Seminari
Alma 53: Mbajtja e Besëlidhjeve Tona


“Alma 53: Mbajtja e Besëlidhjeve Tona”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 53”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 53

Mbajtja e Besëlidhjeve Tona

populli i Amonit duke groposur armët e veta

Ne të gjithë përballemi në këtë jetë me prova që mund të na tundojnë t’i shkelim besëlidhjet tona me Perëndinë. Populli i Amonit na dha një shembull të fuqishëm të mbajtjes së besëlidhjeve edhe gjatë përballjes me rrethana të vështira. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë të rritet vendosmëria për t’i mbajtur besëlidhjet e tua me Perëndinë.

Jepuni mësim nxënësve të jenë mbajtës të besëlidhjeve. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve është një mënyrë se si ne mund të tregojmë zotimin tonë për t’u bërë si Jezu Krishti. Ndihmojini nxënësit ta dallojnë fuqinë, mëshirën dhe ndikimin hyjnor që mund të marrin nga bërja dhe mbajtja me besnikëri e besëlidhjeve me Atin Qiellor.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta kërkojnë fjalën besëlidhje tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të jenë gati të tregojnë përse është e rëndësishme që t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shtegu i besëlidhjeve

Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese ose të vizatoni diçka të ngjashme në tabelë. Ju mund të zgjidhni t’u jepni nxënësve kopje të figurës në vend që t’i ftoni ata ta vizatojnë shtegun në ditarin e tyre të studimit.

Në ditarin tënd të studimit, vizato një shteg si ai në figurën vijuese për të simbolizuar jetën tonë dhe besëlidhjet thelbësore që duhet të bëjmë për t’u kthyer tek Ati Qiellor. Në vend që të vizatosh figura rrethore, mund t’i shkruash besëlidhjet që përfaqëson secila figurë. Për shembull, në vend që të vizatosh figurën e katërt (duke numëruar nga fundi), ti mund të shkruash “dhurimi në tempull” përgjatë shtegut.

shtegu i besëlidhjeve

Bëj një shenjë (ose vizato një figurë që të përfaqëson ty) duke treguar se ku je aktualisht në shtegun vetjak të besëlidhjeve.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan dhe do të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve, që të kthen tek Ata. Ndalu një çast për të kujtuar besëlidhjet që ke bërë tashmë me Ta dhe mënyrat se si po përpiqesh t’i mbash ato besëlidhje. (Nëse do të ishte e dobishme t’i shqyrtosh besëlidhjet që bëjmë në kohën e pagëzimit dhe i ripërtërijmë nëpërmjet sakramentit, lexo vargjet te Mosia 18:8–10 dhe Moroni 4:3.)

Si pjesë e konferencës së parë për shtyp të Presidentit Rasëll M. Nelson si profet i sapothirrur, ai dha mësim:

“Tani, secilit anëtar të Kishës unë i them, vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.” (Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Ensign ose Liahona, prill 2018, f. 6–7)

  • Çfarë do të thotë për ty të “vazhdon në shtegun e besëlidhjeve”?

  • Çfarë bekimesh do t’u japin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti atyre që vazhdojnë në shtegun e besëlidhjeve?

Nëse dëshiron, mund të shkruash gjëra si “jeta e përjetshme”, “bërja si Perëndia”, “familje të përjetshme”, e kështu me radhë në fund të vizatimit tënd të shtegut.

Në një shkallë nga 1 deri në 5 (ku 1 tregon se nuk ka vendosmëri dhe 5 ka vendosmëri të fortë), përsiati përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:

  • Sa i vendosur je për t’i mbajtur besëlidhjet që ke bërë tashmë me Perëndinë? Përse?

  • Sa i vendosur je për t’i bërë me Të besëlidhjet që të presin ende në të ardhmen? Përse?

Ndërsa studion sot, kërko ndihmë nga Ati Qiellor për të kuptuar më mirë dhe për të dëshiruar të bësh dhe mbash besëlidhje me Të.

Populli i Amonit

populli i Amonit duke groposur armët e veta

Paraqitni një figurë të popullit të Amonit duke groposur armët e veta.

Tek Alma 24, një grup lamanitësh të penduar, të njohur si populli i Amonit, bënë një besëlidhje unike me Perëndinë që t’i mbronte ata nga rënia në mëkatet e tyre të mëparshme pasi u pastruan nga Shpëtimtari.

Lexo tek Alma 53:10–12 për ta shqyrtuar besëlidhjen e tyre (ose betimin).

  • Sipas vargut 11, çfarë ishin të gatshëm të bënin për ta mbajtur besëlidhjen e tyre?

Më vonë, kur një ushtri e fuqishme lamanite i sulmoi nefitët, kapiten Moroni dhe ushtritë e tij u detyruan të përfshiheshin në një luftë të tmerrshme. Lexo tek Alma 53:13 dhe thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar vendimin e vështirë me të cilin u përball populli i Amonit.

“Populli i Amonit qe në një çast kritik të jetës së vet shpirtërore. Ata kishin qenë të vërtetë në besëlidhjen e tyre për të mos i marrë armët kurrë më. Por ata e kuptonin se etërit janë përgjegjës që të sigurojnë mbrojtje për familjet e tyre. Ajo nevojë dukej aq e madhe sa të meritonte shqyrtim shkelja e besëlidhjes së tyre.” (Riçard G. Skot, “Fuqia Vetjake nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2013, f. 82)

Referoju vizatimit tënd të shtegut të besëlidhjeve. Ndërmjet vendit ku ndodhesh aktualisht në shteg dhe besëlidhjeve të ardhshme që Shpëtimtari të fton të bësh, rendit situata që mund t’i tundojnë adoleshentët t’i shkelin besëlidhjet që kanë bërë tashmë dhe i shpërqendrojnë nga bërja e besëlidhjeve të ardhshme, duke përfshirë besëlidhjet e tempullit.

Ftojini vullnetarët t’i renditin situatat ose të vizatojnë në tabelë pengesat në shteg që ju erdhën në mendje.

Ndërsa vazhdon të studiosh, reflekto mbi mënyrën se si Shpëtimtari mund të të ndihmojë të ecësh përpara pavarësisht se ku ndodhesh dhe me çfarë sfidash po përballesh aktualisht.

Këshilla e profetit Helaman

Lexo tek Alma 53:14–15; 56:7–8, duke kërkuar këshillën e profetit Helaman ndaj popullit të Amonit. (Alma 56 është një letër që Helamani ia shkroi kapiten Moronit duke i shpjeguar situatën.)

  • Si do ta përmblidhje atë që mësove rreth besëlidhjeve me Perëndinë?

Ti mund të kesh mësuar të vërteta si kur ne zgjedhim t’i mbajmë besëlidhjet tona me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, Ata do të na ndihmojnë dhe forcojnë dhe nëse zgjedhim t’i shkelim besëlidhjet me Ta, ne do t’i humbasim bekimet e synuara.

Plaku Skot shpjegoi se si Perëndia e bekoi popullin e Amonit për mbajtjen e besëlidhjeve të veta.

“Angazhimi i tyre i përulur, gjatë gjithë jetës për të braktisur mëkatet e tyre bëri më shumë për t’i mbrojtur familjet e tyre sesa çfarëdo gjëje që mund të kishin bërë në fushën e betejës. Bindja e tyre nuk i privoi ata nga bekimet. Ajo i forcoi ata dhe bekoi shumë breza të ardhshëm.” (Riçard G. Skot, “Fuqia Vetjake nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2013, f. 83)

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të rrahin mendimet lidhur me përgjigjet për pyetjet vijuese në dyshe ose në grupe të vogla. Më pas ftojeni secilin grup ta shkruajë një përgjigje në tabelë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

  • Cilat janë disa mënyra se si Zoti mund të të forcojë dhe bekojë ndërsa përpiqesh t’i bësh dhe mbash besëlidhjet e tua?

  • Si mund ta forcojë mbajtja e besëlidhjeve të tua marrëdhënien tënde me Zotin?

Dy mijë të rinj hyjnë në një besëlidhje

Populli i Amonit, që kishte bërë besëlidhjen, iu bind këshillës së Helamanit për të mos rrokur armët. Një mënyrë se si Zoti i bekoi ata ishte nëpërmjet zgjedhjes së bijve të tyre për të bërë dhe mbajtur një besëlidhje të tyre. Në kapitujt e ardhshëm ne mësojmë se Perëndia i përdori këta të rinj mbajtës të besëlidhjeve në mënyra të mrekullueshme për t’i mbrojtur familjet e tyre dhe nefitët.

Lexo tek Alma 53:16–22. Shenjoji cilësitë dhe përshkrimet e këtyre të rinjve që do t’i ndihmonin për t’i mbajtur besëlidhjet.

  • Çfarë cilësish vure re te këta të rinj që do ta ndihmonin rininë sot t’i mbajë besëlidhjet e veta?

  • Si mendon se mund të ketë ndikuar tek këta të rinj vendosmëria e prindërve të tyre për të mbajtur besëlidhjet?

  • Cilin njeh ti që është një shembull i shkëlqyer për ty i mbajtjes së besëlidhjeve?

Shtegu yt i besëlidhjeve

Mbaje shënim në ditarin tënd të studimit atë që mësove ose ndjeve sot, që mund ta rritë vendosmërinë tënde për të qëndruar në shtegun që të kthen tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mund të përfshish çdo tundim ose shpërqendrim me të cilin je përballur në shtegun tënd të besëlidhjeve dhe se si vendosmëria jote dhe mirëbesimi yt te Zoti mund të të ndihmojë ta kapërcesh atë.

Merreni parasysh të jepni dëshminë se si Perëndia ju ka bekuar për bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve me Të.