Seminari
Alma 13: “Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje”


“Alma 13: ‘Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 13”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 13

“Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje”

Pamja
Shpëtimtari

Në këtë jetë, ne kemi shumë shqetësime dhe telashe. Zoti na rri pranë për të na ndihmuar dhe dëshiron që ne të hyjmë në prehjen e Tij. Alma shpjegoi se Zoti shuguroi priftërinj të lartë për të dhënë mësim urdhërimet dhe për të kryer ordinancat në mënyrë që njerëzit të mund të hynin në prehjen e Zotit. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se çfarë do të thotë të hysh në prehjen e Zotit dhe se si ti mund ta bësh këtë.

Ndihma ndaj nxënësve që t’i kuptojnë simbolet që të drejtojnë te Jezu Krishti. Shkrimet e shenjta janë plot me simbole që të drejtojnë te Jezu Krishti. Bëni pyetje për t’i ndihmuar nxënësit t’i dallojnë këto simbole dhe referojuni komenteve profetike kur janë në dispozicion. Diskutoni se çfarë mësimi japin simbolet rreth Shpëtimtarit.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ata janë bekuar nëpërmjet një udhëheqësi të Kishës ose duke marrë pjesë në një ordinancë të ungjillit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Prehja e Zotit

Qëllimi i veprimtarisë vijuese është t’i përgatitë nxënësit që ta kuptojnë prehjen e Zotit. Ju dhe nxënësit mund të tregoni përvoja të përfitimit nga prehja.

  • Kur ka qenë një rast kur ti ke përfituar nga prehja?

Shkrimet e shenjta shpesh flasin për prehjen e Zotit. Prehja e Zotit është “plotësia e lavdisë së tij” (Doktrina e Besëlidhje 84:24). Prehja e Zotit është gjithashtu “të gëzuarit e paqes dhe lirisë nga shqetësimi dhe ngatërresa. Zoti u ka premtuar një prehje të tillë pasuesve të Tij besnikë gjatë kësaj jete. Ai gjithashtu ka përgatitur një vend prehjeje për ta në jetën e ardhshme” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Prehje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Të kesh paqe dhe liri nga shqetësimi dhe ngatërresa nuk do të thotë se jeta do të jetë pa sprova. Lexo te Mateu 11:28–30, duke kërkuar atë që Zoti jep mësim për prehjen e Tij gjatë vështirësive të jetës.

Jepuni nxënësve pak kohë për të reflektuar mbi atë se si mund të përfitojnë nga prehja e Zotit pikërisht tani në jetën e tyre. Ata madje mund t’i shënojnë disa nga mendimet e tyre në ditarin e tyre të studimit.

Mendo për rrethanat e tua aktuale.

  • Si mund të marrësh dobi nga përjetimi i prehjes së Zotit?

Alma i ftoi njerëzit e Amonihës të pendoheshin dhe të mos i ngurtësonin zemrat e tyre në mënyrë që të merrnin falje dhe të hynin në prehjen e Zotit (shih tek Alma 12:33–37). Ndërsa studion tek Alma 13, kërko atë që Zoti ka siguruar për të të ndihmuar të hysh në prehjen e Tij në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë.

Merreni parasysh ta ndani klasën në gjysmë, duke i caktuar njërës gjysmë të studiojë vargjet tek Alma 13:1–2, 6 rreth udhëheqësve të priftërisë dhe gjysmës tjetër të studiojë vargjet tek Alma 13:16 rreth ordinancave të priftërisë. Kjo mund t’i ndihmojë nxënësit t’i përcaktojnë shpejt dy parimet dhe t’i renditin ato në tabelë përpara se t’i diskutoni si klasë. Një qasje tjetër është të përgatitni përmbajtjen nga çdo parim që nxënësit ta studiojnë në dyshe ose në grupe përpara se t’ua paraqesin njohurinë e tyre nxënësve të tjerë. Kjo mund të lërë kohë për të diskutuar vargjet tek Alma 13:27–30 më vonë në mësim.

Udhëheqësit e priftërisë na ndihmojnë të hyjmë në prehjen e Zotit

Populli i Amonihës e konsideronte veten se ishte “i urdhrit dhe besimit të Nehorit” (Alma 14:16). Për këtë arsye, ata besuan se mund të shpëtoheshin pa Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe e zëvendësuan priftërinë me një urdhër të rremë që Alma e quajti “intriga e priftërinjve” (shih tek Alma 1:3–4, 12, 16). Për t’i korrigjuar bindjet e tyre të rreme, Alma u dha mësim atyre se si “Zoti Perëndi shuguroi priftërinj sipas urdhrit të tij të shenjtë” (Alma 13:1).

Lexo tek Alma 13:1–2, 6, duke kërkuar arsyen përse Zoti shuguron udhëheqës të priftërisë.

  • Cilat janë disa arsye përse Zoti thërret udhëheqës të priftërisë?

Nga këto vargje ne mësojmë se Shpëtimtari thërret udhëheqës priftërie për të na ndihmuar të shohim tek Ai për shëlbim dhe për të na dhënë mësim urdhërimet e Tij në mënyrë që të hyjmë në prehjen e Tij.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Për shkak të [flijimit të] Tij shlyese, Jezu Krishti ka fuqinë dhe autoritetin për ta shëlbuar të gjithë njerëzimin. Për ta bërë të përdorshme fuqinë e Tij shlyese, Ai ia ka deleguar një pjesë të fuqisë dhe autoritetit të Tij burrave në tokë. Kjo fuqi dhe ky autoritet i deleguar quhet priftëri.” (Dejll G. Renland, “Priftëria dhe Fuqia Shlyese e Shpëtimtarit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 64)

  • Çfarë të ndihmon ky citim të kuptosh rreth arsyes përse Perëndia vazhdon të thërrasë njerëz për të mbajtur priftërinë në kohën tonë?

Priftërinjtë e lartë për të cilët Alma foli ishin “të thirrur dhe të përgatitur, që nga krijimi i botës … për shkak të besimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe të veprave të mira” (Alma 13:3). Në të njëjtën kohë, të tjerët “nuk pranonin Shpirtin e Perëndisë për shkak të ngurtësisë së zemrave të tyre” (Alma 13:4).

Udhëheqës të tjerë të Kishës, si udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe udhëheqësit e Shkollës të së Dielës shërbejnë me autoritet të deleguar priftërie. Duke shërbyer krah udhëheqësve të priftërisë, ata dhe ato ndihmojnë për t’i udhërrëfyer individët dhe familjet që të vijnë te Krishti.

Për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese, nxënësit mund të krijojnë një listë si klasë ose të përgjigjen në grupe të vogla. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh ta ftoni një udhëheqës/e vendor/e të Kishës të vijë në klasë dhe të tregojë atë që ai ose ajo bën për t’i ndihmuar të tjerët të shohin te Jezu Krishti.

  • Cilat janë disa mënyra se si udhëheqësit e Kishës na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti dhe të hyjmë në prehjen e Tij?

Ordinancat e priftërisë na ndihmojnë të hyjmë në prehjen e Zotit

Alma përmendi shembujt e drejtë të priftërinjve të lartë dhe mënyrën se si ata “u shenjtëruan” (Alma 13:11) dhe “u bënë të kulluar dhe pa njollë para Perëndisë” (Alma 13:12). Më pas, Alma përmendi në mënyrë të veçantë Melkizedekun si një shembull të një udhëheqësi të drejtë priftërie. Vër re se populli i Melkizedekut në fillim ishte i lig si populli i Amonihës (shih tek Alma 8:9; 13:17).

Lexo tek Alma 13:14–19, duke kërkuar mënyrën se si Melkizedeku i shërbeu popullit të tij.

  • Çfarë ngjashmërish vëren ndërmjet Melkizedekut dhe Jezu Krishtit?

  • Sipas vargut 16, cili është njëri qëllim i ordinancave të priftërisë?

Nga vargu 16 ne mësojmë se ordinancat e priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti për heqjen e mëkateve që të mund të hyjmë në prehjen e Tij.

Mund të jetë e dobishme të paraqitni figura të kryerjes së ordinancave të ndryshme të priftërisë dhe të diskutoni se si ato na ndihmojnë “të pr[esim] me padurim Birin e Perëndisë” (Alma 13:16). Ndihmojini nxënësit të reflektojnë për pjesëmarrjen e tyre në ordinanca dhe mënyrën se si e kanë ndier prehjen e Shpëtimtarit.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se si disa ordinanca të priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti. Lexo tekstin më poshtë.

“Ordinancat thelbësore të ungjillit simbolizojnë Shlyerjen. Pagëzimi me anë të zhytjes simbolizon vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Shëlbuesit. Marrja e sakramentit përtërin besëlidhjet e pagëzimit dhe ripërtërin gjithashtu kujtimin tonë të mishit të shpuar të Shpëtimtarit dhe të gjakut që Ai derdhi për ne. Ordinancat e tempullit simbolizojnë pajtimin tonë me Zotin dhe i vulosin familjet së bashku përgjithmonë.” (Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35)

  • Çfarë mësove nga Presidenti Nelson rreth ordinancave të priftërisë?

  • Kur je ndier pranë Shpëtimtarit duke marrë pjesë në një ordinancë priftërie?

Që të mund të hyni në prehjen e Tij

Ashtu si priftërinjtë e përshkruar tek Alma 13:1–19, Alma kërkoi me zell ta ndihmonte popullin të përgatitej për të hyrë në prehjen e Zotit. Ai u kujtoi atyre se Zoti do të vinte së shpejti (shih tek Alma 13:21–26). Alma dëshiroi me “padurim të madh madje deri në dhembje, që ju t’i dëgjoni fjalët [e tij]” (Alma 13:27).

Lexo tek Alma 13:27–30, duke kërkuar se çfarë i ftoi Alma njerëzit të bënin.

  • Cilat prej ftesave të Almës (zgjidh një ftesë të caktuar) mendon se mund të na ndihmojë të hyjmë në prehjen e Zotit?

    Mund t’i ftoni nxënësit edhe të bëjnë çdo pyetje që mund të kenë rreth mësimeve të Almës dhe të punojnë së bashku si një klasë për t’u dhënë përgjigje atyre.

    Pyetja vijuese është menduar për reflektim vetjak. Ftojini nxënësit të veprojnë sipas ftesës që e ndiejnë se mund t’i ndihmojë ata më shumë dhe të kërkojnë se si bërja e kësaj do t’i ndihmojë ata të marrin prehjen e Zotit.

  • Çfarë ke mësuar nga Alma 13 që mund të të ndihmojë tani në jetën tënde?

Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të dish atë që mund të bësh për ta zbatuar atë që ke mësuar për të hyrë në prehjen e Zotit.

Përfytyro sikur je duke folur me një shok ose shoqe që është i/e shqetësuar për një problem me të cilin ai ose ajo po përballet. Çfarë do t’i tregoje shokut ose shoqes tënde nga studimi yt i kapitullit tek Alma 13 për ta ndihmuar atë të hyjë në prehjen e Zotit? Përfshi të paktën një varg nga Alma 13 në përgjigjen tënde.

Shtyp në Letër