“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19: ‘Shenjtëri Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
2–8 Maj
Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19
“Shenjtëri Zotit”
Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, kushtojuni vëmendje mbresave shpirtërore që merrni për mënyrat se si mund të bëheni më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Shënojini Mbresat Tuaja
Largimi nga Egjipti – aq i rëndësishëm dhe i mrekullueshëm sa ishte – nuk i përmbushi plotësisht qëllimet e Perëndisë për fëmijët e Izraelit. Madje edhe mirëqenia e ardhshme në tokën e premtuar nuk ishte synimi përfundimtar i Perëndisë për ta. Këto ishin vetëm disa hapa drejt asaj që Perëndia dëshironte me të vërtetë për popullin e Tij: “Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë” (Levitiku 19:2). Si kërkoi Perëndia ta bënte të shenjtë popullin e Tij, kur ata nuk dinin asgjë tjetër përveç robërisë për breza të tërë? Ai i urdhëroi ata që të krijonin një vend shenjtërie për Zotin – një tabernakull në vendin e shkretë. Ai u dha atyre besëlidhje dhe ligje për të udhëhequr veprimet e tyre dhe, përfundimisht, për t’i ndryshuar zemrat e tyre. Dhe kur ata dështuan në përpjekjet e tyre për t’i zbatuar ato ligje, Ai i urdhëroi ata që të bënin flijime kafshësh për të simbolizuar shlyerjen për mëkatet e tyre. E gjithë kjo kishte për qëllim që t’i drejtonte mendjet, zemrat dhe jetën e tyre drejt Shpëtimtarit dhe shëlbimit që ofron Ai. Ai është shtegu i vërtetë drejt shenjtërisë, për izraelitët dhe për ne. Të gjithë kemi kaluar ca kohë në robërinë e mëkatit dhe të gjithë jemi të ftuar të pendohemi – ta lëmë mëkatin prapa dhe ta ndjekim Jezu Krishtin, i cili ka premtuar: “Unë jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 60:7).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Levitikut, shihni “Levitik(u)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti dëshiron që unë të bëhem i/e shenjtë siç është Ai.
Eksodi 25–31 shënon udhëzimet e Zotit drejtuar izraelitëve rreth mënyrës se si të ndërtonin një tabernakull, ku ordinancat e shenjta do t’i ndihmonin të bëheshin një popull i shenjtë. Eksodi 35–40 përshkruan përpjekjet e izraelitëve për t’iu bindur këtyre udhëzimeve. Ndërsa lexoni kapitujt 35–40, kërkoni gjërat që Zoti i kërkoi popullit të Tij të vendoste në tabernakull dhe përsiatni se çfarë mund të përfaqësojnë këto sende dhe çfarë ju sugjerojnë për rritjen në shenjtëri. Merrni parasysh veçanërisht mënyrën se si këto sende i kthejnë mendimet tuaja drejt Shpëtimtarit. Një tabelë si kjo mund t’ju ndihmojë:
Çfarë objekti gjetët? |
Çfarë mund të përfaqësojë kjo? |
---|---|
Çfarë objekti gjetët? Arka e besëlidhjes (Eksodi 37:1–9; 40:20–21) | Çfarë mund të përfaqësojë kjo? Praninë e Perëndisë; besëlidhjet dhe urdhërimet e Tij |
Çfarë objekti gjetët? Altari i temjanit (Eksodi 40:26–27; shih edhe Eksodi 30:1, 6–8) | Çfarë mund të përfaqësojë kjo? Lutjet që i drejtohen Zotit |
Çfarë objekti gjetët? Shandani ose qirimbajtësja (Eksodi 37:17– 24) | |
Çfarë objekti gjetët? Altari i olokausteve (Eksodi 38:1–7; shih edhe Eksodi 27:1; 29:10–14) | |
Çfarë objekti gjetët? Legeni (tasi) me ujë (Eksodi 30:17–21) | |
Nëse keni marrë pjesë në ordinancat e tempullit, çfarë mësoni për tabernakullin nga Eksodi 35–40 që ju kujton përvojën tuaj atje? (Shih edhe “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Tabernakulli dhe Flijimi”.) Përsiatni se si ju ndihmojnë besëlidhjet e tempullit që të bëheni më të shenjtë ashtu siç janë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Sigurisht, thjesht të qenit në vende të shenjta nuk na bën të shenjtë. Levitiku 19 përshkruan ligjet dhe urdhërimet që dha Zoti për t’i ndihmuar izraelitët të rriteshin në shenjtëri. Çfarë gjeni në këto urdhërime që mund t’ju ndihmojnë të bëheni më të shenjtë? Çfarë ndiheni të nxitur të bëni për t’i jetuar më plotësisht këto parime?
Shih edhe Karol F. Mek-Konki, “Shkëlqimi i Shenjtërisë”, Liahona, maj 2017, f. 9–12; “The Tabernacle” [“Tabernakulli”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shenjtëri”; temples.ChurchofJesusChrist.org.
Zoti më kërkon që t’i bëj ofertat e mia me një zemër të gatshme.
Në vitin pas largimit nga Egjipti, marrëdhënia e fëmijëve të Izraelit me Jehovën mund të përshkruhet si e paqëndrueshme. Dhe prapë, teksa lexoni tek Eksodi 35:4–36:7, vini re mënyrën se si iu përgjigjën izraelitët urdhërimit për të ndërtuar një tabernakull. Çfarë mësoni nga izraelitët që mund t’ju ndihmojë t’i shërbeni më mirë Zotit?
Presidentja Boni L. Oskarson dha mësim: “Çdo anëtar duhet ta dijë se sa i nevojshëm është. Çdo person ka diçka të rëndësishme për të kontribuar dhe ka talente dhe aftësi të pashoqe që ndihmojnë për ecurinë e kësaj pune të rëndësishme” (“Të Rejat në Punë”, Liahona, maj 2018, f. 37). Ndërsa lexoni tek Eksodi 36:1–4, përsiatni për atë me të cilën Zoti ju ka “pajisur”. Merrni parasysh ta pyetni Atin Qiellor se çfarë ju ka dhënë Ai në mënyrë që të mund të merrni pjesë në punën e Tij.
Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë mund të falem.
Pjesa më e madhe e librit të Levitikut mund të duket e çuditshme për ne – flijime kafshësh, rituale që përfshijnë gjak e ujë, dhe ligje që rregullojnë hollësi të imëta të jetës. Por këto rituale dhe ligje kishin për qëllim të jepnin mësim parime që janë të njohura – pendimin, shenjtërinë dhe Shlyerjen e Shpëtimtarit. Për t’i gjetur këto parime ndërsa lexoni te Levitiku 1:1–9; 16, merrni parasysh pyetje si këto: Çfarë mund të mësoj nga këto flijime për Jezu Krishtin dhe flijimin e Tij shlyes? Në ç’mënyrë jam si ata që i bëjnë këto flijime? Mund të merrni parasysh që të shqyrtoni “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Tabernakulli dhe Flijimi” në këtë burim dhe “Sakrificë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Eksodi 36:1–7.Tek Eksodi 36:1–7, çfarë mësojmë nga mënyra se si izraelitët iu përgjigjën urdhrit për të ndërtuar tabernakullin? Si familje, ju mund të mendoni për mënyrat se si Zoti na ka ftuar të marrim pjesë në punën e Tij. Si mund ta ndjekim shembullin e izraelitëve?
-
Eksodi 40.Teksa lexoni së bashku tek Eksodi 40, ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të ngrenë lart duart e tyre sa herë që dëgjojnë një frazë të tillë si “ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti”. Çfarë mësojmë nga ky kapitull rreth bindjes ndaj Zotit?
-
Eksodi 40:1–34.Ndërsa lexoni për montimin e tabernakullit tek Eksodi 40, ju mund të punoni së bashku për të përcaktuar pjesët e ndryshme të tabernakullit, duke përdorur figurën që e shoqëron këtë përvijim. Për ta lidhur këtë diskutim me adhurimin në tempull në kohën tonë, ju mund të shqyrtoni së bashku “Why Latter-day Saints Build Temples” [“Përse Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Ndërtojë Tempuj]” (temples.ChurchofJesusChrist.org) ose të shikoni materialin filmik “Temples” [“Tempujt”] (ChurchofJesusChrist.org).
-
Levitiku 19.Secili prej pjesëtarëve të familjes mund të gjejë një varg në këtë kapitull që ata mendojnë se do t’i ndihmojë të “j[enë] të shenjtë” (Levitiku 19:2) dhe t’ia tregojnë atë familjes.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”, Himne, nr. 69.