Seminari
2. Plani i Shpëtimit


2. Plani i Shpëtimit, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

2. Plani i Shpëtimit

Pamja
Jezu Krishti duke krijuar Tokën

2.1. Në ekzistencën para lindjes, Ati Qiellor paraqiti një plan për të na mundësuar që të bëhemi si Ai dhe të fitojmë pavdekësi dhe jetë të përjetshme (shih Moisiu 1:39). Që ta përmbushim këtë plan dhe të bëhemi si Ati ynë në Qiell, ne duhet të arrijmë ta njohim Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të kemi një kuptueshmëri të saktë për karakterin dhe tiparet e Tyre (shih Gjoni 17:3).

2.2. Shkrimet e shenjta i drejtohen planit të Atit Qiellor si plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë, plani i shëlbimit dhe plani i mëshirës. Ky plan përfshin Krijimin, Rënien, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të gjitha ligjet, ordinancat dhe doktrinat e ungjillit. Liria morale e zgjedhjes – aftësia për të zgjedhur e vepruar për veten tonë – është gjithashtu thelbësore për planin e Atit Qiellor. Përparimi ynë i përjetshëm varet nga mënyra se si e përdorim këtë dhuratë (shih Jozueut 24:15; 2 Nefi 2:27).

2.3. Jezu Krishti është figura qendrore në planin e Atit Qiellor. Plani i shpëtimit na mundëson që të bëhemi të përsosur, të marrim plotësi të gëzimit, të kënaqemi me marrëdhëniet tona familjare përgjatë gjithë përjetësive dhe të jetojmë përgjithmonë në praninë e Perëndisë.

Referenca përkatëse: Malakia 4:5–6; 3 Nefi 12:48; DeB 131:1–4

Jeta Para Lindjes

2.4. Përpara se të lindeshim në tokë, ne jetuam në praninë e Atit tonë Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë (shih Abraham 3:22–23). Në këtë ekzistencë para lindjes, ne morëm pjesë në një këshill me fëmijë të tjerë shpirtërorë të Atit Qiellor. Gjatë atij këshilli, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij dhe Jezu Krishti në jetën paratokësore besëlidhi se do të ishte Shpëtimtari.

2.5. Ne e përdorëm lirinë tonë të zgjedhjes për ta ndjekur planin e Atit Qiellor. Ata që e ndoqën Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, u lejuan të vinin në tokë për ta përjetuar vdekshmërinë dhe për të përparuar drejt jetës së përjetshme. Luciferi, një tjetër bir shpirtëror i Perëndisë, ngriti krye kundër planit. Ai u bë Satani dhe ai e pasuesit e tij u dëbuan nga qielli, dhe atyre iu mohuan privilegjet e marrjes së një trupi fizik dhe të përjetimit të vdekshmërisë.

Referenca përkatëse: Jeremia 1:4–5; Hebrenjve 12:9; 2 Nefi 2:27; 3 Nefi 11:10–11

Krijimi

2.6. Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën nën drejtimin e Atit (shih DeB 76:22–24). Krijimi i tokës ishte thelbësor në planin e Perëndisë. Ai siguroi një vend ku ne mund të fitonim një trup fizik, të viheshim në provë e të sprovoheshim dhe të zhvillonim tipare hyjnore.

2.7. Adami ishte njeriu i parë i krijuar në tokë. Perëndia i krijoi Adamin dhe Evën sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij. Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – krijohen sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shih Zanafilla 1:26–27). Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit të çdo njeriu para lindjes, në vdekshmëri dhe në përjetësi.

Rënia

2.8. Në Kopshtin e Edenit, Perëndia i bashkoi Adamin dhe Evën në martesë. Ndërkohë që Adami dhe Eva ishin në kopsht, ata ende ishin në praninë e Perëndisë dhe mund të kishin jetuar përgjithmonë. Ata jetonin në pafajësi dhe Perëndia ua siguronte nevojat.

2.9. Perëndia u dha Adamit dhe Evës lirinë e tyre të zgjedhjes ndërkohë që ishin në Kopshtin e Edenit. Ai i urdhëroi ata që të mos e hanin frutën e ndaluar – frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Bindja ndaj këtij urdhërimi do të thoshte se ata mund të qëndronin në kopsht. Megjithatë, Adami dhe Eva nuk e kuptonin ende që, nëse qëndronin në kopsht, ata nuk mund të përparonin me anë të përjetimit të kundërshtimit në vdekshmëri. Ata nuk mund ta njihnin gëzimin, sepse nuk mund të përjetonin hidhërim e dhembje. Për më tepër, ata nuk mund të kishin fëmijë.

2.10. Satani i tundoi Adamin dhe Evën që ta hanin frutën e ndaluar dhe ata zgjodhën ta bënin këtë gjë. Për shkak të kësaj zgjedhjeje, ata u dëbuan nga prania e Perëndisë dhe u bënë të rënë e të vdekshëm. Shkelja e Adamit dhe e Evës dhe ndryshimet që ata i përjetuan si rrjedhojë, duke përfshirë vdekjen shpirtërore dhe fizike, quhen Rënia. Vdekja shpirtërore është ndarja nga Perëndia. Vdekja fizike është ndarja e shpirtit nga trupi i vdekshëm.

2.11. Rënia është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Si rrjedhojë e Rënies, Adami dhe Eva mundën të kishin fëmijë. Ata dhe pasardhësit e tyre mund të përjetonin gëzim dhe hidhërim, ta dallonin të mirën nga e liga dhe të përparonin (shih 2 Nefi 2:22–25).

2.12. Si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne trashëgojmë një gjendje të rënë gjatë vdekshmërisë. Ne shkëputemi nga prania e Perëndisë dhe i nënshtrohemi vdekjes fizike. Ne gjithashtu vihemi në provë nëpërmjet vështirësive të jetës në vdekshmëri dhe tundimeve të kundërshtarit. Edhe pse nuk jemi të përgjegjshëm për shkeljen e Adamit dhe të Evës, ne jemi përgjegjës për vetë mëkatet tona. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund t’i kapërcejmë pasojat negative të Rënies, të marrim falje për mëkatet tona dhe më së fundi të përjetojmë një plotësi gëzimi.

Referenca përkatëse: Zanafilla 1:28; Mosia 3:19; Alma 34:9–10

Temë përkatëse: Shlyerja e Jezu Krishtit

Jeta në Vdekshmëri

2.13. Jeta në vdekshmëri është një kohë mësimi, gjatë së cilës ne vërtetojmë se do ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë gjithçka që Zoti ka urdhëruar, dhe për t’u përgatitur për jetë të përjetshme nëpërmjet zhvillimit të tipareve hyjnore. Ne e bëjmë këtë kur ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe te Shlyerja e Tij, pendohemi, marrim ordinanca e besëlidhje shpëtuese, të tilla si pagëzimi e konfirmimi, dhe deri në fund të jetës sonë në vdekshmëri durojmë me besim duke e ndjekur shembullin e Jezu Krishtit.

2.14. Në vdekshmëri shpirtrat tanë bashkohen me trupat tanë fizikë, duke na dhënë mundësi të rritemi dhe të zhvillohemi në mënyra që nuk ishin të mundura në jetën para lindjes. Ngaqë Ati ynë në Qiell ka një trup të prekshëm prej mishi e kockash, trupat tanë janë të nevojshëm për ne që të përparojmë e të bëhemi si Ai. Trupat tanë janë të shenjtë dhe duhet të respektohen si një dhuratë nga Ati ynë Qiellor (shih 1 Korintasve 6:19–20).

Referenca përkatëse: Jozueut 24:15; Mateu 22:36–39; Gjoni 14:15; 2 Nefi 2:27; 3 Nefi 12:48; Moroni 7:45, 47–48; DeB 130:22–23

Tema përkatëse: Kreu-Perëndi; Shlyerja e Jezu Krishtit; Ordinancat dhe Besëlidhjet; Urdhërimet

Jeta pas Vdekjes

2.15. Kur vdesim, shpirtrat tanë hyjnë në botën e shpirtrave dhe presin Ringjalljen. Shpirtrat e të drejtëve pranohen në një gjendje lumturie, e cila quhet parajsë. Ata që vdesin pa njohuri për të vërtetën dhe ata që janë të pabindur në vdekshmëri, hyjnë në një vend të përkohshëm në botën pas vdekshmërisë të quajtur burgu i shpirtrave.

2.16. Më së fundi, çdo njeri do ta ketë mundësinë për t’i mësuar parimet e ungjillit dhe për t’i marrë ordinancat dhe besëlidhjet e tij. Shumë nga besnikët do t’ua predikojnë ungjillin njerëzve që janë në burgun e shpirtrave. Ata që zgjedhin ta pranojnë ungjillin, të pendohen dhe t’i pranojnë ordinancat e shpëtimit që kryhen për ta në tempuj, do të jetojnë në parajsë deri në Ringjallje (shih 1 Pjetër 4:6).

2.17. Ringjallja është ribashkimi i trupave tanë shpirtërorë me trupat tanë të përkryer fizikë, prej mishi e kockash. Pas ringjalljes ne do të jemi të pavdekshëm – shpirti dhe trupi ynë nuk do të ndahen më kurrë. Çdo njeri i lindur në tokë do të ringjallet ngaqë Jezu Krishti e mposhti vdekjen fizike (shih 1 Korintasve 15:20–22). Të drejtët do të ringjallen përpara të ligjve dhe do të ngrihen në Ringjalljen e Parë.

2.18. Gjykimi Përfundimtar do të ndodhë pas Ringjalljes. Jezu Krishti do ta gjykojë çdo person për të përcaktuar lavdinë e përjetshme që ai ose ajo do të marrë. Ky gjykim do të bazohet në dëshirat dhe bindjen e çdo njeriu ndaj urdhrave të Perëndisë (shih Zbulesa 20:12).

2.19. Ka tri mbretëri lavdie: mbretëria çelestiale, mbretëria terrestriale dhe mbretëria telestiale (shih 1 Korintasve 15:40–42). Ata që janë të guximshëm në dëshminë për Jezusin dhe të bindur ndaj parimeve të ungjillit, do të banojnë në mbretërinë çelestiale, në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe me pjesëtarët e drejtë të familjes së tyre.

Referenca përkatëse: Lluka 24:36–39; Gjoni 17:3; DeB 131:1–4

Tema përkatëse: Shlyerja e Jezu Krishtit; Ordinancat dhe Besëlidhjet

Shtyp në Letër