Seminari
Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt tek Alma 53–63


“Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt tek Alma 53–63”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 53–63”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 53–63

Vështrim i Përgjithshëm

Populli i Amonit na dha një shembull të fuqishëm të mbajtjes së besëlidhjeve edhe gjatë përballjes me pasoja të vështira. Gjatë një kohe lufte të madhe, bijtë e tyre u udhëhoqën nga Helamani drejt fitoreve që shpëtuan shumë jetë. Këta ushtarë të rinj iu bindën “çdo fjale të urdhrit me përpikëri”, duke e vendosur “përherë besimin e tyre në Perëndi” (Alma 57:21, 27). Më vonë Pahorani, kryegjykatësi i nefitëve, u akuzua gabimisht për lënien pas dore të ushtrive në betejë dhe u detyrua të zgjidhte se si të përgjigjej.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Alma 53

Qëllimi i mësimit: Qëllimi i këtij mësimi është të ndihmojë të rritet vendosmëria e nxënësve për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre me Perëndinë.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta kërkojnë fjalën besëlidhje tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të jenë gati të tregojnë përse është e rëndësishme që t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë.

  • Figura për t’u paraqitur: Një grafik që ilustron shtegun e besëlidhjeve; një figurë e popullit të Amonit duke groposur armët e tij

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta ftoni një anëtar besnik të një lagjeje ose dege vendore që të marrë pjesë në orën mësimore ose të regjistrojë një material filmik që tregon shkurtimisht se si e ka bekuar Zoti për mbajtjen e besëlidhjeve të tij me Të. Sigurohuni të merrni leje nga bashkërenduesi ose administratori juaj i programit dhe udhëheqësit vendorë të priftërisë përpara se t’ia bëni ftesën.

Alma 56

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se, ndërsa ata e ushtrojnë me guxim besimin te Jezu Krishti, Zoti do t’i bekojë me fuqinë e Tij.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për një të ri apo të re ose grup të rinjsh e të rejash që treguan besim të madh te Zoti pavarësisht sfidave të vështira.

  • Fletushkë: “Situata me të Cilën u Përballën 2 000 Luftëtarët e Rinj”

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta paraqitni veprimtarinë me përkitje për klasën. Kur një nxënës e di përgjigjen e saktë, ftojeni atë të përdorë veçorinë e vizatimit për ta lidhur referencën e saktë me përmbledhjen ose për t’i shkruar përgjigjet e tij duke përdorur veçorinë e bashkëbisedimit.

Alma 57

Qëllimi i mësimit: Ky mësim është hartuar për t’i ndihmuar nxënësit të përpiqen t’u binden urdhrave të Perëndisë me përpikëri.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit tuaj të mendojnë për shembuj të bindjes së Shpëtimtarit ndaj Atit Qiellor dhe të përsiatin se çfarë mësojnë nga ata shembuj.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Jepuni nxënësve kohë për të plotësuar dy nga tri veprimtaritë e emërtuara A, B dhe C. Vendosini ata në grupe të vogla në dhoma virtuale të veçanta dhe ftojeni secilin nxënës t’ia tregojë grupit të vet një ide nga një prej veprimtarive që zgjodhi. Më pas përziejini dhomat virtuale të veçanta dhe ftojeni secilin nxënës t’ia tregojë grupit të vet të ri një ide nga veprimtaria tjetër që zgjodhi. Bashkojeni sërish klasën dhe ftojini nxënësit të tregojnë diçka domethënëse që e mësuan nga një anëtar tjetër i klasës.

Alma 59–61

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i frymëzojë nxënësit të bëhen më shumë si Jezu Krishti ndërsa u përgjigjen gabimeve të të tjerëve me dashuri dhe durim të shtuar.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur në klasë për të treguar se çfarë ua bën të vështirë t’i jetojnë mësimet e Shpëtimtarit që gjenden te 3 Nefi 11:29–30 por përse ia vlen që t’i jetosh ato mësime.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për ta nisur mësimin, merreni parasysh të shfaqni thënien nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Më pas ftojini nxënësit të përdorin veçorinë e bashkëbisedimit për të shkruar arsye shtesë përse mund të ndihemi të fyer.

Përsëritja 16 e Zotërimit Doktrinor

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i zbatojnë në jetën e tyre të vërtetat nga fragmentet e zotërimit doktrinor në gjysmën e dytë të Librit të Mormonit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar çdo bekim ose përfitim që kanë vënë re nga përpjekja për t’i zbatuar shkrimet e shenjta në jetën e tyre.

  • Materiali filmik: “Zgjidhja e problemeve të jetës nëpërmjet Librit të Mormonit” (1:00)

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: “Zotërimi Doktrinor për Librin e Mormonit: Alma–Moroni”

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme që të kalojnë nëpër hapat A, B dhe C për t’i zbatuar fragmentet e zotërimit doktrinor në skenarin që zgjodhën. Ftojini nxënësit të përdorin ikonën e miratimit ose të shkruajnë me tastierë “gati” në veçorinë e bashkëbisedimit kur të jenë gati për t’ia treguar klasës idetë e tyre. Nxënësit do të ndihen më të sigurt për të folur nëse u jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur.