“Helamani 13, Pjesa 2: ‘Pendohuni dhe Shpëtoni’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 13, Pjesa 2”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 13, Pjesa 2
“Pendohuni dhe Shpëtoni”
A mendon se shumica e njerëzve e shohin pendimin si një dhuratë nga Perëndia apo si një ndëshkim? Përse? Samuel lamaniti i deshi edhe nefitët e ligj, aq shumë, saqë rrezikoi jetën e tij për t’u dhënë mësimin se pendimi është një dhuratë nga Jezu Krishti që çon në lumturi dhe shpëtim. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kapërcesh çdo pengesë ndaj pendimit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shtegu i saktë
Përfytyro sikur disa miq po mundohen të gjejnë një liqen në një mal të lartë për të cilin kanë dëgjuar por nuk e kanë vizituar asnjëherë. Ndërsa udhëtojnë nëpër shkretëtirë, ata takojnë një njeri që thotë se ka vite që jeton në atë zonë. Ai i paralajmëron se shtegu në të cilin ata ndodhen nuk çon te liqeni dhe është i rrezikshëm vende‑vende. Ai i këshillon të kthehen mbrapa dhe të rigjurmojnë hapat e tyre deri në një shteg të ndryshëm që do t’i çojë në mënyrë të sigurt atje.
-
Cilat janë disa arsye përse miqtë mund të mos e dëgjojnë këtë njeri?
Ashtu si njeriu në histori, hera-herës profetët mund të na paralajmërojnë për zgjedhje që nuk do të çojnë në lumturi, përparim dhe të na kthejnë tek Ati Qiellor. Ata mund të na nxitin të pendohemi dhe ta ndryshojmë jetën tonë.
-
Cilat janë disa arsye përse mund të mos pendohemi?
Në mësimin e mëparshëm, nëpërmjet mësimeve të Samuel lamanitit për nefitët, mund të kesh mësuar se Zoti e paralajmëron në mënyrë të mëshirshme popullin për pasojat e mëkatit dhe i fal ata që pendohen. Megjithatë, edhe kur e kuptojmë këtë të vërtetë, ne nuk pendohemi gjithmonë. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmën e Zotit për të ditur se si ta kapërcesh çdo pengesë ndaj pendimit tënd.
Pasojat e mëkatit
Lexo te Helamani 13:21–23, duke kërkuar disa nga qëndrimet dhe veprimet për të cilat Samueli tha se populli duhej të pendohej. Mund të jetë e dobishme të dish se një mallkim “sjell gjykime dhe pasojat e tyre mbi një send, njeri ose popull, kryesisht për shkak të padrejtësisë së tyre” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mallkoj, Mallkim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Krahas pasurive, cilat janë disa gjëra të tjera që mund të tundohemi t’i “vë[m]ë zemrat [tona]” dhe t’i “kujto[jmë] gjithmonë” më shumë sesa Zotin?
Te vargjet 24–30, edhe Samueli i paralajmëroi njerëzit rreth refuzimit të profetëve nga ana e tyre.
Lexo te Helamani 13:31–38 dhe plotësoje parimin vijues me fjalët e tua: Nëse i refuzojmë vazhdimisht ftesat e profetëve për t’u penduar …
Një dhuratë nga Perëndia
Siç u dëshmoi Samueli nefitëve, “asgjë nuk mund t[ë na] shpëtojë … veçse pendimi dhe besimi në Zotin Jezu Krisht” (Helamani 13:6). Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit për ne, “në qoftë se [ne] pendohemi dhe kthehe[m]i te Zoti, Perëndia [ynë], [Ai] do ta largoj[ë] zemërimin [e Tij]” (Helamani 13:11).
Ndërsa e lexon thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, kërko të vërtetat që ai dha mësim që mund të na ndihmojnë t’i kapërcejmë pengesat ndaj pendimit.
“Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë. …
Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. …
Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67)
-
Si mund ta ndihmojë thënia e Presidentit Nelson dikë t’i kapërcejë pengesat ndaj pendimit?
-
Cilat rezultate të pendimit të përmendura nga Presidenti Nelson i dëshiron më shumë? Përse?
-
Çfarë dha mësim Presidenti Nelson rreth Shpëtimtarit që mund ta ndihmojë dikë ngurrues të pendohet?
Pendimi
Mund të ketë pengesa të tjera ndaj pendimit që Presidenti Nelson nuk i trajtoi, ose për të cilat mund të na duhet ndihmë ose përgjigje shtesë. Shpenzo disa minuta për të studiuar dhuratën e pendimit, duke kërkuar përgjigje ndaj pyetjeve që mund të kesh ose për të vërtetat që mund të të ndihmojnë t’i kapërcesh pengesat ndaj pendimit me të cilat përballesh. Burimet që mund të të ndihmojnë përfshijnë zërin “Pendohem, Pendim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe mësimin “Jezu Krishti do t’ju ndihmojë” te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (broshurë, 2022).
-
Çfarë mësove që ishte e dobishme për ty?
-
Si mund të na ndihmojë Shpëtimtari gjatë gjithë procesit të pendimit?
Lexoje ftesën vijuese nga Presidenti Nelson:
“Me lutje kërkoni të kuptoni se çfarë qëndron si pengesë në udhën e pendimit tuaj. Përcaktojeni atë gjë që ju ndalon të pendoheni. Dhe më pas, ndryshoni! Pendohuni! Ne të gjithë mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë se kurrë më parë.” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68)
Shpenzo ca kohë për të përsiatur dhe lutur dhe për të shkruar se çfarë ndien ti se do të donte Ati Qiellor të bëje për t’u penduar.