Seminari
Helamani 5:14–52: “Reja e Errësirës do të Largohet”


“Helamani 5:14–52: ‘Reja e Errësirës do të Largohet’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Helamani 5:14–52”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Helamani 5:14–52

“Reja e Errësirës do të Largohet”

Nefi dhe Lehi në burg, të rrethuar nga zjarri

Kur ndodhemi në një dhomë të errët, ne mund të ndezim një dritë. Por çfarë mund të bëjmë kur jemi shpirtërisht në errësirë? Kur errësira e kaploi një grup lamanitësh të ligj, atyre iu dha mësim të pendoheshin dhe të kishin besim te Jezu Krishti. Ky mësim mund të të ndihmojë të mbështetesh te Jezu Krishti për të larguar ndjenjat e frikës dhe errësirës dhe për t’i zëvendësuar ato me gëzimin, paqen dhe dritën e Tij.

Nxitini nxënësit që të përsiatin. Kur nxënësit kanë kohë të mendojnë thellësisht rreth jetës së tyre dhe asaj çfarë po mësojnë, Fryma e Shenjtë mund t’u zbulojë atyre të vërteta vetjake, në lidhje me ta. Ftojini nxënësit të përsiatin se si po e ftojnë dritën dhe fuqinë e Jezu Krishtit në jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për mënyrat se si Jezu Krishti është si dritë (shihni te Gjoni 8:12).

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Errësira dhe drita

Ndihmojini nxënësit të fillojnë të mendojnë rreth dritës dhe errësirës. Ju mund të përdorni elektrikë dore ose telefona celularë për të treguar se si hyrja e dritës mund ta largojë errësirën nga një dhomë. Mund t’i shkruani vëzhgimet e nxënësve në tabelë dhe të përpiqeni t’i lidhni idetë e tyre më vonë në mësim kur të përcaktojnë parimet rreth Jezu Krishtit.

Mendo për një kohë kur ishe në një vend të errët me pak ose aspak dritë. A të kujtohet çfarë kishte sfiduese pamundësia për të parë mirë?

  • Përveç të qenit në një dhomë të errët, cilat janë disa mënyra të tjera se si mund të përjetojmë errësirë në jetën tonë? Cilat janë disa ndjenja që mund t’i lidhësh me errësirën?

Nëpërmjet mësimit, nxënësit duhet të arrijnë të kuptojnë që jo e gjithë errësira është rezultati i zgjedhjeve të gabuara, por se errësira mund të largohet duke ushtruar besim te Jezu Krishti.

Mendo për jetën tënde dhe ndonjë errësirë që mund të jesh duke përjetuar. Ndërsa studion sot, kërko se çfarë mund të bësh për ta mbushur jetën tënde me dritë për të ndihmuar që të largohet errësira.

Shërbesa e Nefit dhe Lehit

Bijtë e Helamanit, Nefi dhe Lehi, predikuan ungjillin e Jezu Krishtit. Ata u dhanë mësim shumë nefitëve që kishin kundërshtuar dhe ishin bashkuar me lamanitët. Këta nefitë u penduan dhe u përpoqën të riparonin çdo dëm që kishin shkaktuar. Nefi dhe Lehi predikuan me fuqi të madhe dhe 8 000 lamanitë zgjodhën të pendoheshin dhe të pagëzoheshin (shih te Helamani 4:4; 5:14–19).

Lexo te Helamani 5:20–22, duke kërkuar se si u ndërpre suksesi i tyre.

Sa herë që përballemi me kundërshtim ose përjetojmë sprova, ne mund t’i konsiderojmë këto si kohë të errëta në jetën tonë. Madje mund të pyesim se përse Perëndia i lejon të ndodhin këto gjëra. Megjithatë, nëse u kushtojmë shumë vëmendje, do të vëmë re se Perëndia punon gjithnjë në jetën tonë dhe dëshiron të na bekojë.

Për t’i ndihmuar nxënësit të përfshihen në mënyrë aktive në të mësuarit, ju mund ta ndani klasën në dyshe për të lexuar vargjet vijuese. Njëri nxënës mund të kërkojë prova për Perëndinë në jetën e Nefit dhe Lehit (shihni te Helamani 5:23–26). Nxënësi tjetër mund të lexojë rreth Perëndisë që u drejtohet lamanitëve (shihni te Helamani 5:28–33).

Lexo te Helamani 5:23–33, duke kërkuar atë që bëri dhe tha Perëndia. Nëse është në dispozicion materiali zanor i kapitullit te Helamani 5, mund ta dëgjosh dhe lexosh njëkohësisht. Sigurohu ta ndalosh dhe ridëgjosh sipas nevojës.

  • Çfarë mëson rreth Perëndisë nga këto vargje? Çfarë ndjenjash ke për Të për shkak të asaj që mëson?

    Mund t’u kërkoni nxënësve ta renditin në tabelë atë që gjetën. Diskutojini mënyrat se si Perëndia na ndihmon dhe bekon në mënyrë aktive.

  • Si mund të të ndihmojë ftesa e Perëndisë te vargjet 29 dhe 32 ta shohësh dashurinë e Tij për gjithkënd?

Mund t’i nënvizosh fjalët te Helamani 5:29, 32 që përfshijnë ftesën nga Perëndia.

Ata që gjendeshin në burg u mbuluan nga errësira. Ata nuk dinin se çfarë të bënin dhe, për shkak të frikës, nuk mund të lëviznin (shih te Helamani 5:34, 40).

Lexo te Helamani 5:35–41 për të parë se si një njeri i quajtur Aminadab i ndihmoi ata të kuptonin se si ta largonin errësirën.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga ajo që tha Aminadabi te vargu 41?

Një parim që mund të mësojmë është se Jezu Krishti mund ta largojë errësirën nga jeta jonë kur ushtrojmë besimin tek Ai dhe pendohemi.

Ajo që tha Aminadabi te vargu 41 ia vlen të diskutohet me më shumë hollësi. Nxënësit mund të përfitojnë nga diskutimi përse Aminadabi tha “duhet të pendoheni” dhe përse ai i udhëzoi ata t’i luteshin Perëndisë derisa të kishin besim te Jezu Krishti.

Mund t’i ndihmoni nxënësit ta krahasojnë ndezjen e elektrikut të dorës ose ndërrimin i një çelësi drite me ushtrimin e besimit te Jezu Krishti dhe pendimin.

  • Si mendon, në ç’mënyrë të pasurit e besimit te Jezu Krishti dhe pendimi mund të ndihmojnë për ta larguar errësirën?

Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi mënyra të caktuara se si mund ta ftojmë dritën e Zotit në jetën tonë.

15:30

“Drita [e Jezu Krishtit] do të formojë një mburojë mbrojtëse midis jush dhe errësirës së kundërshtarit ndërsa jetoni të denjë për të. Ju keni nevojë për atë dritë. Ne kemi nevojë për atë dritë. Studiojini me kujdes shkrimet e shenjta dhe [broshurën] Për Forcën e Rinisë dhe dëgjojini mësimet e prindërve dhe udhëheqësve tuaj. Më pas, duke iu bindur këshillave të urta, mësoni ta kërkoni dritën mbrojtëse të ungjillit si vetë dritën tuaj.

Ju mund ta pyesni veten: ‘Si mund ta bëj këtë?’ Ka vetëm një mënyrë: duhet të mësoni ta nxirrni atë dritë çdo ditë duke besuar te Jezu Krishti dhe zbatuar urdhërimet e Tij.” (Robert D. Hales, “Out of Darkness into His Marvelous Light”, Liahona, maj 2002, f. 70)

  • Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që të ndihmon të kuptosh se Ai mund të na mbrojë nga errësira ose ta largojë atë nga jeta jonë?

Mund t’i ftoni nxënësit të marrin parasysh titullin Drita e Botës për Jezu Krishtin dhe se si ky titull mund ta shtojë kuptueshmërinë e tyre. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 88:6–13.)

Më pas, shkruajeni frazën vijuese në tabelë.

  • Bekimet nga ushtrimi i besimit te Jezu Krishti dhe pendimi

Lexo te Helamani 5:42–49 dhe bëj një listë të bekimeve që njerëzit përjetuan kur u penduan dhe ushtruan besim te Jezu Krishti. Shenjoji bekimet që ti e ndien se njerëzit sot kanë më shumë nevojë.

Ju mund t’u kërkoni nxënësve të mblidhen në grupe të vogla dhe t’i diskutojnë bekimet që përcaktuan. Ata mund të punojnë gjithashtu së bashku për secilën prej nxitjeve më poshtë.

Zgjidh një bekim që ti e ndien se është i rëndësishëm dhe përdore për të shpjeguar shkurtimisht se përse do ta nxitje dikë të ushtrojë besim te Jezu Krishti.

Zgjidh një bekim që ti e ndien se ka ardhur tek ti për shkak të ushtrimit të besimit te Jezu Krishti. Shpjegoje shkurtimisht se përse kjo është kuptimplotë për ty.

Nga ajo që ke mësuar dhe ndier sot, përsiat se çfarë mund të bësh për t’u mbështetur te Jezu Krishti dhe për të marrë bekimet e Tij. Bëj një zotim dhe merr parasysh të vendosësh ose përshtatësh një synim për të të ndihmuar ta mbash atë.

Nxitini nxënësit të veprojnë me besim sipas asaj që kanë mësuar sot. Dëshmoni për aftësinë dhe dëshirën e Zotit për t’i bekuar ata me dritën e Tij.