Seminari
Ethëri 4–5: “T’u Shpalos Atyre të Gjitha Zbulesat e Mia”


“Ethëri 4–5: ‘T’u Shpalos Atyre të Gjitha Zbulesat e Mia’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 4–5”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 4–5

“T’u Shpalos Atyre të Gjitha Zbulesat e Mia”

Pamja
fletët e arta

A ndihesh gati të mësosh më shumë nga Zoti? Nëse jo, çfarë mund të bësh? Zoti e urdhëroi Moronin ta vuloste vegimin e regjistruar të vëllait të Jaredit dhe shpjegoi se këto shkrime do të zbulohen kur njerëzit të kenë besim siç pati vëllai i Jaredit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh se çfarë mund të bësh për të fituar zbulesë të mëtejshme.

Ndihmojini nxënësit të gjejnë domethënie vetjake në shkrimet e shenjta. Nxitini nxënësit të përdorin aftësi të ndryshme të studimit për ta përmirësuar kuptueshmërinë e tyre për shkrimet e shenjta. Nxënësit mund të kërkojnë hollësi në subjektin e ngjarjes, të bëjnë krahasime dhe lidhje ndërmjet rrëfimeve dhe jetës së tyre, si dhe të përcaktojnë se si do ta zbatojnë atë që kanë mësuar.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Ethëri 4 si pjesë e studimit të tyre të përditshëm të shkrimeve të shenjta, duke kërkuar për të vërtetat që mund t’i ndihmojnë të marrin zbulesë shtesë nga Zoti.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kur jemi gati

Mendo për një send që është veçanërisht me vlerë për ty ose familjen tënde.

Si shembull, ju mund të doni të shfaqni ose përshkruani diçka me vlerë për ju.

  • Megjithëse mund të duash t’ua tregosh të tjerëve këtë objekt, përse mund të jesh shumë i kujdesshëm kur ia lejoni një fëmije të vogël ta mbajë atë?

  • Çfarë do t’i nevojitej një fëmije të mësonte apo të bënte përpara se t’ia besosh atij apo asaj objektin?

Në mënyrë të ngjashme, Zoti dëshiron të na zbulojë të vërteta, por Ai pret derisa të jemi gati për t’i marrë ato (shih tek Alma 12:9–11).

Pjesa e vulosur e Librit të Mormonit

Një shembull i Zotit që pret para se ta zbulojë të vërtetën derisa të jemi gati, është pjesa e vulosur e Librit të Mormonit. Jozef Smithi u urdhërua të mos e hapte ose përkthente atë pjesë (shih tek Ethëri 5:1). Ajo përmban një anal të vegimit që iu dha vëllait të Jaredit.

Për të të ndihmuar të mësosh rreth pjesës së vulosur të Librit të Mormonit, përdori shkrimet e shenjta të renditura në kllapa për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese të vërteta ose të rreme.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i gjejnë përgjigjet për këto pyetje të vërteta ose të rreme në grupe të vogla. Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit t’i lexojnë thëniet dhe t’i gjejnë përgjigjet, më pas lexojini vargjet për të parë nëse ata kishin të drejtë.

Tri përgjigjet e para janë të vërteta, ndërkohë që dy të fundit janë të rreme.

  1. Shpëtimtari ia tregoi Veten vëllait të Jaredit dhe i dha atij shërbesë (Ethëri 3:20).

  2. Zoti ia tregoi vëllait të Jaredit të gjithë banorët e tokës, të mëparshëm dhe të ardhshëm, pa i fshehur atij asgjë (Ethëri 3:25; 4:4).

  3. Zoti e urdhëroi vëllanë e Jaredit t’i shënonte ato që mësoi dhe ta vuloste analin. Ai ishte në një gjuhë që Zoti e kishte ngatërruar dhe nuk mund të lexohej pa interpretues hyjnorë (Ethëri 3:21–22, 24, 27; 4:1).

  4. Zoti i dha vëllait të Jaredit tre gurë që mund të përdoreshin për ta përkthyer analin (Ethëri 3:23–24, 28).

  5. Askush nuk e ka lexuar analin e vëllait të Jaredit (Ethëri 4:2–5).

Fitimi i zbulesës së mëtejshme

Nëpërmjet Moronit, Zoti zbuloi se çfarë duhet të bëjmë për të ardhur tek Ai, për të marrë zbulesë dhe për t’u përgatitur për të marrë zbulesën e mëtejshme që përmbahet në pjesën e vulosur të Librit të Mormonit.

Shkruajeni në tabelë parimin e papërfunduar të renditur më poshtë.

Lexo me kujdes tek Ethëri 4:5–15, duke kërkuar mënyrat për ta përfunduar të vërtetën vijuese. Fraza “këto gjëra” te vargjet 8 dhe 11 i referohet Librit të Mormonit. Një vel, si në shembullin që jepet te vargu 15, është një perde apo një copë rrobë që përdoret për të mbuluar apo fshehur diçka.

  • Zoti do të na bekojë me zbulesë të mëtejshme ndërsa ne …

Ftojini nxënësit të shkruajnë në tabelë frazat nga shkrimet e shenjta që mund ta përfundojnë saktësisht këtë parim. Ata mund të përfshijnë edhe vargjet ku i gjetën ato fraza. Në vijim janë disa shembuj:

  • “pendohe[mi] … dhe … bëhe[mi] të pastër para Zotit” (Ethëri 4:6)

  • “ushtroj[m]ë besim” (Ethëri 4:7)

  • “[i besojmë] këto gjëra” (duke iu referuar asaj çfarë Zoti e ka zbuluar tashmë, sidomos Librit të Mormonit) (Ethëri 4:8, 11)

  • “[vijmë] te [Shpëtimtari]” (Ethëri 4:13–15)

  • lutemi “me një zemër të thyer dhe me shpirt të penduar” (Ethëri 4:15)

Merreni parasysh të pyesni nëse nxënësit kanë ndonjë pyetje rreth këtyre frazave. Nëse po, bëni veprimtarinë vijuese:

Nëse do të të ndihmonte ta kuptoje më mirë ndonjë prej këtyre frazave, kërkoji fjalët kyçe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ose programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Për shembull, mund të jetë e dobishme të shohësh zërin “zemër e thyer” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë dhe ndiejnë rëndësinë e këtyre veprimeve, ftojini ata të bëjnë të paktën njërën nga sa vijon:

  1. Mendo për një shembull të shkrimit të shenjtë ose bashkëkohor të dikujt që bën një ose më shumë prej këtyre veprimeve. Shkruaj se si këto veprime çuan në ndihmë dhe zbulesë nga Zoti.

  2. Mendo për një kohë kur bërja e një ose më shumë prej këtyre veprimeve çoi në një përgjigje ose udhërrëfim nga Zoti në jetën tënde. (Një shembull mund të jetë përsiatja për atë që ke mësuar dhe beson nëpërmjet studimit tënd deri tani në Librin e Mormonit dhe se si ajo ka çuar në zbulesë në jetën tënde.)

Ftojini nxënësit t’i tregojnë shembujt dhe përvojat e tyre.

  • Si mendon, përse Zoti do të na bekonte me më shumë zbulesë ndërsa jetojmë sipas mënyrës që Ai e përshkroi te vargjet 5–15?

  • Përse mosarritja për t’u bërë ata lloj njerëzish që përshkruhen nga Zoti, mund të na bëjë të papërgatitur për zbulesë të mëtejshme?

  • Çfarë të mëson kjo rreth Zotit dhe llojit të njerëzve që Ai dëshiron që të bëhemi?

Zoti do ta zbulojë pjesën e vulosur të Librit të Mormonit në “kohën [e Tij] të duhur” (2 Nefi 27:21) kur ne të ushtrojmë të njëjtin besim si vëllai i Jaredit (shih tek Ethëri 4:7). Në mënyrë të ngjashme, mund të ketë zbulesë të mëtejshme që Zoti po pret të ta japë. Për ta përmbyllur këtë mësim, bëj sa vijon:

  • Shqyrtoje përshkrimin në këto vargje të atyre që e ushtrojnë besimin dhe shenjtërohen, përsiat se në ç’mënyra ti ngjan me ta dhe në ç’mënyra mund të nevojitet të përmirësohesh.

  • Përsiat dhe lutu për të ditur atë që Zoti do të donte që të bëje për të marrë zbulesë të mëtejshme prej Tij. Shkruaji mendimet dhe ndjenjat e tua në ditarin tënd të studimit.

Ftojini disa nxënës që t’i tregojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth asaj që mësuan sot, nëse nuk janë tepër vetjake. Jepni edhe mendimet dhe dëshminë tuaj.

Shtyp në Letër