“Alma 42, Pjesa 1: ‘Një Perëndi i Përsosur, i Drejtë dhe Gjithashtu një Perëndi i Mëshirshëm’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 42, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 42, Pjesa 1
“Një Perëndi i Përsosur, i Drejtë dhe Gjithashtu një Perëndi i Mëshirshëm”
Të jetuarit në një botë të rënë me këndvështrimin tonë të kufizuar, të vdekshëm mund ta bëjë të vështirë ta kuptojmë natyrën e plotë dhe të përsosur të Atit tonë Qiellor dhe planin e Tij. Edhe Koriantoni e pati të vështirë ta kuptonte realitetin e drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë. Alma e ndihmoi ta zgjeronte këndvështrimin e tij për Atin tonë të dashur Qiellor dhe planin e Tij për ne. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh më mirë natyrën e Atit Qiellor si një qenie edhe e drejtë, edhe e mëshirshme.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Drejtësia dhe mëshira e Perëndisë
Lexoji skenarët vijues:
-
Gimi po bën zgjedhje për t’i shkelur urdhërimet e Perëndisë. Në fillim ai u ndje pak fajtor, por vendosi se, nëse Ati Qiellor i do fëmijët e Tij kaq shumë, Ai nuk do ta ndëshkonte atë për mëkatet e tij.
-
Elsa është në një gjendje dëshpërimi për shkak se qe penduar për një mëkat që kreu, u ndje e falur, më pas e katranosi përsëri. Ajo beson se nuk ka shpresë për të për shkak se ndien se e ka gënjyer Perëndinë për pendimin e saj.
Ka shumë vetë që e keqkuptojnë ekuilibrin e dashur e të përsosur mes drejtësisë dhe mëshirës së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ndërsa e studion mësimin e sotëm, mendo rreth asaj se si je bekuar për shkak se Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm.
Alma e ndihmoi Koriantonin ta kuptonte planin e Perëndisë
Ndërsa Alma vazhdoi të këshillohej me Koriantonin, ai e kuptoi se i biri kishte një shqetësim rreth Perëndisë dhe planit të Tij.
Lexo tek Alma 42:1 dhe kërkoje shqetësimin e Koriantonit.
-
Cilat janë disa supozime që mund ta shtyjnë dikë të mendojë se është e padrejtë që Perëndia t’i ndëshkojë mëkatarët?
-
Cili është rreziku i këtij lloj keqkuptimi?
-
Në ç’mënyrë i sheh sot keqkuptime të ngjashme?
Alma u përpoq ta ndihmonte Koriantonin duke i treguar atij një këndvështrim më të gjerë për Perëndinë dhe planin e Tij. Ai filloi duke i shpjeguar se Rënia e Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit solli vdekjen shpirtërore (ndarjen nga Perëndia) dhe vdekjen fizike (vdekjen e trupit të vdekshëm) (shih tek Alma 42:2–8). Më pas ai i mësoi Koriantonit se si lidhet Rënia me drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë.
Lexo tek Alma 42:9–12 dhe kërko pasojat e Rënies.
-
Cilat pasoja të Rënies gjete?
-
Drejtësia: “Sipas termave në shkrimet e shenjta, drejtësia është ligji i pandryshueshëm që sjell pasoja për veprimet. Për shkak të ligjit të drejtësisë, ne marrim bekime kur u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Ligji i drejtësisë kërkon gjithashtu që të paguhet një gjobë për çdo mëkat që kryejmë” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Justice” [“Drejtësi”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
-
Mëshira: “Mëshira është trajtimi me dhembshuri i një personi, shumë më tepër nga sa meritohet dhe bëhet i mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Mercy” [“Mëshirë”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Lexo tek Alma 42:13–15, duke kërkuar atë që Alma dha mësim rreth Perëndisë dhe planit të Tij.
-
Çfarë mëson rreth planit të Perëndisë?
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth Perëndisë nga këto vargje?
Drejtësia dhe mëshira e Perëndisë
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë:
“Drejtësia është një tipar thelbësor i Perëndisë. Ne mund të kemi besim te Perëndia, sepse Ai është përsosurisht i besueshëm. Shkrimet e shenjta na mësojnë se: ‘Perëndia nuk ecën në shtigje të tërthorta, as nuk kthehet në të djathtë apo në të majtë, as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë, si rrjedhim, shtigjet e tij janë të drejta dhe udha e tij është një rreth i përjetshëm’ [Doktrina e Besëlidhje 3:2] dhe se ‘Perëndia nuk tregohet i anshëm’ [Veprat e Apostujve 10:34]. Ne mbështetemi te tipari hyjnor i drejtësisë që të kemi besim, vetëbesim dhe shpresë.
Por, si pasojë e të qenit përsosurisht i drejtë, ka disa gjëra që Perëndia nuk mund t’i bëjë. Ai nuk mund të jetë i paarsyeshëm në shpëtimin e disave dhe në ndëshkimin e të tjerëve. Ai ‘nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit’ [Doktrina e Besëlidhje 1:31]. Ai nuk mund ta lejojë mëshirën që ta grabitë drejtësinë [shih [tek] Alma 42:25].
Është provë bindëse e drejtësisë së Tij që Perëndia e ka farkëtuar parimin shoqërues të mëshirës. Është ngaqë Ai është i drejtë, që Ai krijoi mënyrën se si mëshira ta luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në fatin tonë të përjetshëm.” (D. Tod Kristoferson, “Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre”, Liahona, nëntor 2014, f. 17–18)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth Perëndisë?
Përfytyro sikur ke një shok ose shoqe që ka të njëjtin shqetësim si Koriantoni. Ai ose ajo të pyet se si është e drejtë që Perëndia i ndëshkon mëkatarët.
-
Çfarë do t’i thoshe shokut ose shoqes sate për ta ndihmuar ta kuptojë drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë? (Përfshi vargje ose fraza nga Alma 42:9–15.)
Përfundoji pohimet vijuese:
-
Drejtësia e Perëndisë më bekon për shkak se
-
Mëshira e Perëndisë më bekon për shkak se