Seminari
Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12 – “Është mbi Shkëmbin e Shëlbuesit Tonë … që Ju Duhet të Ndërtoni Themelin Tuaj”


“Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12 – ‘Është mbi Shkëmbin e Shëlbuesit Tonë … që Ju Duhet të Ndërtoni Themelin Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12

“Është mbi Shkëmbin e Shëlbuesit Tonë … që Ju Duhet të Ndërtoni Themelin Tuaj”

familje duke e shijuar studimin e shkrimeve të shenjta së bashku

Gjatë studimit tënd të vargjeve te Helamani 5:1–13, ti mësove se si ndërtimi i themelit tënd mbi Jezu Krishtin mund të të ndihmojë t’u bësh ballë stuhive të fuqishme të djallit (shih te Helamani 5:12). Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Helamani 5:12, ta shpjegosh doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh në situata nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se marrja e njohurisë shpirtërore është një proces individual. Parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund të zbatohen në mënyra të ndryshme. Nxënësit mund të fillojnë me parimin që mund t’i ndihmojë më shumë me pyetjet e tyre dhe më pas të kërkojnë mënyra për t’i përdorur të tjerat. Nxitini nxënësit t’i ndjekin nxitjet e Shpirtit ndërsa përpiqen të marrin njohuri shpirtërore.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vazhdojnë të përpiqen ta mësojnë përmendsh të gjithë fragmentin te Helamani 5:12.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Helamani 5:1–13”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor tek Alma 34:9–10. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Në mësimin e mëparshëm, ti mësove të vërtetat vijuese: Jezu Krishti është themeli ynë i sigurt dhe nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, djalli nuk do të ketë fuqi mbi ne. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor për vargun te Helamani 5:12 është: “Është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë … që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”.

Përdor teknikën tënde të mësimit përmendsh ose një nga idetë vijuese për të të ndihmuar ta mësosh përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.

Nëse zgjidhni ta përdorni idenë vijuese, përgatitni gurë dhe shirita letre të mjaftueshëm që çdo nxënës të ketë një nga secili. Nxënësit mund të përdorin bojëra uji, shirit ngjitës, zamkë ose një llastik nëse janë në dispozicion.

Gjej një gur të vogël me hapësirë të mjaftueshme mbi të për të shkruar aty “Helamani 5:12”. Prit një shirit letre dhe shkruaj frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Helamani 5:12, “Është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë … që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”. Ngjite shiritin e letrës në gur duke përdorur shirit ngjitës, zamkë ose një llastik. Thuaje përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë disa herë derisa t’i kesh mësuar përmendsh.

e re duke qëndruar mbi një shkëmb dhe duke parë lart

Për një mënyrë tjetër për të të ndihmuar të mësosh përmendsh, vizato figurën e një shkëmbi me një person duke qëndruar mbi të. Brenda shkëmbit, shkruaj Helamani 5:12 dhe poshtë shkruaje frazën kyç të shkrimit të shenjtë disa herë derisa ta kesh mësuar përmendsh.

Për veprimtarinë vijuese, për të përfaqësuar dorëzimet e tyre të përfytyruara për një revistë Kishe, nxënësit mund të vizatojnë një flluskë të madhe për citimin mbi një fletë letre. Brenda flluskës, ata mund të shkruajnë atë që do të thoshin. Nën të, mund të shkruajnë emrat e tyre dhe se ku kanë lindur. Merreni parasysh t’i varni këto nëpër të gjithë dhomën dhe t’i nxitni nxënësit të ecin përqark dhe të lexojnë përgjigjet e disa shokëve të klasës.

Përfytyro sikur revista e Kishës Për Forcën e Rinisë kërkoi ide nga të rinj nga e gjithë bota lidhur me doktrinën që jepet mësim te Helamani 5:12. Në tri deri në katër fjali, krijo një dorëzim që e shpjegon sa vijon:

  • Se si Jezu Krishti është si “një [themel] i sigurt”

  • Se si ndërtimi i themelit tonë shpirtëror mbi “shkëmbin e Shëlbuesit tonë” mund të na mbrojë nga “erërat e … fuqishme” dhe “breshëri” i djallit

Ushtroje vënien në zbatim

Shqyrtojini parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore duke i ftuar nxënësit të punojnë në grupe me tre veta, ku çdo person kërkon një nga parimet. Më pas nxënësit mund t’ia shpjegojnë parimin me fjalët e tyre pjesës tjetër të grupit.

Pastaj tregojuani skenarin vijues nxënësve.

Shoqja jote Matilda është ndier kohët e fundit e dërrmuar nga informacionet negative që ka dëgjuar rreth Kishës. Një shoqe nga lagjja e mëparshme e Matildës i dërgoi asaj disa materiale që e sulmojnë doktrinën e Kishës dhe e kritikojnë profetin. Xhaxhai i saj e braktisi Kishën kohët e fundit për shkak se nuk bie dakord me rregullore të caktuara të Kishës. Matilda dëshiron të qëndrojë besnike, por po fillon të pyesë veten nëse e ka forcën. Një ditë ndërsa ktheheni në këmbë nga shkolla, Matilda të tregon se si ndihet dhe të kërkon këshillë.

Përdori parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën që jepet mësim te Helamani 5:12, për ta ndihmuar Matildën t’i qëndrojë besnike dëshmisë së saj.

Vendosni se si t’i ndihmoni nxënësit të përfshihen në mënyrë kuptimplotë me parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Për shembull, mund të jetë e dobishme t’i ftoni në fillim nxënësit ta plotësojnë vetë në heshtje pjesën “Vepro me besim” të mësimit. Më pas mund t’i ftoni t’i drejtohen një nxënësi tjetër dhe t’ia tregojnë njërën nga idetë e tyre. Nxënësit mund të kenë një përvojë më të mirë nëse e plotësojnë pjesën “Këndvështrimi i përjetshëm” të mësimit në grupe të vogla. Merreni parasysh ta plotësoni pjesën “Burime të caktuara në mënyrë hyjnore” së bashku si klasë.

Vepro me besim

  • Cilat janë dy ose tre veprime të drejta që mund të ndërmarrë Matilda për t’u mbështetur te Shpëtimtari dhe për ta forcuar themelin e saj shpirtëror gjatë kësaj kohe të vështirë? Çfarë ndryshimi mund të bëjnë për të këto veprime?

  • Çfarë mësimesh ke mësuar në të kaluarën rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti që mund të jenë të dobishme për Matildën?

Këndvështrimi i përjetshëm

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni secilit nxënës të paktën një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta për ta studiuar. Pasi nxënësit të kenë studiuar dhe t’i kenë mbajtur shënim përgjigjet e tyre, ftojini t’ua tregojnë me radhë grupeve të tyre se çfarë mësuan rreth këndvështrimit të përjetshëm.

Ndihmoje Matildën ta marrë parasysh sfidën e saj me një këndvështrim të përjetshëm duke i shqyrtuar mësimet e Shpëtimtarit.

  • Cilat janë disa nga mësimet e Shpëtimtarit që mund t’ia tregosh Matildës për ta ndihmuar t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm? (Merr parasysh fragmente të shkrimeve të shenjta si ata në vijim: Gjoni 6:66–69; Hebrenjve 10:32–36; 2 Nefi 31:20; Doktrina e Besëlidhje 58:2–4.)

  • Si mund ta ndihmojnë këto mësime Matildën që t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm?

  • Si mund ta ndihmojë doktrina e dhënë mësim te Helamani 5:12 Matildën që t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm?

Shkruaji një mesazh të shkurtër Matildës sikur po i dërgon një mesazh me tekst. Përfshiji idetë e fituara nga studimi dhe përsiatja jote dhe nxite atë të vazhdojë përpara me besnikëri.

Burime të caktuara në mënyrë hyjnore

Matilda të pyet se çfarë mund të bëjë kur i bëhen pyetje rreth Kishës, të cilave ajo nuk ia di përgjigjet. Përsiat se çfarë mund t’i tregosh asaj nga mësimet vijuese të Presidentit Rasëll M. Nelson.

16:22

“Zgjidhni të besoni te Jezu Krishti. Nëse keni dyshime rreth Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, ose vlefshmërisë së Rivendosjes apo vërtetësisë së thirrjes hyjnore të Jozef Smithit si profet, zgjidhni të besoni [shihni te 2 Nefi 33:10–11] dhe qëndroni besnikë. Drejtojuani pyetjet tuaja Zotit dhe burimeve të tjera besnike. Studioni me dëshirën që të besoni në vend që të studioni me shpresën se mund të gjeni një të metë në strukturën e jetës së një profeti apo një mospërputhje në shkrimet e shenjta. Mos vazhdoni t’i shtoni dyshimet tuaja duke i ritreguar me njerëz të tjerë dyshues. Lejojeni Zotin t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj të zbulimit shpirtëror.” (Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103)

  • Si mendon se mund ta ndihmojë Matildën këshilla e Presidentit Nelson?

  • Cilat janë disa burime të tjera besnike ku mund të drejtohet Matilda për përgjigje?

Ftojini nxënësit të gjejnë burime të ndryshme të besuara që mund t’ia rekomandojnë Matildës. Shembujt përfshijnë Redaksinë e Kishës, Gospel Topics [Tema të Ungjillit], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose burime të tjera.

Pasi ke pasur disa diskutime me Matildën lidhur me besimin dhe dëshminë e saj, ajo të shpreh mirënjohjen e saj që e ndihmove të qëndronte e vendosur në besimin e saj te Jezu Krishti.

Jepni dëshminë tuaj se parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund të na ndihmojnë në vetë jetën tonë. Jepuni nxënësve kohë të mendojnë rreth zbatimit të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore në vetë rrethanat e tyre. Ata mund të përdorin ditarin e tyre të studimit për sa vijon.

Mendo rreth sfidave të tua, duke përfshirë çdo tundim që Satani mund të “lësho[jë] mbi ty” aktualisht (Helamani 5:12). Zgjidhe njërin për të cilin do të doje ndihmë nga Zoti dhe shkruaje atë në krye të një faqeje në ditarin tënd të studimit. Shkruaji tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe mbaje shënim se si ato parime mund të gjejnë zbatim në vetë situatën tënde.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Gjatë një mësimi të ardhshëm, tregojuni nxënësve një gur dhe ftojini të kujtojnë se cili fragment i zotërimit doktrinor shkon me të. Merreni parasysh t’i përzieni fjalët e frazës kyç të shkrimit të shenjtë në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të vijnë dhe ta vendosin frazën në rendin e saktë.