Seminari
Zotërimi Doktrinor: Ethëri 12:6 – “Ju Nuk do të Merrni Asnjë Dëshmi, Deri pas Provës së Besimit Tuaj”


“Zotërimi Doktrinor: Ethëri 12:6 – ‘Ju Nuk do të Merrni Asnjë Dëshmi, Deri pas Provës së Besimit Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: Ethëri 12:6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Ethëri 12:6

“Ju Nuk do të Merrni Asnjë Dëshmi, Deri pas Provës së Besimit Tuaj”

dy të reja duke diskutuar

Në studimin tënd të vargjeve tek Ethëri 12:1–22, ti mësove se si ta ushtrosh besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij përpara se të marrësh një dëshmi shpirtërore për të vërtetën (shih tek Ethëri 12:6). Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun tek Ethëri 12:6, ta shpjegosh doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Nxitini nxënësit t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ndërsa nxënësit ndihen më rehat me përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore, ata do t’i zbatojnë ato natyrshëm në pyetjet që kanë. Jini i qëndrueshëm dhe krijues ndërsa i ftoni t’i shqyrtojnë parimet në mënyra të ndryshme.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë fragmente të shkrimeve të shenjta që mund ta ndihmojnë dikë ta ushtrojë besimin te Jezu Krishti. Ata mund të bëjnë kërkim për temën “Besim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për t’i gjetur shkrimet e shenjta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Ethëri 12:1–22”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor tek Ethëri 12:6. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Shpjego dhe mëso përmendsh

Në mësimin e mëparshëm, ti mësove të vërtetën vijuese nga Ethëri 12:6: Nëse dëshirojmë një dëshmi shpirtërore atëherë në fillim duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta ushtrojnë shpjegimin e mësimeve të vargut tek Ethëri 12:6 për një partner. Mund të paraqitni një pyetje si ajo në vijim për nxënësit që ta diskutojnë.

  • Çfarë këshille jepet tek Ethëri 12:6 për ata që kanë pyetje pa përgjigje ose nuk e “[shohin]” ende të vërtetën?

Ndihmojini nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun tek Ethëri 12:6. Në vijim është një mënyrë për ta bërë këtë gjë.

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësimin se çdo person mbështetet përfundimisht në murin e besimit dhe aty duhet të mbajë një qëndrim (shih tek “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 65). Me fjalë të tjera, të gjithë duhet të vendosin për vetë me besim që të besojnë dhe ta dinë të vërtetën.

Vizato një figurë të një muri të madh me një figurë të vetes sate duke qëndruar përpara tij. Përdore “murin e besimit” për të të ndihmuar ta mësosh përmendsh referencën për vargun tek Ethëri 12:6 dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Zbukuroje murin tënd duke shkruar “Ethëri 12:6” në krye, më pas shkruaj në mur disa herë “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”. Kur e gjithë hapësira në murin tënd të mbushet me frazën kyç të shkrimit të shenjtë, provo ta thuash atë me zë të lartë disa herë pa e parë.

Ushtroje vënien në zbatim

Përpara se ta filloni veprimtarinë e ushtrimit të vënies në zbatim, mendoni për mënyra krijuese për t’i përkrahur nxënësit në mësimin dhe shqyrtimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Bërja e kësaj në mënyrë të rregullt do t’i ndihmojë ata të jenë më të suksesshëm në njohurinë se si t’i zbatojnë këto parime.

Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë t’i shkruani të tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në tabelë. Më pas shkruajini idetë ose konceptet nga secili parim në rend rastësor dhe ftojini nxënësit t’i lidhin idetë me parimet e sakta.

Tregojuani skenarin vijues nxënësve ose mendoni një skenar tuajin vetjak që e përmbush të njëjtin qëllim.

Kristiana dhe Nela janë shoqe të ngushta. Kristiana është një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo përpiqet shumë të jetë një shembull i mirë për Nelën, e cila nuk beson në fenë e organizuar. Nela i vë shpesh në pikëpyetje bindjet e Kristianës dhe pyet veten përse ajo e frekuenton kishën të dielën, paguan të dhjetën, e jeton Fjalën e Urtësisë, si dhe zgjedh të vishet me thjeshtësi.

Kristiana i shpjegon Nelës se ajo e ndien se urdhërimet dhe standardet që jeton janë të vërteta dhe të dërguara nga Perëndia. Nela i përgjigjet me dashamirësi: “Si mund të thuash se e di që këto gjëra janë të vërteta? Nga mund ta dish se çdo gjë që nuk mund ta shohësh është e vërtetë?”

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të diskutojnë se si mund t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe vargun tek Ethëri 12:6 në këtë situatë. Kujtojuni nxënësve se skenarët për ushtrimin e vënies në zbatim të zotërimit doktrinor janë hartuar për t’u dhënë atyre mundësi ta ushtrojnë përdorimin e këtyre parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Nuk është e nevojshme që idetë dhe përgjigjet e tyre të jenë të sofistikuara ose të përsosura.

Mund t’i ftoni nxënësit ta fillojnë diskutimin e tyre duke bërë pyetjen: “Me cilët nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore do të nisje ta ndihmoje shoqen tënde? Përse?” Pyetjet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme për nxënësit që t’u referohen gjatë diskutimit të tyre.

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Për cilat koncepte ose të vërteta do të doje ta ndihmoje Nelën që t’i kuptonte më mirë? Përse?

  • Çfarë mund t’i tregosh Nelës rreth Zotit dhe mënyrës se si Ai punon me ne?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Cilat mësime nga Ethëri 12:6 mund të të ndihmojnë në këtë situatë? Përse?

    Nëse nxënësit do të mund të kishin dobi nga të parit e një thënieje që ka lidhje nga një udhëheqës i Kishës si një shembull, merreni parasysh t’u jepni thënien e Motrës Boni L. Oskarson nga pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat” e mësimit të mëparshëm.

  • Cilat janë disa fragmente shtesë të shkrimit të shenjtë ose thënie nga udhëheqës të Kishës që mund t’i ofrojnë ndihmë dhe udhërrëfim Nelës?

Vepro me besim

  • Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerët me ushtrimin e besimit te Jezu Krishti? Si mundet ta ndihmojë Nelën të treguarit e këtyre që të nxitet për të vepruar me besim?

  • Çfarë veprimesh besnike mund t’i rekomandoje Nelës që të fillojë t’i ndërmarrë?

Pasi nxënësit t’i kenë përfunduar diskutimet e tyre, merreni parasysh t’i ftoni disa prej tyre të tregojnë se si u përgjigjën dhe çfarë mësuan nga përvoja.

Merreni parasysh gjithashtu t’u tregoni nxënësve se si ky ushtrim mund t’u japë atyre dobi tani dhe në të ardhmen. Për shembull, ju mund t’i ftoni nxënësit të mendojnë për situata të tanishme ose të ardhshme në të cilat mësimet e vargut tek Ethëri 12:6 dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i ndihmojnë ata ose të tjerët të punojnë për të kaluar një sprovë besimi dhe për të marrë përfundimisht një dëshmi pohuese të së vërtetës.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Gjatë një mësimi të ardhshëm, vizatoni në tabelë një figurë të një muri me një figurë njeriu duke qëndruar përpara tij. Ftojini nxënësit të kujtojnë se cila referencë e zotërimit doktrinor lidhet me vizatimin (Ethëri 12:6) dhe nxitini ata ta ushtrojnë thënien përmendsh të frazës kyç të shkrimit të shenjtë me një partner. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”.