“Helamani 1–6: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 1–6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 1–6
Vështrim i Përgjithshëm
Jo shumë kohë pas vdekjes së kapiten Moronit, Helamanit dhe kryegjykatësit Pahoran, nefitët vuajtën pasojat e grindjeve të shumta. Bijtë e Helamanit, Nefi dhe Lehi, kujtuan se si ati i tyre kishte shpallur se ata që e ndërtojnë themelin e jetës së tyre “mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë” (Helamani 5:12) do të kishin fuqi t’i bënin ballë të keqes dhe të qëndronin besnikë. Kur errësira e kaploi një grup lamanitësh të ligj, atyre iu dha mësim të pendoheshin dhe të kishin besim te Jezu Krishti. Shumë vite më vonë, kur profet Mormoni e përmblodhi historinë nefite dhe e shënoi atë në fletë të arta, ai vuri në dukje herë pas here të vërteta të rëndësishme duke përdorur thënie si “kështu ne shohim”. Të vërtetat që ai theksoi, mund të na ndihmojnë me sfidat me të cilat përballemi sot.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi atë që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Helamani 1–4; 6
Shënim: Cikli i krenarisë në Librin e Mormonit diskutohet në përvijimin e mësimit për studim të kapitujve te Helamani 1–6 tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2024. Në këtë manual, cikli i krenarisë do të theksohet në mësimin mbi kapitujt te Helamani 11–12.
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë pasojat e grindjes dhe se si të gjejnë paqe në Krisht në një botë që ka grindje.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të luten për dikë ose rreth diçkaje që ka qenë një burim grindjeje në jetën e tyre.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Një diagram flluskë që nxënësit ta kopjojnë në ditarin e tyre
-
Materiali filmik: “Fuqia e Hovit Shpirtëror” (17:17; shikoje nga kodi kohor 1:38 deri në 3:31)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nxënësit mund t’i tregojnë diagramet e tyre flluskë të përfunduara dhe thënien e parimit që përcaktuan nga studimi i tyre. Ata mund ta bëjnë këtë duke bërë një fotografi digjitale të diagramit të tyre flluskë dhe duke e treguar ekranin e tyre, ose mund ta ngrenë lart diagramin e tyre te kamera.
Helamani 3; 6
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë të vërteta nga shkrimet e shenjta dhe të analizojnë se si ato të vërteta mund të ndikojnë në jetën e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë një ose dy të vërteta të rëndësishme gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni atyre të përgatiten për të shpjeguar se si gjejnë të vërtetë kuptimplotë në shkrimet e shenjta.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë te veçoria e bashkëbisedimit parimet e ndryshme që përcaktojnë te Helamani 3 dhe Helamani 6.
Helamani 5:1–13
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i bëjnë ballë djallit dhe t’i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te Helamani 5:12 dhe t’i mbajnë shënim fjalët ose frazat që janë kuptimplota për ta. Merreni parasysh gjithashtu t’i ftoni nxënësit të fillojnë ta mësojnë përmendsh të gjithë fragmentin.
-
Figurë: Një fotografi e Tempullit të Solt-Lejkut
-
Materiale filmike: “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror” (18:59; shikoje nga kodi kohor 3:19 deri në 4:26); “Vorbullat e Erërave Shpirtërore” (2:24)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ndërsa nxënësit tregojnë mënyrat për t’i ndërtuar themelet e tyre mbi Jezu Krishtin, merreni parasysh të përdorni funksionin e tabelës së bardhë për t’i renditur përgjigjet e tyre dhe për t’i ndihmuar t’i analizojnë disa prej tyre.
Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Helamani 5:12, ta shpjegojnë doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatojnë në situata nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vazhdojnë të përpiqen ta mësojnë përmendsh të gjithë fragmentin te Helamani 5:12.
-
Materiali filmik: “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet” (16:22; shikoje nga kodi kohor 8:42 deri në 9:43)
-
Figura: Figura e një të riu duke qëndruar mbi një shkëmb
-
Materiale për nxënësit: Gurë të vegjël, shirita letre, zamkë, shirit ngjitës, llastiqe dhe bojëra uji
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe në dhoma të veçanta virtuale për të diskutuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Mund t’i vendosni në grupe të ndryshme për secilin parim.
Helamani 5:14–52
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mbështeten te Jezu Krishti për t’i larguar ndjenjat e frikës dhe errësirës dhe për t’i zëvendësuar ato me gëzimin, paqen dhe dritën e Tij.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për mënyrat se si Jezu Krishti është si dritë (shihni te Gjoni 8:12).
-
Mësim me sende: Një elektrik dore
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për ta nisur orën mësimore, merreni parasysh të diskutoni se si ndriçimi i mirë dhe ndriçimi i dobët ndikojnë se sa mirë dalin nxënësit në kamera. Ju mund t’i ftoni nxënësit të ndezin drita të tjera për t’i ndihmuar të jenë më të dukshëm në ekran.