Seminari
3 Nefi 1: “Profecitë e Profetëve Filluan të Përmbusheshin”


“3 Nefi 1: ‘Profecitë e Profetëve Filluan të Përmbusheshin’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 1

“Profecitë e Profetëve Filluan të Përmbusheshin”

Nefitët duke parë yllin e ri

Si mund të ketë qenë të prisje dhe ta shihje yllin që lajmëronte lindjen e Jezu Krishtit? Besimtarët nefitë vëzhguan për shenjat që Samuel Lamaniti profetizoi se do të vinin (shihni te Helamani 14), por mosbesuesit kërcënuan se do t’i vrisnin po të mos shfaqeshin shenjat. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh siguri më të madhe që Zoti do t’i përmbushë të gjitha fjalët që thotë nëpërmjet profetëve të Tij.

Dëshmimi për Jezu Krishtin. Nxënësit mund të forcohen kur ju jepni dëshmi për Jezu Krishtin. Kërkoni mundësi për t’ua treguar nxënësve ndjenjat tuaja rreth Shpëtimtarit dhe arsyen pse përpiqeni fort ta ndiqni Atë.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të përgatiten të japin një shembull të mënyrës se si ose të arsyes pse pasja e besimit te Jezu Krishti mund ta forcojë dikë në kohë të pasigurta ose të trazuara.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të forcuar me anë të besimit

Pyetja vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë veten. Nga nxënësit nuk duhet të pritet që t’i tregojnë përgjigjet e tyre.

  • Në një shkallë nga njëshi te pesa, ku pesë është më e forta, si do ta renditje nivelin tënd të besimit ose sigurisë që Perëndia i përmbush fjalët e profetëve të Tij? Përse?

Kur Samuel Lamaniti erdhi mes nefitëve, ai profetizoi se “pasi pesë vjet më shumë vijnë dhe vini re, atëherë vjen Biri i Perëndisë” (Helamani 14:2). Profetët kishin profetizuar rreth ardhjes së Jezu Krishtit prej mijëra vjetësh dhe koha e pritur për lindjen e Tij kishte ardhur. Libri i 3 Nefit fillon në fund të atyre pesë vjetëve.

  • Po të ishe njëri nga ata që i besuan Samuelit, çfarë mendon se do të kishe ndier në këtë kohë?

Ndërsa studion, kërko ngjashmëri mes rrethanave tek 3 Nefi 1 dhe rrethanave në kohën tonë. Nëse do, mund të shenjosh fjalë dhe fraza kuptimplota që e forcojnë mirëbesimin tënd te Perëndia dhe te fjalët e profetëve të Tij.

Besimtarët nefitë

Në fillim të kapitullit 3 Nefi 1, ne mësojmë se Nefi, i biri i Helamanit, ishte larguar nga vendi dhe se biri i tij, Nefi, ishte tani profet mes nefitëve.

Lexo tek 3 Nefi 1:4–9, duke kërkuar sfidat me të cilat u përballën besimtarët nefitë në këtë kohë.

  • Si mendon, çfarë iu mundësoi disave që të “pritnin të palëkundur” (vargu 8) pavarësisht nga kërcënimi me vdekje?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i lexojnë dhe diskutojnë pyetjet vijuese në grupe të vogla. Një nxënës nga secili grup mund të shkruajë më pas në tabelë përgjigjen e grupit të vet për pyetjen e fundit.

Lexo tek 3 Nefi 1:10–14 për të mësuar atë që ndodhi më pas.

  • Si e imagjinon se u ndje Nefi kur dëgjoi zërin e Zotit?

  • Si mendon, çfarë donte Zoti që të kuptonte Nefi dhe populli?

  • Çfarë të vërtetash mund të përcaktosh nga këto vargje?

Fjalët e profetëve do të përmbushen

Mes disa të vërtetave që gjenden në këto vargje, ne mësojmë se Zoti do t’i përmbushë të gjitha fjalët që ka thënë nëpërmjet profetëve të Tij. Nëse do, mund ta shenjosh këtë të vërtetë te vargu 13.

Të vërteta të tjera që nxënësit mund të përcaktojnë nga këto vargje përfshijnë: Zoti do të na i dëgjojë lutjet tona për të tjerët ose Jezu Krishti erdhi në botë për të bërë vullnetin e Atit.

Merreni parasysh t’i vini nxënësit t’i lexojnë në dyshe vargjet vijuese.

Lexo tek 3 Nefi 1:15–22, duke kërkuar se si reagoi populli kur profecia u përmbush.

Mund t’i diskutoni pyetjet vijuese (ose të tjera që ju vijnë ndër mend) për t’i ndihmuar nxënësit t’i lidhin shkrimet e shenjta me jetën e tyre vetjake.

  • Si mendon, pse njerëzit reaguan aq ndryshe?

  • Si u forcuan besimtarët gjatë kësaj përvoje?

  • Në çfarë mënyrash mund ta shtojë kjo përvojë sigurinë që ke në planin e Zotit për jetën tënde?

Përvoja jote

Si nefitët tek 3 Nefi 1, ne jetojmë në kohë që mund të duken të mbushura me pasiguri për të ardhmen. Si mund të kemi siguri te Zoti dhe te fjalët e Tij të dhëna nëpërmjet profetëve të Tij?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Besnikëria nuk është marrëzi apo fanatizëm. Përkundrazi, do të thotë t’i mirëbesojmë dhe ta vendosim besimin tonë te Jezu Krishti si Shpëtimtari ynë, tek emri i Tij dhe te premtimet e Tij. Teksa ‘shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit’ [2 Nefi 31:20], ne bekohemi me një këndvështrim dhe largpamësi të përjetshme që shtrihen shumë përtej aftësisë sonë të kufizuar në vdekshmëri. Neve do të na mundësohet të ‘mblidhe[mi] së bashku dhe … të qëndroj[m]ë në vende të shenjta’ [Doktrina e Besëlidhje 101:22] dhe të ‘mos lëviz[im], derisa dita e Zotit të vijë’ [Doktrina e Besëlidhje 87:8].” (Dejvid A. Bednar, “Ne do t’i Provojmë me Këtë”, Liahona, nëntor 2020, f. 11)

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme që të përsiatin sa vijon. Sipas nevojës, tregoni disa nga situatat e renditura. Mund të jetë e dobishme që nxënësit tʼi shënojnë mendimet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Jini i ndjeshëm dhe i vetëdijshëm që disa nxënës mund të preken emocionalisht ndërsa i marrin parasysh sfidat e tyre vetjake. Ndiqini nxitjet e Shpirtit ndërsa kërkoni t’i drejtoni ata për te Shpëtimtari.

Mendo rreth arsyes pse mund të kesh vështirësi mes pasjes së besimit te Perëndia dhe të ndierit të pasigurisë ose frikës për jetën tënde. Këto arsye janë personale për çdo individ por mund të përfshijnë sa vijon:

  • Të qenit i përqeshur ose i sulmuar për besimin tënd te Jezu Krishti

  • Pasja e marrëdhënieve të trazuara familjare, përfshirë prindër të ndarë me shkurorëzim

  • Përjetimi i ankthit ose depresionit

  • Shqetësimi rreth njerëzve të dashur që përjetojnë tërheqje mes së njëjtës gjini

  • Vuajtja nga varësia ose lufta për të mposhtur zakone dëmtuese

  • Druajtja se bekimet e ungjillit janë të paarritshme

  • Të ndierit i padenjë ose i pafalshëm

Te Gjoni 16:33, Jezu Krishti pohoi: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”.

  • Çfarë kanë zbuluar profetët rreth Jezu Krishtit që mund të të frymëzojë ta mbash besimin tek Ai? (Nëse do, mund të lexosh tek Alma 7:11–13; Ethëri 12:27; Isaia 25:8–9.) Si mendon se mund të të ndihmojë Ai në rrethanat e tua?

  • Kur të ka forcuar ty ose dikë që ti e njeh mirëbesimi te Zoti ose te fjalët e profetëve të Tij në një kohë pasigurie ose frike? Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e kësaj përvoje që ta dallosh ndihmën e Tij në jetën tënde?

Si t’ju nxitë Shpirti, nëse doni, mund t’iu kërkoni nxënësve të tregojnë se çfarë u ka bërë përshtypje sot. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe për sigurinë tuaj në fjalët profetike dhe profecitë rreth Tij.

Nëse do, mund t’i shënosh ndjenjat e tua rreth asaj që ke mësuar sot. Mund të përfshish veprime që ndien nxitjen të ndërmarrësh ose mënyrën se si forcohesh nga të kuptuarit se Perëndia i përmbush fjalët që thotë nëpërmjet profetëve të Tij.