“Alma 30:1–29: Mësimet e Korihorit i Largojnë Shumë Vetë nga Shpëtimtari”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 30:1–29”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 30:1–29
Mësimet e Korihorit i Largojnë Shumë Vetë nga Shpëtimtari
Një njeri i lig, i quajtur Korihor, erdhi mes nefitëve. Ai predikoi kundër profecive rreth Jezu Krishtit dhe i largoi zemrat e shumë njerëzve nga Perëndia. Në kohën e sotme, ka shumë zëra që kërkojnë të na largojnë nga Jezu Krishti. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i dallosh dhe refuzosh mësimet që mund të të largojnë nga Jezu Krishti.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mashtrimi i Satanit
Një maka-feke është një karrem për oktapodët. Karremat për oktapodët janë krijuar për t’u dukur shumë të ngjashëm me një ushqim të vërtetë të cilin një oktapod i mashtruar nuk do të pranojë ta lëshojë pasi ta mbërthejë. Kur ndodh kjo, peshkatari mund ta hedhë me lehtësi oktapodin në varkën e tij.
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) e përdori shembullin e një maka-feke për të dhënë mësim rreth mënyrës se si punon Satani.
“Sot jemi të rrethuar nga maka‑feke që i ligu i tund përpara nesh dhe me të cilat përpiqet të na joshë e më pas të na zërë në kurth. Kur mbërthehen, të tilla maka‑feke janë tepër të vështira – e ndonjëherë pothuajse të pamundura – për t’u lëshuar. Për të qenë të sigurt ne duhet t’i shohim ato ashtu siç janë në të vërtetë dhe më pas të jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për t’i shmangur ato.” (Thomas S. Monson, “True to the Faith”, Liahona, maj 2006, f. 18)
-
Sa i sigurt ndihesh në aftësinë tënde për t’i dalluar mësimet e rreme të Satanit që mund të të “josh[in]” dhe “zë[n]ë në kurth”?
Shmangia e gjërave që na largojnë nga Shpëtimtari
Pas një beteje të madhe midis nefitëve dhe lamanitëve, paqe u vendos në tokë. Rreth dy vite më pas, një njeri i quajtur Korihor filloi t’i predikonte popullit në Zarahemlë. Satani i tha Korihorit se çfarë të thoshte (shih tek Alma 30:53). Ndërsa studion sot, vëre re se si Korihori i përdori fjalët dhe mësimet e tij të rreme si një maka-feke për t’i zënë njerëzit në kurth.
Lexo tek Alma 30:6, 12, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë mesazhin dhe misionin e Korihorit.
-
Çfarë mendon se do të thotë që ai ishte “Antikrisht”? (Alma 30:6.)
Fjala antikrisht do të thotë “dikush ose diçka që falsifikon planin e vërtetë të ungjillit për shpëtimin dhe që haptazi apo fshehurazi kundërshton Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ndodhia e Korihorit është se Satani përdor mësime të rreme për të na larguar nga Jezu Krishti.
Mësimet antikrisht të Korihorit
Lexo tek Alma 30:12–18, duke kërkuar mësimet e rreme të Korihorit. Merre parasysh t’i shenjosh mësimet e Korihorit në një mënyrë që i ndan ato (për shembull, me një ngjyrë ose simbol unik) ose t’i shkruash në ditarin tënd të studimit.
-
Cilat ishin disa nga mësimet e rreme të Korihorit?
-
Si mund t’i riformuloje mësimet e Korihorit duke përdorur gjuhë më të zakonshme në kohën tonë?
-
Duke përdorur një shkallë nga 1 deri në 10 (ku 10 është më e forta), sa fort i sheh të nxiten mësimet e Korihorit sot?
-
Çfarë kanë këto mësime që do t’i largonin njerëzit nga Jezu Krishti? Përse këto ide janë të rrezikshme?
Kërko udhërrëfimin e Shpirtit dhe reflekto mbi ndikimin e mësimeve të Korihorit në jetën tënde. Merri parasysh mënyrat se si ndonjë nga këto mësime të rreme mund të ndikojë tek ti personalisht.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth Korihorit dhe mësimeve të tij.
“[Njerëzit si] Korihori … mohojnë madje ekzistencën e Krishtit dhe çfarëdo gjëje të tillë si mëkati. Doktrina e tyre është se vlerat, standardet dhe madje e vërteta janë të gjitha relative. Si rrjedhojë, çfarëdo që dikush mendon se është e drejtë për të, nuk mund të gjykohet prej të tjerëve e gabuar ose mëkatare.
Në [pamje të parë] filozofi të tilla duken tërheqëse, ngaqë ato na japin lejë për të kënaqur çdo oreks ose dëshirë pavarësisht nga pasojat.” (D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Liahona, nëntor 2011, f. 38)
-
Si mendon se këto mësime mund t’i shtyjnë njerëzit të kryejnë mëkat? (Shih te vargu 18.)
Lexo tek Alma 30:19–21, duke kërkuar se si populli i Jershonit dhe Gideonit iu përgjigjën mësimeve të Korihorit.
Përse mendon se përgjigjja e tyre ishte “më [e] zgjuar” (Alma 30:20) se ajo e popullit të Zarahemlës? (Shih tek Alma 30:18.)
-
Si mund të jemi “më të zgjuar” dhe t’i refuzojmë mesazhet antikrisht?
-
Si mund të ndikojë njohuria jote rreth Shpëtimtarit dhe marrëdhënia jote me Të në masën e ndikimit që kanë tek ti këto mësime antikrisht?
Reflekto mbi atë që ke mësuar dhe ndier nga studimi yt. Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të përqendrohesh te Jezu Krishti dhe t’i refuzosh mësimet që do të të largonin prej Tij.