Seminari
Alma 41: Jezu Krishti i Rivendos të Gjitha Gjërat


“Alma 41: Jezu Krishti i Rivendos të Gjitha Gjërat”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 41”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 41

Jezu Krishti i Rivendos të Gjitha Gjërat

adoleshentë të lumtur

Pasi i dha mësim Koriantonit për rreziqet e mëkateve të tij, Alma punoi për t’i korrigjuar mësimet e rreme. Ai i dha mësim Koriantonit të vërteta të rëndësishme për ta ndihmuar ta kuptonte planin e Atit Qiellor për rivendosjen dhe për ta ndihmuar të pendohej. Ky mësim do të të ndihmojë të kuptosh se si ligësia nuk mund të çojë në lumturi.

Jepini mësim shkrimet e shenjta në mënyra që e ndërtojnë besimin te Jezu Krishti. Një qëllim i shkrimeve të shenjta është të na ndihmojnë t’i afrohemi më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit (shihni te 1 Nefi 6:4). Gjeni kohë për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si individët në shkrimet e shenjta u bekuan nga fuqia, mëshira dhe dashuria e Perëndisë. Nxitini nxënësit të dallojnë bekime të ngjashme në jetën e tyre ndërsa e ushtrojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj se si bindja ndaj urdhërimeve u ka sjellë lumturi dhe i ndihmon të ndihen të përgatitur për të takuar Shpëtimtarin dhe Atin Qiellor pas kësaj jete.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Bindjet rreth jetës pas vdekjes

Sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të mendojnë rreth pasojave të përjetshme të zgjedhjeve të tyre. Merreni parasysh të ndaloni pas çdo thënieje që t’i lejoni nxënësit të përgjigjen.

Mendo se si veprimet e tua mund të ndikohen po të besoje në secilën prej thënieve të pasakta në vijim:

Nuk ka jetë pas vdekjes.

Pasi të vdesim, ne do të ekzaltohemi pavarësisht nga punët tona në tokë.

  • Përse është e rëndësishme të kemi një kuptueshmëri të saktë të asaj që do të na ndodhë pasi të vdesim?

  • Çfarë di ti rreth jetës pas vdekjes që ndikon në veprimet e tua këtu dhe tani?

Kuptimi i rivendosjes

Kujto që Alma po i jepte mësim birit të tij, Koriantonit, i cili kishte kryer mëkate të rënda (shih tek Alma 39) dhe kishte pyetje rreth ungjillit. Tek Alma 41 ne mësojmë se Koriantoni u pështjellua nga mësimet e njerëzve që ishin larguar nga ungjilli i Jezu Krishtit.

Lexo tek Alma 41:1, duke kërkuar atë që nuk kuptoi Koriantoni. (Në mësimet e Almës, fjala rivendosje i referohet sjelljes ose vendosjes së një gjëje sërish në gjendjen e vet fillestare. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të dish se të shtrembërosh shkrimet e shenjta do të thotë ta përdredhësh, ta prishësh ose ta ndryshosh kuptimin e tyre.)

  • Çfarë nuk kuptoni Koriantoni?

Për ta ndihmuar Koriantonin të pendohej, Alma i dha mësim doktrinën e vërtetë. Ai e dinte se “doktrina e vërtetë, kur kuptohet, i ndryshon qëndrimet dhe sjelljen” (Boyd K. Packer, “Do Not Fear”, Liahona, maj 2004, f. 79). Të kuptuarit e doktrinës së rivendosjes na ndihmon të kuptojmë arsyen përse zgjedhjet që bëjmë në këtë jetë janë kaq të rëndësishme.

Merreni parasysh t’i lexoni vargjet 2–9 si klasë dhe të ndaloni hera-herës për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë atë që lexojnë. Pasi të lexoni, mund të jetë e dobishme ta vlerësoni atë që nxënësit kuptojnë rreth rivendosjes që iu referua Alma. Merreni parasysh ta shkruani fjalën rivendosje në tabelë dhe ta ftoni klasën të krijojë dhe përpunojë një përkufizim ndërkohë që e studion këtë mësim.

Lexo tek Alma 41:2–9 për të parë atë që dha mësim Alma për të trajtuar shqetësimin e Koriantonit.

  • Në çfarë do të rivendosemi pasi të vdesim?

  • Sipas Almës, si bëhet e mundur kjo rivendosje?

  • Si mund ta nxitë kjo njohuri për rivendosjen dikë si Koriantoni që të kthehet në shtegun e besëlidhjeve?

“Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”

Lexo tek Alma 41:10, duke kërkuar atë që Alma dha mësim rreth rivendosjes, ligësisë dhe lumturisë.

  • Çfarë keqkuptimi korrigjoi Alma për Koriantonin?

Nga Alma 41:10, ne mësojmë se ligësia nuk ka qenë kurrë lumturi.

  • Ndërsa i merr parasysh mësimet e Almës rreth ligjit të rivendosjes, pse mendon se është e vërtetë fraza që “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”?

Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se disa njerëz mendojnë se mund të kthehen që të banojnë me Perëndinë pa marrë përgjegjësi vetjake për veprimet e tyre. Ata mund të thonë se zgjedhjet e tyre mëkatare janë zbavitëse. Ndonjëherë ata që zgjedhin mëkatin mund të duken madje sikur janë të lumtur.

Të kuptuarit e natyrës së Perëndisë

Plani i Perëndisë për rivendosjen është më shumë se thjesht një plan për ne që të jetojmë përsëri. Është një plan për të na ndihmuar të bëhemi si Ai dhe ta përjetojmë lumturinë e Tij.

Lexo tek Alma 41:11, duke kërkuar arsyen përse është e pamundur që të jemi me të vërtetë të lumtur kur bëjmë zgjedhje të gabuara. Mund të jetë e dobishme të dish se “vreri [i] hidhësisë” (vargu 11) do të thotë të përjetosh hidhërim ekstrem ose shqetësim emocional të madh si rezultat i mëkatit.

  • Çfarë ndryshimesh ke parë ndërmjet lumturisë që ofron Perëndia dhe lumturisë së botës?

  • Cilat janë idetë e rreme që sheh të nxiten, që nuk sjellin lumturi, edhe nëse janë tunduese?

Plaku Markus B. Nash, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi marrëdhënien ndërmjet natyrës së Perëndisë dhe lumturisë:

2:3

“Vini re se të jesh ‘pa Perëndinë në botë’ – me fjalë të tjera, të refuzosh t[a] jetosh ungjillin e [T]ij dhe si pasojë t[ë mos kesh] shoqërimin e Shpirtit – do të thotë të jesh në një gjendje të kundërt me natyrën e lumturisë. Ungjilli i Jezu Krishtit është në fakt – vini re se është në njëjës, domethënë se është i vetmi – ‘plan [i] madh [i] lumturisë’ (Alma 42:8). Nëse zgjidhni ndonjë mënyrë tjetër jetese ose përpiqeni të jetoni vetëm pjesët e ungjillit që duken të volitshme, një zgjedhje e tillë nuk do t’ju lejojë të merrni gëzimin dhe lumturinë e plotë, plot shkëlqim për të cilën u krijuat nga Ati ynë i dashur në Qiell dhe Biri i Tij.” (Markus B. Nash, “Plani i Madh i Lumturisë”, Liahona, nëntor 2006, f. 49; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 69–70)

Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë se natyra e Atit Qiellor është lumturia dhe se ne mund të përjetojmë lumturi të vërtetë ndërsa përpiqemi të bëhemi si Ai.

Një mënyrë për ta dhënë mësim këtë është të shkruani fjalët Lumturi dhe Mjerim në tabelë. Ftojini nxënësit t’i shkruajnë karakteristikat e Atit Qiellor poshtë fjalës Lumturi dhe të shpjegojnë se përse këto karakteristika çojnë në lumturi. Për shembull, mund të diskutoni se si shenjtëria, durimi ose zelli më i madh çojnë në lumturi më të madhe. Nxënësit mund të shkruajnë më pas veprimet dhe karakteristikat që çojnë në mjerim dhe të shpjegojnë se si ato janë të kundërta me karakterin e Perëndisë.

Për të të ndihmuar të shohësh se si natyra e Perëndisë është lumturia, bëj një listë të disa prej karakteristikave ose cilësive të Tij. Pasi të kesh bërë një listë, mendo se si këto karakteristika sjellin lumturi për Atin Qiellor dhe të tjerët. Për shembull, Perëndia është i mëshirshëm. Për shkak se Perëndia është i mëshirshëm, Ai mund të gjejë gëzim në shpirtrat që pendohen dhe t’ua japë gëzimin e faljes të tjerëve (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:13). Zgjidh të paktën një karakteristikë ose urdhërim të Perëndisë dhe përshkruaje se si të jetuarit me atë karakteristikë ose zbatimi i atij urdhërimi mund të sjellë lumturi.

Të qenit të rivendosur në të mirën

Koriantoni mendoi se mund të jetonte një jetë me ligësi dhe të ringjallej gjithsesi në lavdi. Sipas ligjit të Perëndisë, kjo nuk mund të ndodhte (shih te Galatasve 6:7–8). Alma e korrigjoi Koriantonin dhe e ftoi atë të fillonte të ndërmerrte hapat për t’u kthyer te Perëndia dhe te lumturia përfundimtare. Lexo tek Alma 41:12–15, duke kërkuar se si e nxiti Alma Koriantonin të jetonte në mënyrë që të rivendosej në mirësi dhe lumturi.

  • Nga ajo që lexon, çfarë mund të “dërgo[jë] jashtë” një person nëse do të donte që lumturia më e madhe “t[’i] rikthehet përsëri”? (Alma 41:15.)

  • Kur ke përjetuar lumturi të vërtetë nga të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit?

Ajo sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të veprojnë sipas mbresave që kanë pasur.

Mendo rreth asaj që ke mësuar tek Alma 41 dhe dëshirës tënde për të qenë i lumtur. Pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë të bësh një plan për të gjetur lumturi më të madhe:

  • Cila është një gjë që mund të filloj ta bëj, që mund të më ndihmojë të jem i lumtur dhe të rivendosem në të mirën?

  • Cila është një gjë që mund të ndaloj së bëri, që mund të më ndihmojë të jem i lumtur dhe të rivendosem në të mirën?

Ftoje Frymën e Shenjtë t’i udhëheqë mendimet dhe ndjenjat e tua. Merre parasysh t’i mbash shënim mbresat e tua në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e shenjta ku mund t’i shqyrtosh. Bëj një plan veprimi, duke përfshirë kohën kur do të fillosh dhe mënyrën se si do ta matësh ecurinë tënde.