Seminari
Alma 42, Pjesa 2: “Mëshira Kërkon të Penduarin”


“Alma 42, Pjesa 2: ‘Mëshira Kërkon të Penduarin’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 42, Pjesa 2”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 42, Pjesa 2

“Mëshira Kërkon të Penduarin”

pikturë e Jezu Krishtit duke zgjatur dorën e mëshirës

Për ta ndihmuar birin e tij, Koriantonin, të pendohej, Alma i dha mësim atij rreth drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë dhe se si “askush, përveç të penduarve të vërtetë, nuk shpëton” (Alma 42:24). Kur e kuptojmë planin e mëshirës të Atit Qiellor, ne jemi më të prirur të pendohemi. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se si Shlyerja e Jezu Krishtit të lejon ta marrësh mëshirën e premtuar në planin e Atit Qiellor.

Ftojini nxënësit të dëshmojnë për Jezu Krishtin. Zemrat e nxënësve do të ndryshojnë ndërsa kalojnë nga biseda e thjeshtë rreth Jezu Krishtit në dhënien e dëshmisë për Të si Shëlbuesi i tyre vetjak që kanë arritur ta njohin, duan dhe mirëbesojnë. Kërkoni mënyra të efektshme për t’i ftuar nxënësit t’ia japin njëri-tjetrit dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të gjejnë në shkrimet e shenjta një shembull të një personi ose grupi njerëzish që treguan pendim të sinqertë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ligji zbaton ndëshkimin

Ajo sa vijon ka për qëllim t’ju ndihmojë ta vlerësoni kuptueshmërinë e nxënësve për drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë. Sipas nevojës, shqyrtojini përkufizimet e drejtësisë dhe mëshirës nga mësimi “Alma 42, Pjesa 1”.

  • Cilat janë disa rrethana në të cilat drejtësia është e dëshirueshme? Po mëshira?

Ne jemi të gjithë të bekuar për shkak se Ati Qiellor është edhe i drejtë, edhe i mëshirshëm. Për shkak të planit të Atit Qiellor, ne të gjithë do të kthehemi në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar (shih tek Alma 42:23). Në gjendjen e tij mëkatare, Koriantoni nuk ishte i përgatitur për gjykim. Alma shpresonte se duke i mësuar Koriantonit rreth planit të Atit Qiellor, ajo do ta shtynte Koriantonin të pendohej dhe t’i shërbente Perëndisë. Ndërsa studion kapitullin tek Alma 42, kërko se çfarë e mësoi Alma Koriantonit se mund të bënte për të marrë mëshirën e Perëndisë.

Nxënësit mund të përfitojnë nga diskutimi i ligjeve të ndryshme në shoqëri, se si shoqëria përfiton kur zbatohet ligji dhe përse është e rëndësishme të ketë pasoja për shkeljen e ligjit. Kjo mund t’i përgatitë nxënësit të lexojnë vargjet tek Alma 42:17–21.

Ashtu si ligjet luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri, ato janë një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor.

Lexo tek Alma 42:17–21, duke kërkuar disa nga qëllimet e ligjit në planin e Atit Qiellor (shih edhe te 2 Nefi 2:13).

  • Çfarë mësove rreth ligjit në planin e Atit Qiellor?

Vizatoni në tabelë një peshore të ngjashme me atë në vijim. Merreni parasysh ta përdorni vizatimin për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë marrëdhënien ndërmjet drejtësisë, ligjit dhe mëshirës. Nxitini nxënësit të bëjnë pyetje gjatë gjithë mësimit.

Ndërsa nxënësit kanë pyetje, mund të jetë e dobishme të jepni një ose më shumë thënie nga pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

skica e një peshoreje

Emërtoje peshoren “Drejtësia”.

Sipas ligjit të drejtësisë, ne përballemi me pasoja për veprimet tona. Ne marrim bekime kur i bindemi ligjit dhe ndëshkim kur e shkelim ligjin.

Emërtoje njërën anë të peshores “shkelja e ligjit” dhe anën tjetër “ndëshkimi i mbajtur nga mëkatari”.

Nëse e shkelim një ligj, peshorja e humbet ekuilibrin. Drejtësia kërkon që peshorja të jetë e ekuilibruar. Nevojitet një pagesë (ose ndëshkim) që të ekuilibrohet peshorja (shih tek Alma 42:22).

  • Çfarë do të na ndodhte nëse peshorja e drejtësisë do të mund të ekuilibrohej vetëm nga ndëshkimi ynë?

Ndëshkimi për mëkatin është vdekja shpirtërore, “përjasht[imi] nga prania e Zotit” (Alma 42:11).

Mëshira kërkon ata që pendohen

Për shkak se Perëndia është “një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm” (Alma 42:15), Ai përgatiti një plan që ne të mund të marrim mëshirë kur mëkatojmë.

Lexo tek Alma 42:15, 22–25, duke kërkuar atë që siguroi plani i Atit Qiellor për ta ekuilibruar peshoren e drejtësisë.

Rregullojini etiketat e peshores në tabelë sipas udhëzimeve vijuese.

Vëri kryqin ose fshije fjalën mëkatari nga peshorja e drejtësisë dhe zëvendësoje atë me Shpëtimtari.

Për t’i ndihmuar nxënësit të përqendrohen te Jezu Krishti dhe të kenë një diskutim kuptimplotë, merreni parasysh t’i lexoni disa ose të gjitha shkrimet e shenjta vijuese të renditura në kllapa. Diskutoni se si fragmentet e sugjeruara ndihmojnë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve.

Një parim që mësojmë është se nëse jemi me të vërtetë të penduar, ne do të marrim mëshirë nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Për ta kuptuar se çfarë do të thotë të jesh “me të vërtetë [i] penduar”, nxënësit mund të lexojnë disa nga shkrimet e shenjta të sugjeruara më poshtë. Ata mund të kujtojnë gjithashtu përgatitjen e nxënësve dhe të japin shembuj nga shkrimet e shenjta të individëve që ishin me të vërtetë të penduar.

I penduar do të thotë të jesh i përulur dhe të shprehësh pikëllim për mëkatin (shih te 2 Korintasve 7:10; 2 Nefi 2:7; Mosia 4:10)

  • Si mendon, pse shpëtohen vetëm të penduarit me të vërtetë?

Përfytyro sikur je Koriantoni dhe nuk je penduar ende për të gjitha mëkatet e tua. Lexo tek Alma 42:26–30, duke kërkuar fjalë ose fraza që do të të jepnin shtysë të pendoheshe.

  • Cilat fjalë ose fraza mund të të japin shtysë të pendohesh? Përse?

Pasi i dha mësim Koriantonit rreth planit të Atit Qiellor (shih tek Alma 40–42), Alma i kujtoi Koriantonit se ai ishte “thirrur nga Perëndia të predikonte fjalën” që të “s[illte] shpirtra në pendim” (Alma 42:31). Koriantoni u pendua për mëkatet e tij dhe e përmbushi thirrjen e tij (shih tek Alma 49:30).

Reflekto për nevojën tënde për t’u penduar dhe mendo për mënyrën se si mund të jesh me të vërtetë i penduar. Mbaje mend se Ati Qiellor do të të falë kur pendohesh (shih te Mosia 26:30; Isaia 1:18).

Shkruaj tri ose katër fjali që e shpjegojnë rolin e Shlyerjes së Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor. Përfshiji rolet e drejtësisë dhe të mëshirës dhe atë që duhet të bëjmë për të marrë mëshirë. Mbaje shënim çdo ndjenjë që dëshiron të shprehësh rreth Shpëtimtarit.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të ecin nëpër dhomë dhe t’ia shpjegojnë rolin e Shlyerjes së Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor shokëve të ndryshëm të klasës. Nxitini ata të diskutojnë për drejtësinë dhe mëshirën, rëndësinë e të qenit me të vërtetë i penduar dhe se si Jezu Krishti e bën të mundur mëshirën.

Një mundësi tjetër është t’u drejtoheni sërish skenarëve që përdoren në fillim të mësimit “Alma 42, Pjesa 1”. Ftojini nxënësit t’u përgjigjen atyre skenarëve duke e përdorur atë që mësuan në studimin e tyre të kapitullit tek Alma 42.

Jepni dëshminë tuaj për mëshirën dhe shëlbimin në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.