Seminari
Mormoni 3–6: Rënia e Kombit Nefit


“Mormoni 3–6: Rënia e Kombit Nefit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mormoni 3–6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mormoni 3–6

Rënia e Kombit Nefit

beteja përfundimtare e nefitëve

A ke qenë ndonjëherë i shqetësuar për dikë që e do? Duke folur për njerëzit rreth tij, Mormoni tha: “Unë i kisha udhëhequr … dhe i desha ata … me gjithë zemrën time” (Mormoni 3:12). Megjithatë Mormoni shqetësohej dhe vajtonte për popullin e tij teksa ata njerëz po shkonin drejt shkatërrimit për shkak se kishin refuzuar të drejtoheshin te Perëndia për ndihmë. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndiesh rëndësinë e të drejtuarit tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari në jetën tënde.

Jepni një vështrim të përgjithshëm të temave të rëndësishme të shkrimit të shenjtë. Nxënësit mund ta kuptojnë më mirë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta kur e shohin tablonë e madhe. Vini në dukje individë të rëndësishëm, ngjarje dhe mësime profetike në një temë të caktuar. Nxitini nxënësit të marrin parasysh se si këto elemente ndikojnë në kuptueshmërinë e tyre për ungjillin e Zotit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përpiqen të kujtojnë një kohë kur Perëndia i ndihmoi gjatë një vështirësie për shkak se i kërkuan Atij ndihmë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çfarë do të bëje?

Plaku Spenser J. Kondi, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi historinë e një burri të quajtur Mërri Ling, që po kalonte mbi një urë me makinë natën kur pa makinën para tij të zhdukej papritmas. Një pjesë e madhe e urës përpara tij ishte shembur. Mërri shkeli frenat dhe e ndaloi makinën e tij fiks në kohë.

  • Po të ishe në situatën e Mërrit, cilat do të ishin disa nga gjërat e para që do të bëje pasi ta ndaloje makinën tënde?

Lexoje rrëfimin vijues se çfarë zgjodhi të bënte Mërri. Nëse dëshiron, mund ta shikosh materialin filmik “Prophets Warning” [“Paralajmërimi i Profetëve”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 0:58.

2:3

“Mërri … filloi t’i paralajmëronte shoferët që po afroheshin, për fatkeqësinë që i priste. Ndërsa i tundte krahët si i çmendur, u tmerrua nga një makinë që “devijoi rreth tij dhe ra në humnerë” (Stephen Johnson, “Over the Edge!” Reader’s Digest, nëntor 1977, f. 128). Një makinë e dytë mezi ndaloi në kohë, por një makinë e tretë nuk tregoi asnjë shenjë se do të ndalonte dhe u përplas me makinën e Lingut në cep të urës.

Papritmas një autobus i mbushur plot, u nis drejt Mërrit, duke i shpërfillur krahët e tij që tundeshin.” (Spencer J. Condie, “A Mighty Change of Heart”, Ensign, nëntor 1993, f. 17)

  • Po të ishe në situatën e Mërrit, si do të ndiheshe nëse njerëzit do të të shpërfillnin? A do të hiqje dorë nga përpjekja për t’i shpëtuar ata? Përse po ose përse jo?

Ashtu si Mërri Ling, Mormoni pa se populli i tij ishte nisur drejt shkatërrimit. Si drejtues i ushtrive nefite dhe si një profet i Perëndisë, Mormoni bëri gjithçka që mundej për t’i paralajmëruar ata, për t’i mbrojtur ata dhe për t’u dhënë atyre mësim rreth Shpëtimtarit. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e popullit të tij i shpërfilli ose refuzoi përpjekjet e Mormonit.

Rreziku që e priste popullin e Mormonit

Në njohurinë e Tij paraprake, Perëndia i kishte paralajmëruar nefitët për qindra vite rreth asaj që do të ndodhte nëse do të vazhdonin të ngrinin krye kundër Tij.

Për të parë një shembull, lexo te Helamani 13:8–10, duke kërkuar një profeci që Perëndia e bëri nëpërmjet Samuel lamanitit më shumë se 300 vjet para se të lindte Mormoni. Ndërsa lexon, vër re se kur u përmbush profecia. (Shih te 1 Nefi 12:6, 11–19 dhe 3 Nefi 27:30–32 për më shumë shembuj të njohurisë paraprake dhe paralajmërimeve të Perëndisë që do të përmbusheshin në kohën e Mormonit.)

  • Pse mendon se Perëndia do ta bënte të njohur këtë kaq kohë përpara?

Ftojini nxënësit t’i lexojnë fragmentet vijuese dhe të mendojnë përse Mormoni përpiqej kaq shumë ta ndihmonte popullin e tij edhe pse i dinte profecitë e shkatërrimit të tij. Më pas ftojini ata t’ia tregojnë idetë e tyre një partneri. Përgjigjet mund të përfshijnë dëshirën e Mormonit për të shpëtuar sa më shumë njerëz të mundej edhe pse e dinte se kombi nefit do të shkatërrohej.

  • Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet përpjekjeve dhe dëshirave të Mormonit dhe atyre të Shpëtimtarit?

Thirrja ndaj Perëndisë

Merreni parasysh ta shkruani fjalinë e papërfunduar vijuese në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të vijnë në tabelë dhe ta plotësojnë hapësirën bosh me vështirësitë e zakonshme të adoleshentëve.

  • “Shumë adoleshentë sot hasin vështirësi me ”.

Mormoni tregoi një prej arsyeve përse nefitët kishin kaq shumë vështirësi në betejat e tyre. Lexo vargun te Mormoni 5:2, duke kërkuar atë që NUK bënë nefitët ndërkohë që po luftonin.

  • Si mund të gjejë zbatim ajo që tregoi Mormoni në vargun 2, te shumë njerëz sot?

Përfundoje thënien në tabelë që të jetë si vijon:

  • “Shumë adoleshentë sot luftojnë me pa i thirrur Perëndisë për ndihmë”.

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Perëndia nuk do t’i heqë gjithmonë gjërat me të cilat luftojmë, por që Ai do të na ndihmojë gjatë tyre nëse drejtohemi tek Ai. Ftojini vullnetarët të tregojnë raste kur i kanë thirrur Perëndisë për ndihmë për një nga betejat në tabelë dhe se si Perëndia i ndihmoi ta kalonin atë. Këshillojini nxënësit të mos i tregojnë klasës ndonjë gjë tepër vetjake.

Ftojini nxënësit të përsiatin nëse kanë beteja në jetën e tyre për të cilat nuk i kanë kërkuar ndihmë Perëndisë. Nxitini ata ta kërkojnë ndihmën e Tij në një nga ato fusha dhe të vënë re ndryshimin që sjell kjo me kalimin e kohës.

Shkatërrimi i nefitëve

Merreni parasysh ta paraqitni këtë figurë dhe ta ftoni një nxënës të tregojë se çfarë portretizon ajo. Nëse është e nevojshme, përdoreni materialin e paragrafit vijues.

Mormon Bids Farewell to a Once Great Nation [Mormoni i Jep Lamtumirën një Kombi Dikur të Madh], nga Arnold Friberg

Pasi i deshi, u dha mësim dhe i drejtoi ushtritë nefite për dekada, Mormoni u plagos rëndë në betejën përfundimtare me lamanitët. Nga maja e një kodre, ai mbikëqyri çfarë kishte mbetur nga kombi nefit. Vetëm 24 ushtarë nefitë i mbijetuan kasaphanës, duke përfshirë Mormonin dhe djalin e tij, Moronin (shih te Mormoni 6:9–15).

Te Mormoni 6, Mormoni shënon “betejën e fundit të popullit [të tij]” (Mormoni 6:6). Lexo te Mormoni 6:7, 10–15, duke kërkuar se çfarë u ndodhi nefitëve në këtë betejë përfundimtare.

Nëse dëshironi, mund t’i vini nxënësit të zbulojnë se sa nefitë u mblodhën në fillim të betejës dhe sa mbetën pas betejës. Ata mund të vënë re se ishin 23 komandantë nefitë që kishin secili 10 000 ushtarë, për një total prej 230 000 nefitësh. Vetëm 24 nefitë i mbijetuan kësaj beteje përfundimtare.

Imagjino sikur je në pozitën e Mormonit, duke vajtuar humbjen e njerëzve që do, por duke e ditur se mund të lësh gjithsesi një mesazh të shkurtër për brezat e ardhshëm. Çfarë do të doje që të dinin njerëzit në ditët e mëvonshme?

Lexo te Mormoni 5:10–11, 16–18; 6:16–20 për të parë disa nga mesazhet që Mormoni u frymëzua të gdhendte për ne. Nëse dëshiron mund t’i shenjosh frazat që mendon se njerëzit në kohën e sotme kanë më shumë nevojë t’i dëgjojnë.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’ia tregojnë frazat që gjetën një partneri. Ndërsa nxënësit i përcaktojnë të vërtetat, nëse dëshironi mund t’i shkruani ato në tabelë. Pjesa tjetër e këtij mësimi përqendrohet në të vërtetën vijuese. Mund ta ndieni si mbresë të përqendroheni në një të vërtetë tjetër që e përcaktojnë nxënësit.

Një e vërtetë që Mormoni e dha mësim, është se Jezu Krishti qëndron krahëhapur për t’i pranuar ata që zgjedhin të pendohen dhe vijnë tek Ai (shih te Mormoni 6:17).

Merre parasysh t’i mbyllësh sytë për një çast dhe ta imagjinosh Jezusin duke qëndruar në këmbë dhe duke të të parë krahëhapur. Shënoji në ditarin tënd mendimet, ndjenjat dhe mbresat se çfarë kuptimi ka në jetën tënde që Jezusi qëndron krahëhapur për të të pranuar.

Nxitini nxënësit të tregohen të kujdesshëm për të mos treguar asgjë tepër vetjake nëse i diskutoni pyetjet vijuese me klasën.

  • Për cilin nga mësimet e Mormonit ke më shumë nevojë në jetën tënde? Përse?

  • Çfarë donte Mormoni që të kuptoje rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

  • Si mendon se bota jonë do të ishte ndryshe nëse më shumë njerëz do ta besonin atë që shkroi Mormoni?