“Helamani 13–16: Të Kuptosh Profetët e Zotit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 13–16”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 13–16
Të Kuptosh Profetët e Zotit
Si je ndier kur ke dëgjuar njerëz të shprehin shqetësime ose kritika rreth profetëve? Ndërsa Samuel lamaniti qëndroi mbi mur dhe u bëri thirri njerëzve të pendoheshin, ata patën një sërë reagimesh ndaj fjalëve të tij. Njerëzit përjetojnë reagime të ngjashme ndaj profetëve në kohën tonë. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh rolin e profetëve dhe se si ata mund të na ndihmojnë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mirëbesimi te profetët e Zotit
Rreth figurës që përfaqëson secilin grup, rendit disa arsye përse njerëzit ose i besojnë dhe i ndjekin profetët, ose nuk i besojnë dhe madje i kritikojnë.
Ndalu një çast për të përsiatur çfarë ke mësuar dhe di tashmë rreth profetëve që mund të të ndihmojë ty dhe të tjerët të besoni se ata janë të thirrur nga Perëndia. Për shembull, mund të kesh bërë një listë të të vërtetave rreth profetëve ndërsa studiove rreth Nefit te Helamani 7–10.
Te Helamani 13, Zoti dërgoi një profet tjetër, Samuel lamanitin. Ky mësim është një vështrim i përgjithshëm i mësimeve të tij (shih te Helamani 13–16). Ndërsa studion, ti mund t’i shtosh listës tënde të vërtetat rreth profetëve. Kërko ide që mund ta ndihmojnë dikë që e ka të vështirë të besojë.
Veprimtaria A: Samueli u predikon nefitëve
Lexo te Helamani 13:1–7; 14:9 dhe kërko atë që të lë mbresa rreth Samuelit.
-
Çfarë mësove rreth profetëve nga shembulli i Samuelit? (Merre parasysh ta shtosh çdo të vërtetë që gjete në listën tënde.)
Një nga të vërtetat që mund të kesh përcaktuar është se mesazhi i një profeti nuk është nga vetja; ai vjen nga Zoti. Merre parasysh t’i shenjosh frazat te Helamani 13:5, 7; 14:9 që e mbështetin këtë të vërtetë. Nëse dëshiron, mund edhe të lexosh te Helamani 7:29 dhe Doktrina e Besëlidhje 1:38; 21:4–5 si referenca‑kryq dhe t’i lidhësh ato me vargjet te Helamani 13.
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e kësaj të vërtete në mënyrën se si i dëgjojmë profetët?
-
Si mund të të ndihmojë kur ndihemi të tunduar t’i vëmë në dyshim ose kritikojmë ata?
Shpenzo disa minuta për ta shqyrtuar një pjesë të një bisede të fundit të konferencës së përgjithshme nga profeti. Mendo për Zotin dhe shqetësimet e Tij për ty. Përpiqu ta lexosh bisedën sikur të jetë një mesazh nga Zoti. Përgatite njërën nga sa vijon:
-
Gjej një frazë ose mësim të caktuar që ti beson se është frymëzuar nga Zoti. Trego arsyen përse.
-
Përshkruaj se çfarë mund të bësh për të marrë një dëshmi vetjake se një mesazh nga profeti është nga Zoti.
Veprimtaria B: Nefitët u përgjigjen profetëve
Lexo te Helamani 13:24–29; 14:10, duke kërkuar qëndrimin e nefitëve ndaj profetëve.
-
Çfarë të vërtetash mund të përcaktosh në këto vargje rreth profetëve?
Mund të kesh përcaktuar një të vërtetë të ngjashme me atë në vijim: profetët e Zotit nuk gëzojnë popullaritet tek të ligjtë. Nëse dëshiron, mund ta mbash shënim këtë të vërtetë pranë këtyre vargjeve.
-
Në ç’mënyra e sheh këtë të vërtetë në kohën tonë?
-
Si mund të jenë ata që i kritikojnë dhe i kundërshtojnë profetët “drejtues të marrë dhe të verbër”? (Helamani 13:29.)
-
Nëse nuk vijmë te Shpëtimtari për t’u penduar dhe përmirësuar, si mund të jetë të zgjedhësh “errësirën në vend të dritës”? (Helamani 13:29.)
Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim:
“Profetët … nuk mund ta ndryshojnë mesazhin e Zotit thjesht për t’i bërë njerëzit të ndihen rehat. Ata janë tepër dashamirës për të qenë kaq mizorë. Jam shumë mirënjohës që profetët nuk e dëshirojnë popullaritetin.” (Spencer W. Kimball, “Listen to the Prophets”, Ensign, maj 1978, f. 77)
Përfytyro dikë që beson se duhet të jetë në gjendje të “bë[jë] çdo gjë që [i] do zemra” (Helamani 13:27). Si rezultat, ai mërzitet kur profetët e ftojnë atë të pendohet. Bazuar në atë që ke mësuar, përgatit një përgjigje ndaj këtij shqetësimi ose kësaj kritike.
Veprimtaria C: Zoti e ruan Samuelin
Shikoje me kujdes figurën nga fillimi i mësimit. Ajo paraqet se çfarë ndodhi në fund të predikimit të Samuelit.
Lexo te Helamani 16:1–8, duke kërkuar dhe shenjuar provën e të vërtetës që fuqia e Perëndisë është me profetët e Tij. (Merre parasysh ta shtosh këtë të vërtetë në listën tënde.)
-
Çfarë prove pe që Perëndia ishte me Samuelin?
Ndonëse jo të gjithë profetët janë të mbrojtur në këtë mënyrë, Perëndia i mbron profetët e Tij derisa ta përfundojnë punën e tyre (shih te Mosia 13:1–4; Doktrina e Besëlidhje 122:9).
Zgjidh një profet nga shkrimet e shenjta ose historia e Kishës. Renditi provat që Perëndia ishte me atë profet. Merre parasysh t’u referohesh shembujve vijues të Noeut, Moisiut, Pjetrit dhe Jozef Smithit.
(shih te Zanafilla 7:7, 10–13, 17, 23)
(shih tek Eksodi 14:21–30)
(shih te Veprat e Apostujve 12:4–11)
(shih te Joseph Smith – Historia 1:15–25)
Tani rendit provat se Perëndia është edhe me profetët e Tij bashkëkohorë. Shembujt mund të përfshijnë se si mësimet ose ftesat e profetëve bashkëkohorë na kanë ndihmuar të përballemi me vështirësitë e kohës sonë.
-
Përse mund të jetë e dobishme t’i kujtosh këto prova?
Ashtu si populli i Nefit, ne kemi fuqinë të zgjedhim nëse do t’i pranojmë mësimet e profetit ose do të reagojmë me kritikë dhe zemërim. Në ditarin tënd të studimit, mbaje shënim atë që mësove rreth profetëve dhe se si ndihesh rreth tyre. Ndërsa vazhdon ta studiosh atë që Samuel lamaniti dha mësim këtë javë, kërko me lutje të mësosh nga mësimet e tij të frymëzuara dhe t’i zbatosh ato.