“Alma 59–61: Zgjedhin të Mos Fyhen”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 59–61”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 59–61
Zgjedhin të Mos Fyhen
A i ke keqkuptuar ndonjëherë veprimet e dikujt? A të kanë lënduar të tjerët nga gabimet e tyre? Pahorani, kryegjykatësi i nefitëve, u përball me këtë sfidë dhe iu desh të zgjidhte se si të përgjigjej. Ky mësim mund të të frymëzojë të bëhesh më shumë si Jezu Krishti ndërsa reagon ndaj gabimeve të të tjerëve me dashuri dhe durim të shtuar.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kur je tunduar për t’u ndier i fyer?
Hera-herës mund të tundohemi për t’u ndier të fyer. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, renditi disa arsye përse anëtarët i thanë atij se ishin fyer:
“‘Një burrë tha në Shkollën e së Dielës diçka që më fyeu. …’
‘Askush në këtë degë nuk më përshëndeste apo të më afrohej. U ndjeva si [një i huaj]. …’
‘Unë nuk isha dakord me këshillën që më dha peshkopi. …’
‘Shumë shkaqe të tjera për fyerje citoheshin – që nga dallimet doktrinore mes të rriturve e deri te përqeshja, ngacmimi dhe përjashtimi nga … të rinj[të].’” (Dejvid A. Bednar, “Dhe Nuk Ka Asgjë Që Mund t’i [Fyejë]”, Liahona, nëntor 2006, f. 89; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 120)
-
Cilat janë disa arsye të tjera që mund të ndihemi të tunduar për t’u ndier të fyer?
-
Si ndikon fyerja tek ne?
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Kur je tunduar për t’u ndier i fyer? Si reagove? Përse?
-
Si ndikoi mënyra se si u ndjeve dhe veprove në marrëdhëniet e tua me të tjerët dhe me Zotin?
Ndërsa vazhdon të studiosh, kërko frymëzim për të gjetur ide dhe të vërtetën që mund të të ndihmojë në këto situata.
Letrat e Moronit
Pasi mësoi se ushtrisë së Helamanit i mungonin burra dhe furnizime për t’i mbrojtur nefitët nga një ushtri e madhe lamanite, kapiten Moroni i dërgoi një letër Pahoranit, kryegjykatësit nefit. Moroni i kërkoi Pahoranit t’i dërgonte përforcime ushtrisë së Helamanit. Nuk mbërriti asnjë ndihmë dhe ushtria e Helamanit vazhdoi të vuante. Ndërkohë, një ushtri lamanite pushtoi Nefihan, një qytet tjetër për të cilin Moroni kishte pritur të merrte përforcime (shih tek Alma 59:9).
Moroni u zemërua dhe i shkroi një letër tjetër Pahoranit. Lexo tek Alma 60:5–11, 30 për të parë pjesë të mesazhit të Moronit.
-
Çfarë sheh në letrën e Moronit që mund ta ketë fyer Pahoranin?
Zgjedhja e Pahoranit
Ajo që nuk dinte Moroni ishte se një grup nefitësh të ligj në aleancë me lamanitët ishin rebeluar kundër Pahoranit, duke bërë që ai t’ia mbathte për të shpëtuar jetën. Rebelët morën kontrollin e kryeqytetit të Zarahemlës. Pahorani ishte një njeri i drejtë që po mundohej të grumbullonte forca për të rimarrë Zarahemlën (shih tek Alma 61:1–8).
-
Po të ishe Pahorani, si mund të ishe tunduar për të reaguar ndaj letrës së Moronit?
-
Si mund të kishte ndikuar reagimi i Pahoranit në këtë situatë?
Alma 61 përmban përgjigjen e Pahoranit për Moronin. Lexo tek Alma 61:9, 17–21 për të parë se si u përgjigj ai.
-
Çfarë të bën përshtypje rreth përgjigjes së Pahoranit?
-
Çfarë cilësish sheh te Pahorani që të kujtojnë Jezu Krishtin?
Plaku Bednar tregoi një të vërtetë të rëndësishme që mund ta mësojmë nga ky rrëfim. (Nëse dëshiron, mund të shënosh pjesë të kësaj thënieje në shkrimet e tua të shenjta pranë Alma 61:9.)
“Të [fyhesh] është një zgjedhje e bërë nga ne; nuk është një gjendje që na shkaktohet ose na imponohet nga dikush ose nga diçka tjetër. …
… Një gjë, një ngjarje apo një shprehje mund të jetë fyese, por ju edhe unë mund të zgjedhim të mos fyhemi – dhe, për ta thënë së bashku me Pahoranin, ‘nuk ka rëndësi’.” (Dejvid A. Bednar, “Dhe Nuk Ka Asgjë Që Mund t’i [Fyejë]”, Liahona, nëntor 2006, f. 90–91; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 121, 123)
-
Si do t’ia shpjegoje të vërtetën vijuese dikujt? Ne mund të zgjedhim të mos fyhemi nga fjalët dhe veprimet e të tjerëve.
-
Përse mendon se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ne ta kuptojmë këtë të vërtetë?
Mësimet dhe shembulli i Jezu Krishtit
Shpëtimtari është shembulli i përsosur i kësaj të vërtete.
-
Lexoji mësimet e Jezu Krishtit te 3 Nefi 11:29–30 dhe Mateu 5:43–48. Çfarë mësove nga mësimet e Tij?
-
Mendo për një shembull të Shpëtimtarit që i përgjigjet me durim dhe dashuri gabimeve dhe dobësive të të tjerëve. Përse është e rëndësishme që ta dish se Shpëtimtari është i duruar dhe i dashur dhe nuk fyhet lehtësisht?
-
Si mund të të ndihmojnë shembujt e Pahoranit dhe Shpëtimtarit në një situatë ku dikush ka thënë ose bërë diçka lënduese për ty ose një njeriun tënd të dashur?
Ndihma e Zotit
Ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit për të mos u fyer mund të jetë e vështirë. Plaku Bednar shpjegoi ndihmën në dispozicionin tonë kur nuk ndihemi të fortë sa duhet për t’i kapërcyer ndjenjat e fyerjes.
“Nëpërmjet fuqisë përforcuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ju dhe unë mund të bekohemi që ta shmangim e të triumfojmë mbi fyerjen. …
Aftësia për mposhtjen e fyerjes mund të duket përtej asaj që mund të arrijmë ne. … [Vetë] natyra … e Shlyerjes së Shëlbuesit dhe qëllimi i Kishës së rivendosur është që të na ndihmojnë të marrim pikërisht këtë lloj force shpirtërore.” (Dejvid A. Bednar, “Dhe Nuk Ka Asgjë Që Mund t’i [Fyejë]”, Liahona, nëntor 2006, f. 90–91; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 121, 123)
-
Çfarë mësove nga komentet e Plakut Bednar?
-
Çfarë mund të bëjë dikush për të kërkuar ndihmë nga Shpëtimtari kur tundohet për t’u ndier i fyer?
Gjej disa minuta për t’i shkruar një letër vetes tënde në të ardhmen. Çfarë këshille do t’i jepje vetes tënde se si të përgjigjesh kur dikush thotë ose bën diçka lënduese ose fyese? Përfshije atë që mësove nga Shpëtimtari dhe Pahorani që mund ta zbatosh në atë situatë. Përfshi gjithashtu se si mund të kërkosh ndihmën e Zotit.