Seminari
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8: 3 Nefi 8–Mormoni 6


“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8: 3 Nefi 8–Mormoni 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8

3 Nefi 8Mormoni 6

filiza në faza të ndryshme të rritjes

Reflektimi për të mësuarit tënd shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të të ndihmojnë të afrohesh më shumë me Shpëtimtarin. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen që ke përjetuar gjatë studimit tënd më të fundit të kapitujve te 3 Nefi 8 deri te Mormoni 6.

Jepuni nxënësve kohë për të reflektuar. Lëruni nxënësve kohë për të kujtuar dhe reflektuar mbi atë që kanë mësuar. Bëni pyetje ose zhvilloni veprimtari për t’i ndihmuar nxënësit të hetojnë për ndjenja në kujtimet e tyre. Mund të bëni ftesë për çaste heshtjeje duke u kërkuar nxënësve të mendojnë, ndiejnë dhe shkruajnë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar ose mënyrat se si janë rritur shpirtërisht gjatë pak javëve të fundit. Mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të shqyrtojnë ditarin e tyre të studimit ose shënimet në shkrimet e tyre të shenjta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kontrollet para fluturimit

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, tregoi një mësim të rëndësishëm që e mësoi gjatë kohës së tij si pilot:

“Kur pilotoni një aeroplan, ju e mësoni shpejt se kursi i fluturimit tuaj varet shumë nga mënyra se si i trajtoni ndikimet e jashtme sfiduese, si era dhe moti. Megjithatë, akoma më të rëndësishme janë vendimet që merrni si përgjigje ndaj atyre ndikimeve të jashtme. … Për t’i marrë ato vendime në mënyrë të saktë, është e dobishme të dini se cili është pozicioni juaj i tanishëm.” (Dieter F. Uchtdorf, “As You Embark upon This New Era”, BYU Speeches, 23 prill 2009, f. 4)

  • Përse është e rëndësishme për një pilot/e që ta dijë pozicionin e tij ose të saj aktual përpara se të marrë ndonjë vendim?

  • Si lidhet shembulli i një piloti/eje që e përcakton pozicionin e tij ose të saj aktual, me përmirësimin tënd shpirtëror?

Përpara se të shqyrtosh tema të veçanta që i ke mësuar në seminar, merre parasysh atë që të ka bërë përshtypje në mënyrë më të përgjithshme. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë. Merre parasysh t’i shënosh përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.

Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme. Pas kohës për të shkruar, ftojini nxënësit t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Çfarë ke mësuar nga studimet e tua të fundit që ka pasur më shumë ndikim?

  • Çfarë ndryshimesh ke vënë re në ndjenjat dhe qëndrimet e tua kohët e fundit?

  • Cilat janë disa mënyra se si e ke zbatuar atë që ke mësuar?

Në këtë mësim, nxënësit do të kenë mundësinë ta shpjegojnë doktrinën e Krishtit, vlerësojnë ndikimin që studimi i librit 3 Nefi prej tyre ka pasur në ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit, si dhe të reflektojnë mbi mënyrën se si po marrin pjesë në mbledhjen e Izraelit. Nëse është e nevojshme, përshtatini veprimtaritë në këtë mësim për t’i ndihmuar nxënësit tuaj ta vlerësojnë veten për elementet që u theksuan gjatë studimit tuaj në orën mësimore të kapitujve te 3 Nefi deri te Mormoni 6.

Shpjegimi i doktrinës së Krishtit

Kjo pjesë e mësimit ka për qëllim t’u japë nxënësve një mundësi për ta shpjeguar doktrinën e Krishtit duke përdorur mësimet e Tij nga 3 Nefi 11:31–39 dhe 3 Nefi 27:13–22.

Mund të të kujtohet se pak pasi Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq për herë të parë nefitëve, Ai tregoi të vërteta të rëndësishme rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë bekimet e jetës së përjetshme (shih te 3 Nefi 11:31–39 dhe 3 Nefi 27:13–22). Ne shpesh i quajmë këto mësime “doktrina e Krishtit” (2 Nefi 31:21). Ti do të kesh një mundësi për t’i shpjeguar mësimet e Shpëtimtarit me fjalët e tua duke përdorur skenarin vijues:

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dyshe për ta punuar skenarin vijues. Pasi partneri i parë i përgjigjet pyetjes, mund t’i ftoni nxënësit që nuk kanë folur ende, të gjejnë një partner të ri për t’ia treguar përgjigjen e tyre që të mos bëhet e përsëritur.

Imagjino sikur ke një shok, Xhoshin, që ka shfaqur interes për Kishën. Megjithëse ndihet mirë për atë që po mëson, ai nuk e kupton nevojën për t’u pagëzuar.

  • Cilat vargje nga Libri i Mormonit mund të përdorje për ta ndihmuar Xhoshin ta kuptojë doktrinën e Jezu Krishtit? (Nëse nuk je i sigurt se ku të fillosh, mund të shohësh vargjet te 3 Nefi 11:31–39 ose 3 Nefi 27:13–22.)

  • Si mendon se mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje mund të ndihmojnë të trajtohet shqetësimi i Xhoshit?

Reflekto mbi ndjenjat e tua rreth Jezu Krishtit

Kjo pjesë e mësimit ka për qëllim t’u japë nxënësve një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si ndjenjat e tyre për Shpëtimtarin janë ndikuar nga ajo që mësuan rreth Tij gjatë studimit të tyre të librit 3 Nefi.

Shkrimet e shenjta janë një burim me vlerë për ne për të mësuar më shumë rreth karakterit të Jezu Krishtit. Në disa mësime, duke nisur me mësimin 3 Nefi 8–10, të ftuan të bëje një listë të gjërave që mësove rreth Jezu Krishtit ndërsa Ai u dha shërbesë nefitëve pas Ringjalljes së Tij. Mund të kesh pasur edhe disa përvoja në të cilat ke imagjinuar sikur ke qenë i pranishëm ndërsa Shpëtimtari u jepte shërbesë nefitëve. Reflektimi mbi shënimet e tua ose disa prej çasteve që ke përfytyruar, mund të të ndihmojë të ndiesh dashuri për Shpëtimtarin dhe prej Tij.

Nëse e krijuat listën e përmendur në paragrafin e mëparshëm si klasë, mund të jetë e dobishme ta paraqitni atë në mënyrë që nxënësit të mund t’i referohen gjatë kësaj veprimtarie.

Shpenzo disa minuta për ta shqyrtuar listën tënde në ditarin tënd të studimit, duke kërkuar se çfarë mësove rreth Krishtit që mund të ndikojë në ndjenjat e tua për Të. Përndryshe, mund t’i shqyrtosh titujt e kapitujve ose shkrimet e shenjta që shenjove në studimin tënd të librit 3 Nefi me të njëjtën gjë në mendje.

  • Cilat janë disa prej gjërave më të rëndësishme që ke mësuar ose ndier për Jezu Krishtin ndërsa e studiove shërbesën e Tij te nefitët? Përse?

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mendojnë për përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve dhe t’i shkruajnë ato, mund t’i ndani ata në grupe të vogla për të treguar se çfarë shkruan. Kjo mund të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për të ftuar vullnetarë që t’ia tregojnë klasës dëshminë e tyre rreth asaj që kanë mësuar dhe ndier për Jezu Krishtin.

Pjesëmarrja në mbledhjen e Izraelit

Kjo pjesë e mësimit është hartuar për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ata po marrin ose mund të marrin pjesë në mbledhjen e Izraelit.

Ndërsa i studiove kapitujt te 3 Nefi 15–16; 20–22 dhe 25, ti mësove rreth dëshirës së Zotit për ta mbledhur Izraelin. Mund të kesh bërë plane për ta ndihmuar dikë që të vijë më pranë Jezu Krishtit dhe të marrë pjesë në punën në tempull ose për historinë familjare.

Nëse gjatë studimit të kapitujve të përmendur në paragrafin e mëparshëm, i ftuat nxënësit të hartojnë plane për të ndihmuar të mblidhet Izraeli, jepuni atyre kohë për t’i shqyrtuar planet e tyre.

Për nxënësit që nuk kanë bërë ende plane, mund të jetë e dobishme të vizatoni një rreth në tabelë. Pjesa e brendshme e rrethit mund të përfaqësojë ata që janë mbledhur me Izraelin. Ftojini nxënësit t’i shkruajnë brenda rrethit mënyrat e ndryshme se si të rinjtë mund ta ndihmojnë Zotin në mbledhjen e Izraelit. Një shembull mund të përfshijë dhënien e mësimeve nga Libri i Mormonit për të tjerët, qoftë personalisht, nëpërmjet medias shoqërore ose nëpërmjet mjeteve të tjera.

Ndalo një çast për t’i shqyrtuar planet që mund të kesh bërë kohët e fundit, që të ndihmojnë të marrësh pjesë në mbledhjen e Izraelit.

Përdori disa ose të gjitha pyetjet vijuese për të të ndihmuar ta vlerësosh ecurinë tënde me planet e tua:

  • Çfarë ke bërë për të vepruar sipas planeve të tua?

  • Çfarë mësove nga të vepruarit sipas planeve të tua? Si u rrite?

  • Çfarë dëshiron të bësh ende për të marrë pjesë në mbledhjen e Izraelit?