Seminari
Helamani 1–4, 6: “Pati Grindje të Shumta”


“Helamani 1–4, 6: ‘Pati Grindje të Shumta’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Helamani 1–4, 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Helamani 1–4, 6

“Pati Grindje të Shumta”

e re jo e lumtur duke u menduar

Ku sheh grindje, përçarje, mosmarrëveshje ose rebelim në botën përreth teje? Jo shumë kohë pas vdekjes së kapiten Moronit, Helamanit dhe kryegjykatësit Pahoran, nefitët vuajtën pasojat e grindjeve të shumta. Prapëseprapë, disa vetë zgjodhën të kërkonin paqen nëpërmjet Jezu Krishtit. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh pasojat e grindjes dhe se si të gjesh paqe te Krishti në një botë që ka grindje.

Ndihmojini nxënësit të kultivojnë një ndjesi përkatësie. Seminari duhet të jetë një strehë e sigurt për nxënësit. Jepuni nxënësve mundësi për ta rritur unitetin dhe kuptueshmërinë ndërsa bisedojnë dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin. Nxitini nxënësit t’i respektojnë dhe vlerësojnë përvojat dhe këndvështrimet e të tjerëve.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të luten për dikë ose rreth diçkaje që ka qenë një burim grindjeje në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Cikli i krenarisë në Librin e Mormonit diskutohet në përvijimin e mësimit për studim të kapitujve te Helamani 1–6 tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2024.

Grindja

Për t’i ndihmuar nxënësit ta shohin ndikimin e grindjes, merreni parasysh të krijoni në tabelë një diagram flluskë si ai më poshtë dhe t’i ftoni nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë në ditarët e tyre të studimit.

diagram flluskë bosh

Shkruaje fjalën grindje në mes të diagramit flluskë. Përreth fjalës, shkruaj disa nga fushat e jetës sate ku ti sheh grindje, të tilla si në mediat shoqërore ose mes shokësh. Ti do të shtosh në këtë diagram më vonë në mësim.

Mund t’i ftoni nxënësit t’i përsiatin ose diskutojnë pyetjet vijuese.

  • Si ndikon grindja drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt në jetën tënde?

  • Si reagon ti kur nuk bie dakord me të tjerët ose kur përballesh me njerëz grindavecë?

Ndërsa e fillon studimin nga ana jote të librit të Helamanit, kushtoji vëmendje mënyrës se si ndikoi grindja te nefitët. Mendo gjithashtu rreth mënyrave se si mund të kërkosh paqe nga Jezu Krishti në një botë ku ka grindje.

Grindja në familje, Kishë dhe komunitet

Pas vitesh lufte, nefitët patën mundësinë t’i rimerrnin tokat e tyre nga lamanitët. Kapiten Moroni dhe Helamani vdiqën gjatë kohës së paqes që pasoi. Analet e shenjta iu dhanë birit të Helamanit, i cili, gjithashtu, quhej Helaman. Jo shumë kohë më pas, nefitët u bënë krenarë dhe përjetuan grindje.

Për t’i ndihmuar nxënësit të marrin një vështrim të përgjithshëm të ngjarjeve në këta kapituj, mund t’i vini të lexojnë krerët e kapitujve te Helamani 1–6.

Në librin e Helamanit ne lexojmë rrëfime që tregojnë se si grindja ndikon te familjet, Kisha dhe komuniteti.

Nëse klasa juaj është e vogël, nxënësit mund të zgjedhin një ose dy nga segmentet vijuese për t’i studiuar si klasë. Nëse klasa juaj është më e madhe, nxënësit mund të ndahen në grupe për të studiuar një ose më shumë segmente së bashku. Pasi nxënësit t’i kenë përfunduar diskutimet e tyre, ftojeni dikë të tregojë atë që mësoi nga secili prej segmenteve.

Studioje një ose më shumë nga segmentet vijuese.

  • Familja: Lexo te Helamani 1:1–13, duke kërkuar se si ndikoi grindja te familja e Pahoranit pas vdekjes së tij.

  • Kisha: Lexo te Helamani 4:1–13, duke kërkuar se si krenaria dhe grindja në Kishë ndikuan mbi të gjithë kombin.

  • Komuniteti: Për shkak të grindjeve se kush duhet të ishte kryegjykatës, një njeri i lig i quajtur Kishkumen formoi një grup të fshehtë. Shumë shpejt atij iu bashkua një tjetër njeri i lig, i quajtur Gadianton (shih te Helamani 2). Në Librin e Mormonit, këto lloje grupesh janë quajtur lidhje të fshehta (shih te Helamani 3:23). Lexo te Helamani 6:15–21, 37–41, duke kërkuar atë që u ndodhi nefitëve për shkak të grindjes dhe ligësisë së shkaktuar nga hajdutët e Gadiantonit.

  • Cilat ishin disa nga pasojat e krenarisë dhe grindjes?

Ndihmojini nxënësit të shtojnë ide në diagramin flluskë. Ata mund të shtojnë rrathë dhe më pas t’i renditin pasojat e krenarisë dhe grindjes në secilën fushë të jetës të renditur më parë.

Nga ajo që lexon, ti mund të përcaktosh se krenaria dhe grindja mund të shkaktojnë përçarje mes familjeve, komuniteteve dhe kombeve. Mund të marrësh parasysh ta mbash shënim këtë të vërtetë në shkrimet e tua të shenjta pranë vargjeve te Helamani 1:4; 4:12–13 ose 6:38–40.

Shpëtimtari u dha mësim nefitëve rreth natyrës shkatërrimtare të grindjes. Lexo te 3 Nefi 11:29–30, duke kërkuar atë që tha Ai.

  • Nga buron grindja? Përse është gjithmonë shkatërrimtare?

  • Përse kjo do të ishte e rëndësishme ta dije kur tundohesh për të vepruar me zemërim ose kundërpërgjigjesh me grindje?

  • Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i asaj që Ai dha mësim te 3 Nefi 11:29–30?

Kërkimi i paqes nëpërmjet Jezu Krishtit

Presidenti Rasëll M. Nelson dha ftesa të ngjashme lidhur me konfliktin dhe grindjen në jetën tonë. Shikoje materialin filmik “Fuqia e Hovit Shpirtëror” nga kodi kohor 1:38 deri në 3:31, ose lexoje thënien më poshtë.

17:18

“Thirrja ime sot, të dashur vëllezër e motra, është t’u jepni fund konflikteve që po ziejnë në zemrën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën tuaj. Groposeni çfarëdo prirjeje dhe të gjitha prirjet për t’i lënduar të tjerët, qoftë nëse ajo prirje është një temperament, një gjuhë e mprehtë ose inat ndaj dikujt që ju ka lënduar. Shpëtimtari na urdhëroi të kthejmë faqen tjetër, t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë. …

Ne jemi ndjekës të Princit të Paqes. Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për paqen që vetëm Ai mund ta sjellë. Si mund të presim të ekzistojë paqja në botë kur ne, si individë, nuk po kërkojmë paqe dhe harmoni? Vëllezër dhe motra, e di se ajo që po sugjeroj, nuk është e lehtë. Por ndjekësit e Jezu Krishtit duhet të japin shembullin që duhet të ndjekë e gjithë bota. Ju lutem të bëni çmos që t’u jepni fund konflikteve personale që po ziejnë aktualisht në zemrën tuaj dhe në jetën tuaj.” (Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 97)

  • Si mund të na ndihmojë ftesa e Presidentit Nelson që ta ndjekim Jezu Krishtin?

Shikoje sërish diagramin tënd flluskë. Vendos një shenjë përzgjedhëse pranë çdo fushe grindjeje ku ti e ndien se mund të ndikosh për mirë.

Krijoni një tabelë me dy kolona në dërrasë dhe shkruani në krye Unë mund të gjej paqe në Krisht duke …. Për më shumë hapësirë, mund të duhet ta fshini diagramin flluskë. Shkruajeni njërin prej blloqeve vijuese të shkrimeve të shenjta në krye të secilës kolonë dhe ftojeni gjysmën e klasës ta studiojë secilin bllok: Helamani 3:32–36; Helamani 6:1–9.

Ftojini nxënësit ta përfundojnë thënien në tabelë me atë që gjejnë në leximin e tyre dhe të diskutojnë se si ajo që gjetën mund t’i ndihmojë të gjejnë paqe në Krisht.

  • Duke përdorur atë që lexon te Helamani 3:32–36 ose Helamani 6:1–9, përfundoje fjalinë Unë mund të gjej paqe në Krisht duke …

  • Në ç’mënyrë ardhja individualisht te Jezu Krishti na sjell paqe dhe unitet me të tjerët?

  • Zgjidhe njërën nga mënyrat që rendite për të gjetur paqe në Krisht. Si mund ta zbatosh apo ushtrosh atë në jetën tënde?

Nxitini nxënësit ta kërkojnë paqen që vetëm Jezu Krishti mund të japë (shihni te Gjoni 14:27).