“Alma 40: Bota e Shpirtrave dhe Ringjallja”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 40”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 40
Bota e Shpirtrave dhe Ringjallja
Pasi i ati e ftoi të pendohej, Koriantoni pati disa pyetje rreth planit të Perëndisë, duke përfshirë atë që na ndodh pasi vdesim. Ati i tij, Alma, iu përgjigj pyetjeve të tij dhe dëshmoi për rolin qendror të Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor. Ky mësim mund të të ndihmojë ta thellosh vlerësimin tënd për atë që Shpëtimtari ka bërë për ty dhe do të të japë mundësinë të shpjegosh se çfarë ndodh pasi vdesim.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pyetjet
Motra Reina I. Aburto, këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tregoi një përvojë vetjake që i ilustron pyetjet që mund të kemi rreth asaj se çfarë ndodh pasi vdesim. Shikoje materialin filmik “Varri Nuk Ka Fitore”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 4:21 deri në 5:13, ose lexoje thënien vijuese:
“Kur isha nëntë vjeçe, humba vëllanë tim më të madh gjatë një tërmeti shkatërrues. Për shkak se ai ndodhi papritur, m’u desh njëfarë kohe që ta kuptoja realitetin e asaj që kishte ndodhur. Isha zemërthyer nga hidhërimi dhe e pyesja veten: ‘Çfarë i ndodhi vëllait tim? Ku është ai? Ku shkoi ai? A do ta shoh vallë sërish?’
Në atë kohë, ende nuk dija gjë rreth planit të Perëndisë për shpëtimin dhe kisha dëshirën ta dija se nga erdhëm, cili është qëllimi i jetës dhe çfarë na ndodh pasi vdesim. A nuk i kemi të gjithë këto dëshira të shpirtit kur humbasim një njeri të dashur ose kur kalojmë vështirësi në jetën tonë?” (Reina I. Aburto, “Varri Nuk Ka Fitore”, Liahona, maj 2021, f. 86)
I biri i Almës, Koriantoni, pati gjithashtu shqetësime rreth jetës pas vdekjes.
Lexo tek Alma 40:1, duke kërkuar se çfarë e shqetësonte Koriantonin.
-
Si mendon, pse mund të jetë shqetësuar ai për këtë?
Kujto që Koriantoni i kishte shkelur urdhërimet e Perëndisë, duke përfshirë ligjin e dëlirësisë. Për shkak të zgjedhjeve të tij, ai mund të jetë shqetësuar për gjendjen e tij pas kësaj jete. Për të trajtuar shqetësimet e Koriantonit dhe për ta ndihmuar atë të pendohej, Alma i dha mësim doktrinën. Përgjigjja e Almës për shqetësimet e Koriantonit mund të ndihmojë edhe dikë që ka pyetje si Motra Aburto.
Motra Aburto mori më pas mësimet nga misionarët që e ndihmuan të gjente përgjigje për pyetjet e saj. Përfytyro sikur je një nga ata misionarë dhe po përgatitesh për t’i dhënë mësim asaj. Përdori burimet vijuese për të përgatitur një shpjegim të shkurtër për të ndihmuar të jepen përgjigje për pyetjet e Motrës Aburto.
-
Përse është e rëndësishme për ty ajo që mësove rreth botës së shpirtrave dhe ringjalljes?
-
Si ndikon kjo njohuri te ndjenjat e tua kundrejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Cilat janë disa pyetje që pate që e morën përgjigjen sot?
-
Për çfarë pyetjesh dëshiron të vazhdosh të kërkosh përgjigje?