Seminari
Ethëri 12:1–22: Marrja e një Dëshmie për të Vërtetën


“Ethëri 12:1–22: Marrja e një Dëshmie për të Vërtetën”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 12:1–22”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 12:1–22

Marrja e një Dëshmie për të Vërtetën

Pamja
të reja duke studiuar ungjillin

Çfarë të ka ndihmuar në përpjekjet e tua për ta mësuar të vërtetën shpirtërore? Pasi përshkroi në hollësi shumë vjet të historisë jaredite, Moroni paraqiti shërbesën e profetit Ethër. Moroni tregoi më pas disa nga bekimet që vijnë nga ushtrimi i besimit te Jezu Krishti, duke përfshirë se si sprova e besimit tonë mund të na ndihmojë të marrim një dëshmi për të vërtetën. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta ushtrosh besimin për të marrë një dëshmi shpirtërore për të vërtetën.

Përgatituni vetë për të dhënë mësim. Për shkak se Shpirti dëshmon për të vërtetën dhe është burimi i kthimit në besim, mësuesit e fuqishëm të ungjillit e përgatitin veten shpirtërisht shumë kohë përpara se të japin mësim. Ftojeni Frymën e Shenjtë në përgatitjen tuaj të mësimit nëpërmjet lutjes së sinqertë, si dhe përpiquni ta ndiqni udhërrëfimin e Tij ndërsa përqendroheni në mësimdhënien e doktrinës dhe parimeve.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për shembuj nga shkrimet e shenjta në të cilat veprimet besnike çuan në dëshmi shpirtërore, bekime ose përgjigje nga Perëndia.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

“Nga e di ti këtë?”

Motra Rebeka L. Krejvën, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, tregoi përvojën vijuese që pati ndërkohë që fliste me një të re:

“Unë pata një përvojë të bukur me një të re të këndshme, e cila më bëri një pyetje shumë të çiltër: ‘Motra Krejvën, nga e dini që çfarëdo gjëje në lidhje [me] Kishën është e vërtetë? Sepse unë nuk ndiej asgjë.’

Përpara se t’i jepja përgjigje me nxitim, fillimisht i bëra disa pyetje. ‘Më trego për studimin tënd vetjak të shkrimeve të shenjta.’

Ajo u përgjigj: ‘Unë nuk i lexoj shkrimet e shenjta’.

E pyeta: ‘Po me familjen tënde? A e studioni së bashku manualin Eja, Më Ndiq?’

Ajo tha: ‘Jo’.

E pyeta për lutjet e saj: ‘Çfarë ndien kur lutesh?’

Përgjigjja e saj: ‘Unë nuk lutem’.” (Rebeka L. Krejvën, “Bëni Atë që Ka më Shumë Rëndësi”, Liahona, maj 2022, f. 62)

  • Duke u bazuar në përvojat e tua, çfarë mund të thoshe për ta ndihmuar këtë të re?

Pasi nxënësit ta diskutojnë pyetjen e mëparshme, ftojini ata të japin shembuj të të vërtetave të veçanta për të cilat njerëzit mund të nevojitet të kërkojnë një dëshmi shpirtërore. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. (Përgjigjet mund të përfshijnë një dëshmi që Libri i Mormonit është i vërtetë, që të jetuarit e një jete të pastër dhe të virtytshme është e rëndësishme ose që Fjala e Urtësisë është një ligj i Perëndisë.)

Mendo rreth të vërtetave shpirtërore për të cilat do të doje të merrje një dëshmi shpirtërore ose një dëshmi më të fortë. Merre parasysh t’i shkruash këto në ditarin tënd të studimit. Ndërsa studion sot, kërko mësime që mund të të ndihmojnë të fitosh një dëshmi shpirtërore ose ta forcosh dëshminë tënde.

“Prov[a e] besimit tuaj”

Ndërsa Moroni vazhdoi ta përmblidhte analin e jareditëve, ai paraqiti shërbesën e profetit Ethër. Pavarësisht se kishte lindur në robëri dhe jetonte mes njerëzve që i refuzonin profetët (shih tek Ethëri 11:20–23), Ethëri jetoi një jetë të drejtë dhe u thirr nga Perëndia për të qenë një profet.

Lexo tek Ethëri 12:2–5, duke kërkuar se si u prit predikimi i Ethërit nga jareditët.

  • Përse refuzuan njerëzit t’i besonin fjalët e Ethërit?

Lexo tek Ethëri 12:6, duke kërkuar atë që dha mësim Moroni rreth mënyrës se si ne e marrim një dëshmi shpirtërore për të vërtetën.

Ethëri 12:6 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të kesh mundësi në mësimin e ardhshëm që ta ushtrosh zbatimin e doktrinës që jepet mësim në këtë fragment, për një pyetje ose situatë.

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një kuptim të frazës prova e besimit tuaj:

“Mund të mësoni ta përdorni besimin në mënyrë më të efektshme duke e zbatuar këtë parim që jepet mësim nga Moroni: ‘Besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen; prandaj mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj’ [Ethëri 12:6; theksimi i shtuar]. Kështu, çdo herë që ju e vini në provë besimin tuaj, që domethënë, të veproni me denjësi sipas një përshtypjeje, ju do të merrni provën vërtetuese të Shpirtit. Këto ndjenja do të fortifikojnë besimin tuaj. Kur ju e përsëritni këtë plan, besimi juaj do të bëhet më i fortë.” (Richard G. Scott, “The Sustaining Power of Faith in Times of Uncertainty and Testing”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 76)

  • Çfarë mësove nga Ethëri 12:6 dhe kjo thënie që mund ta ndihmojë dikë që dëshiron të marrë një dëshmi shpirtërore ose një dëshmi më të fortë për të vërtetën?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Ethëri 12:6 është: nëse dëshirojmë një dëshmi shpirtërore, atëherë në fillim duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.

Motra Rebeka L. Krejvën tregoi se si ajo iu përgjigj të resë me të cilën foli:

“Përgjigjja ime ndaj saj ishte e thjeshtë: ‘Nëse dëshiron të dish ndonjë gjë, do të duhet të bësh diçka’.

A nuk është e vërtetë kjo me çdo gjë që duam të mësojmë apo dimë? E ftova mikeshën time të re që të fillojë të bëjë gjërat e ungjillit të Jezu Krishtit: lutjen, studimin, shërbimin ndaj të tjerëve dhe mirëbesimin te Zoti. Kthimi në besim nuk do të vijë duke mos bërë gjë. Ai vjen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë ndërsa me qëllim bëjmë përpjekje për të ditur nëpërmjet të pyeturit, kërkimit dhe trokitjes. Ai vjen nëpërmjet të bërit.” (Rebeka L. Krejvën, “Bëni Atë që Ka më Shumë Rëndësi”, Liahona, maj 2022, f. 62–63)

  • Si mendon, përse ushtrimi i besimit te Jezu Krishti nëpërmjet veprimeve tona është një aspekt thelbësor i marrjes së një dëshmie shpirtërore për Të dhe ungjillin e Tij?

  • Si mund të ndikojë të jetuarit e ungjillit të Shpëtimtarit në ndjenjat tona për Të?

Shembuj besimi

Mendo rreth përvojave ku ti ose të tjerët morët një dëshmi shpirtërore si rezultat i të jetuarit të ungjillit të Shpëtimtarit dhe ushtrimit të besimit tek Ai.

Ftojini disa nxënës t’i tregojnë përvojat që i menduan. Shpjegojuni se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë shumë vetjake. Merreni parasysh ta tregoni përvojën tuaj si pjesë e këtij diskutimi. Mund të përdoret edhe materiali filmik vijues.

Për të parë një shembull të dikujt që u forcua si rezultat i ushtrimit të besimit te Shpëtimtari, shikoje “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”] (5:21), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Ndërsa Moroni e vazhdoi fjalimin e tij, ai tregoi shumë shembuj të individëve që u bekuan teksa e ushtruan besimin te Jezu Krishti.

Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’i ndani nxënësit në katër grupe dhe t’i caktoni secilit grup njërin prej grupeve të vargjeve në vijim për ta studiuar: Ethëri 12:7–10, 11–14, 15–18, 19–22. Ftojeni secilin grup t’ia tregojë klasës shembujt e besimit për të cilët lexojnë.

Lexo tek Ethëri 12:7–22, duke kërkuar se si i bekoi Zoti këta njerëz që ushtruan besim tek Ai. Merre parasysh ta shenjosh çdo shembull që të bën përshtypje.

  • Cili prej këtyre shembujve të besimit të bëri përshtypje më shumë? Përse?

  • Si mund të të ndihmojë një ose më shumë prej shembujve që studiove në rrethanat e tua vetjake?

Merre parasysh se si mund ta zbatosh në jetën tënde atë që ke mësuar sot. Shënoji dy ose tre veprime që mund t’i ndërmarrësh për ta ushtruar besimin te Jezu Krishti dhe për të marrë ose forcuar dëshminë tënde për ungjillin e Shpëtimtarit.

Shtyp në Letër