në dyshe ose në grupe të vogla për të diskutuar ide dhe për t’i dhënë ato më pas si klasë.

Përpilo një shënim tjetër mjeku për ta ndihmuar dikë. Lexo tek 3 Nefi 9:13–14 dhe përdore atë që ke mësuar sot për të krijuar një recetë. Mund t’i referohesh kapitullit tek Alma 15. Trego se si Jezu Krishti mund të ndihmojë dhe se si mund të jetë ushtrimi i besimit tek Ai. Sigurohu që ta plotësosh pohimin e paplotë vijues:

  • Nëse dikush ndjen [rendit simptomat e mëkatit] … , atëherë ai ose duhet të kujtohet të [rendit recetën ose ilaçet] …

Kujtojuni nxënësve se ne të gjithë kemi nevojë për Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe shërimin që Ata mund të na japin. Dëshmoni se ushtrimi i besimit dhe besimi te Jezu Krishti do të na ndihmojnë gjithmonë. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që mësuan ose çfarë u bëri përshtypje më shumë nga studimi i tyre sot.

Shtyp në Letër