Seminari
Ethëri 1: “Lute Zotin”


“Ethëri 1: ‘Lute Zotin’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 1

“Lute Zotin”

e re duke u lutur

Si ndryshon komunikimi yt me Zotin kur përballesh me sfida? Kur njerëz të ligj u përpoqën të ndërtonin një kullë për të arritur në qiell, Zoti e ngatërroi gjuhën e tyre në mënyrë që të mos mund ta kuptonin njëri-tjetrin (shih te Zanafilla 11:1–9). Vëllai i Jaredit iu lut Zotit, duke i kërkuar ta kursente familjen dhe shokët e tij nga kjo ngatërresë (shih tek Ethëri 1:34–37). Zoti iu përgjigj lutjeve të tij të zellshme me dhembshuri dhe mëshirë. Ky mësim ka për qëllim të të frymëzojë të lutesh në mënyrë më të sinqertë dhe të qëndrueshme.

Mësimdhënia e koncepteve bazë. Nxënësit mund të dëgjojnë shpesh rreth koncepteve bazë në ungjillin e Jezu Krishtit (si lutja). Ndihmesa që nxënësit të shohin se si këto koncepte bazë mund ta bekojnë jetën e tyre, mund t’i ndihmojë ata të qëndrojnë të përfshirë në mësimet ku jepen këto koncepte bazë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Ethëri 1:34–37 dhe ta shenjojnë frazën “lute Zotin” [dhe variante të saj]. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë kuptimi ka për ta kjo frazë dhe se si mund të ndryshojë nga mënyrat se si lutemi ndonjëherë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Veprime të sinqerta dhe të qëndrueshme

Merreni parasysh t’i paraqitni ose shkruani në tabelë thëniet vijuese me plotësim të pjesëve të lëna bosh. Ftojini nxënësit të vendosen në dyshe ose grupe të vogla dhe të tregojnë se si mund t’i plotësojnë pjesët e lëna bosh.

Mendo për një veprim që është mirë të bëhet, si studimi, ushtrimi ose shërbimi ndaj të tjerëve. Përdore atë veprim në thëniet vijuese dhe plotësoji frazat në mënyrën e duhur.

  • Nëse dikush (veprimi) herë pas here, atëherë .

  • Nëse dikush (veprimi) sinqerisht dhe vazhdimisht për një kohë të gjatë, atëherë .

  • Si mund t’i plotësosh po këto dy thënie duke përdorur veprimin e lutjes?

    Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen vijuese.

  • Cilat janë disa arsye përse mund të mos jemi gjithmonë aq të sinqertë ose të qëndrueshëm në lutjet tona sa do të donim?

Ftojini nxënësit t’i përsiatin përgjigjet e tyre për pyetjet në paragrafin vijues. Mos i ftoni ata t’i tregojnë përgjigjet e tyre.

Ndalu një çast për t’i përsiatur lutjet e tua. Çfarë të ndihmon të jesh i sinqertë dhe i qëndrueshëm? Çfarë mund të të pengojë të jesh i sinqertë dhe i qëndrueshëm? Përse mund të duash të përmirësohesh?

Teksa e studion këtë mësim, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë për lutjet e tua.

Libri i Ethërit

Në këtë pikë në Librin e Mormonit, Moroni përfshiu Librin e Ethërit. Ai përmban historinë e jareditëve. Ai u përkthye nga 24 fletë të arta që u gjetën nga njerëzit e dërguar nga Limhi (shih te Mosia 8:7–11; Ethëri 1:1–2). Ky libër fillon me rrëfimin e vëllait të Jaredit dhe lutjet e tij drejtuar Zotit. Shikoje boshtin kohor vijues (datat janë të përafërta) për të parë se kur jetoi ai krahasuar me njerëzit e tjerë që i ke studiuar në Librin e Mormonit këtë vit:

Merreni parasysh ta paraqitni boshtin kohor vijues për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë se kur jetuan jareditët. Kuptueshmëria e këtij konteksti të shkrimeve të shenjta mund t’i ndihmojë nxënësit të fitojnë më shumë ide ndërsa studiojnë.

boshti kohor i popujve të Librit të Mormonit nga viti 3000 pr.K. deri në vitin 400 ps.K.

Lexo tek Ethëri 1:33 për të parë se çfarë po ndodhte teksa filloi historia e jareditëve.

  • Çfarë di ti rreth “kull[ës së] madhe” dhe “Zoti[t që e] ngatërroi gjuhën e njerëzve” (Ethëri 1:33)?

Dëgjojini përgjigjet e nxënësve dhe përmblidheni historinë vijuese ose shikojeni materialin filmik vijues nëse është e dobishme.

Nëse kjo histori është e panjohur për ty, merre parasysh ta shohësh materialin filmik “The Tower of Babel” [“Kulla e Babelit”] (0:58), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, ose lexo te Zanafila 11:1–9 (shiko gjithashtu te paragrafi i dytë i faqes së titullit të Librit të Mormonit).

0:57
  • Si mund të ketë qenë të jetoje gjatë kësaj kohe?

Lutja drejtuar Perëndisë me besim

Ndonjëherë shkrimet e shenjta përmbajnë fraza të përsëritura për t’u dhënë atyre frazave më shumë theksim ose rëndësi. Kërkimi për këto fraza të përsëritura mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë se çfarë mësimi po përpiqej të jepte autori i frymëzuar.

Lexo tek Ethëri 1:34–37 për të parë se si u përpoqën t’i zgjidhnin problemet e tyre Jaredi dhe vëllai i tij. Merre parasysh t’i shenjosh frazat e përsëritura që tregojnë se si u lut vëllai i Jaredit dhe se si u përgjigj Zoti.

  • Çfarë mësove nga frazat që shenjove?

Dëgjoni me kujdes ndërsa nxënësit përgjigjen. Shkruajeni në tabelë çdo parim të vërtetë që ata japin.

Një parim që mësojmë nga ky rrëfim, është se, ndërsa e lutim Perëndinë me besim, Ai do të ketë dhembshuri për ne.

Ftojini nxënësit ta kujtojnë përgatitjen e tyre për orën mësimore. Pasi nxënësit t’i kenë shkruar mendimet e tyre rreth nxitjeve në vijim, merreni parasysh t’i vendosni ata në dyshe dhe t’i ftoni t’i tregojnë përgjigjet e tyre.

Shkruaje se si do t’ia shpjegoje dikujt këtë parim. Përfshiji pikat vijuese në shpjegimin tënd:

  • Si mendon, çfarë do të thotë ta lutësh Zotin me besim dhe si mund të ndryshojë kjo nga mënyra se si lutemi ndonjëherë

  • Çfarë të mësojnë rreth Tij përgjigjet e Zotit ndaj vëllait të Jaredit

  • Disa mënyra se si Zoti mund t’u përgjigjet lutjeve tona me dhembshuri

Për të parë një shembull bashkëkohor të Zotit që i përgjigjet me dhembshuri një lutjeje të sinqertë dhe të vazhdueshme, shikoje materialin filmik “Përgjigjet për Lutjen” nga kodi kohor 2:17 deri në 4:32, që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

2:3

Është e rëndësishme të kuptosh se ne nuk e dimë se sa kohë iu desh vëllait të Jaredit për t’i marrë përgjigjet e tij. Plaku Bruk P. Hejls, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi sa vijon:

“Ati është i vetëdijshëm për ne, i di nevojat tona dhe do të na ndihmojë në mënyrë të përsosur. Nganjëherë ajo ndihmë jepet pikërisht në çastin ose pak kohë pasi e kërkojmë ndihmën hyjnore. Ndonjëherë dëshirat tona më të zellshme dhe më të denja nuk plotësohen në mënyrën që shpresojmë, por ne mësojmë se Perëndia ka bekime më të mëdha që na presin në të ardhmen. Dhe ndonjëherë dëshirat tona të drejta nuk na plotësohen në këtë jetë.” (Bruk P. Hejls, “Përgjigjet për Lutjen”, Liahona, maj 2019, f. 12)

  • Si mendon, përse këto mësime janë të rëndësishme që ne t’i mbajmë mend?

    Nëse nxënësit do të përfitonin po të studionin më shumë rreth mënyrës se si Perëndia u përgjigjet lutjeve, merreni parasysh ta bëni veprimtarinë shtesë të titulluar “Përgjigje për lutjet” në këtë pikë të mësimit.

Nëse përgjigjet e tyre nuk janë tepër vetjake, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë disa mënyra se si Zoti ka treguar dhembshuri për ta ndërsa i janë lutur Atij. Ju mund të shtoni edhe përvojat tuaja.

Qëndrueshmëri në lutje

Lexo tek Ethëri 1:38–43; 2:5, 13–15, duke kërkuar ide të mëtejshme rreth lutjes dhe përgjigjeve të Zotit.

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan. Nëse është e dobishme, bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Cilat fraza tek Ethëri 1:43 dhe 2:14 tregojnë se si ndihet Zoti rreth qëndrueshmërisë sonë në lutje? Si mendon, përse dëshiron Ai që ne t’i lutemi Atij vazhdimisht?

  • Vëllai i Jaredit pati një kohë kur ishte më pak i qëndrueshëm në lutjet e tij (shih tek Ethëri 2:14). Cilat janë disa arsye përse mund të jemi më pak të qëndrueshëm në lutjet tona sot?

Përmirësimi i lutjes

Imagjino sikur je pjesë e një paneli diskutimi me të rinj rreth mënyrës se si t’i ndihmoni të rinjtë t’i përmirësojnë lutjet e tyre.

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës përpara klasës për një diskutim në panel. Nxënësit mund të hartojnë pyetjet e tyre për panelin ose të përdorin pyetjet më poshtë.

  • Cila është një gjë që ti e ke bërë ose mund ta bësh për t’i bërë lutjet e tua më kuptimplota ose të sinqerta?

  • Çfarë ke bërë që të ndihmon të lutesh në mënyrë të qëndrueshme? Cilat janë gjërat e tjera që mund t’i bësh?

  • Si mund të ndikojë të menduarit rreth marrëdhënies sate me Atin Qiellor në qëndrueshmërinë dhe sinqeritetin e lutjeve të tua? (Shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”.)

Kërkoje frymëzimin e Frymës së Shenjtë dhe përsiat për çdo ndryshim që ti e ndien se nevojitet ta bësh në lutjet e tua. Vendos një synim të veçantë dhe zotohu ta ndjekësh deri në fund çdo mbresë që merr.