Seminari
Moroni 4–5: Sakramenti


“Moroni 4–5: Sakramenti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Moroni 4–5”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Moroni 4–5

Sakramenti

buka dhe uji i sakramentit

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne ftohemi të marrim pjesë në ordinancat e shenjta dhe të bëjmë besëlidhje me Atin tonë Qiellor. Kur përpiqemi fort t’i mbajmë besëlidhjet tona, Ati Qiellor na bekon. Ordinanca në të cilën marrim pjesë më shpesh është sakramenti. Ky mësim mund të të ndihmojë ta mbash besëlidhjen që bën kur e merr sakramentin në mënyrë që të kesh Shpirtin e Zotit me vete.

Kuptojini nevojat e nxënësve për të mësuarit. Kërkoni t’i kuptoni nevojat e të mësuarit të nxënësve në klasën tuaj. Kjo mund të përfshijë parapëlqimet e nxënësve si edhe çdo sfidë të të mësuarit. Kërkoni mënyra për të përfshirë metoda të ndryshme të të mësuarit si mjetet ndihmëse pamore, puna në grup ose studimi individual, në mënyrë që nxënësit të përfitojnë sa më shumë nga përvoja e tyre e seminarit.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të thënë përmendsh sa më shumë që të munden nga lutjet e sakramentit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përse shkon ti në kishë?

Për t’i përgatitur nxënësit për ta studiuar sakramentin, merreni parasysh të tregoni rrëfimin vijues ose një përvojë vetjake rreth rëndësisë së sakramentit.

Motra Sheril A. Esplin, ish-këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, dha një pyetje që një bir ia bëri babait të tij 96‑vjeçar: “Babi, pse shkon ti në kishë? Ti nuk mund të shohësh, nuk mund të dëgjosh dhe është e vështirë për ty që të lëvizësh. Përse shkon në kishë?” (“Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin”, Liahona, nëntor 2014, f. 13–14)

  • Si mendon se mund t’i jetë përgjigjur babai kësaj pyetjeje?

“Babai u përgjigj: ‘Prej sakramentit. Unë shkoj që të marr sakramentin’” (Sheril A. Esplin, “Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin”, f. 14).

  • Çfarë di ti rreth sakramentit që mund ta ketë shtyrë [atë] baba të përgjigjej në atë mënyrë?

    Pyetjet vijuese janë menduar për vetëreflektim. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’i ftoni ata të bëjnë pyetje rreth sakramentit.

  • Sa i rëndësishëm është sakramenti për ty? Përse?

  • Çfarë përpjekjesh bën ti për të pasur një përvojë kuptimplotë në sakrament?

Si pjesë e analit të tij, Moroni përfshiu lutjet që Jezu Krishti ua kishte dhënë më parë nefitëve për administrimin e sakramentit (shih te Moroni 4:1–2). Ndërsa i studion këto lutje te Moroni 4–5, dëgjoji nxitjet për të ditur se çfarë mund të bësh për t’i mbajtur besëlidhjet që bën kur e merr sakramentin.

Sakramenti

Kur e marrim sakramentin, ne bëjmë një besëlidhje me Atin Qiellor dhe i ripërtërijmë besëlidhjet që bëmë në kohën e pagëzimit (shih te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37). “Një besëlidhje është një marrëveshje e shenjtë ndërmjet Perëndisë dhe një personi ose grupi njerëzish. Perëndia vendos kushte të caktuara dhe premton të na bekojë kur u bindemi atyre kushteve” (Gospel Topics, “Covenant”, ChurchofJesusChrist.org).

Merreni parasysh ta kopjoni tabelën vijuese në dërrasë dhe ta ftoni klasën ta plotësojë kolonën e majtë duke përdorur vargun te Moroni 4:3. Nxënësit mund edhe ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit.

Besëlidhja e Sakramentit

Çfarë premtoj të bëj

Mënyra për t’i mbajtur premtimet e mia

  • Si do ta përmblidhje atë që premtojmë kur e marrim bukën?

Një mënyrë për ta përmbledhur pjesën tonë të besëlidhjes së sakramentit është: ndërsa e marrim sakramentin, ne premtojmë të jemi të gatshëm ta marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit, duke e kujtuar gjithmonë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Nxënësit mund të organizohen në grupe me nga tre veta. Caktojini secilit grup njërin prej premtimeve që e bëjmë si pjesë e besëlidhjes së sakramentit. Ftojeni grupin ta diskutojë premtimin që i është caktuar dhe të tregojë idetë që mund të përdoren për ta plotësuar kolonën e dytë të tabelës.

Pas një kohe të mjaftueshme, organizojeni klasën në grupe të reja me nga tre veta. Çdo grup i ri duhet të ketë nxënës që studiuan elemente të ndryshme të besëlidhjes së sakramentit. Ftojini nxënësit ta diskutojnë atë që mësuan në grupet e tyre fillestare dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin për ta plotësuar kolonën e dytë në tabelë.

Nëse nxënësit do të kishin dobi nga studimi i mëtejshëm se çfarë do të thotë të marrin emrin e Shpëtimtarit mbi vete, merreni parasysh të përdorni thënien dhe pyetjet vijuese. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë mbi atë se sa shumë e dëshirojnë atë që do Shpëtimtari kundrejt asaj që duan ata ose asaj që do bota për ta.

Mund të përdorësh gjithashtu vargjet te Mosia 18:8–10 dhe Gjoni 14:15 për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për mënyrat se si ta mbajnë besëlidhjen e sakramentit.

  • Çfarë mendon se do të thotë të jemi të gatshëm të marrim emrin e Shpëtimtarit mbi vete?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

“Ne premtojmë të marrim mbi vete emrin e Tij. Kjo do të thotë që ne duhet ta shohim veten tonë si të Tijët. Ne do ta vëmë Atë të parin në jetën tonë. Ne do të duam vërtet atë që Ai do më shumë sesa atë që ne duam apo çka bota na mëson që të duam.” (Henry B. Eyring, “That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 67)

  • Si mund ta marrësh më mirë mbi vete emrin e Shpëtimtarit?

  • Në ç’mënyra mund të na ndihmojë marrja e emrit të Shpëtimtarit mbi vete që të bëhemi si Ai?

Të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete

e re duke marrë sakramentin

Lexo te Moroni 4:3 dhe 5:2, duke kërkuar për ngjashmëritë dhe ndryshimet ndërmjet lutjes për bukën dhe lutjes për verën (ujin).

  • Çfarë ngjashmërish gjete?

  • Çfarë do të bëjë Ati Qiellor nëse e mbajmë besëlidhjen që bëjmë gjatë sakramentit?

Një parim që mësojmë është: ndërsa e mbajmë besëlidhjen që bëjmë gjatë sakramentit, ne mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me vete.

  • Merre parasysh se si gatishmëria jote për t’i mbajtur premtimet vijuese të ndihmon të kualifikohesh për ta pasur gjithmonë Shpirtin e Zotit me vete:

    • Të marrësh mbi vete emrin e Shpëtimtarit.

    • Ta kujtosh gjithmonë Atë.

    • T’i zbatosh urdhërimet e Tij.

  • Si do të kishe dobi nga pasja e Frymës së Shenjtë gjithmonë me vete?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim se si mund t’i qasemi sakramentit dhe të bekohemi nga mbajtja e besëlidhjeve të tij. Lexoje thënien vijuese ose shikoje materialin filmik “The Aaronic Priesthood and the Sacrament” [“Priftëria Aarone dhe Sakramenti”] nga kodi kohor 6:48 deri në 7:22 në ChurchofJesusChrist.org.

2:3

“Ne jemi urdhëruar të pendohemi për mëkatet tona dhe të vijmë te Zoti me një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të marrim sakramentin në përputhje me besëlidhjet e tij. Kur ne i ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit në këtë mënyrë, Zoti e ripërtërin ndikimin pastrues të pagëzimit tonë. Në këtë mënyrë ne bëhemi të pastër dhe mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete. Rëndësia e kësaj është e dukshme në urdhërimin e Zotit që ne ta marrim sakramentin çdo javë (shih te Doktrina e Besëlidhje 59:8–9).” (Dallin H. Oaks, “The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Ensign, nëntor 1998, f. 38)

Mbajtja e besëlidhjes së sakramentit

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj rreth sakramentit dhe t’i ftoni nxënësit e gatshëm të bëjnë të njëjtën gjë.

Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që mund të bëjnë për ta mbajtur besëlidhjen e tyre të sakramentit. Merreni parasysh t’i paraqitni paragrafët vijues dhe t’i ftoni nxënësit të përgjigjen në ditarët e tyre. Ju mund të sugjeroni gjithashtu se mbajtja e besëlidhjes së sakramentit mund të jetë një nga synimet e tyre të zhvillimit të të rinjve.

Mendo rreth përpjekjeve të tua për t’i mbajtur premtimet që bën kur merr sakramentin. Çfarë po shkon mirë? Çfarë mund të përmirësohet?

Përzgjidhe njërin ose më shumë premtime ku do të doje të përqendroheshe. Shkruaj diçka të veçantë që mund ta bësh. Nëse dëshiron, mund ta përsiatësh këtë herën tjetër që merr sakramentin.

Kushtoji vëmendje mënyrës se si mbajtja e besëlidhjeve të tua të ndihmon ta kesh Frymën e Shenjtë me vete dhe ndryshimin që mund të shohësh në jetën tënde.