Seminari
3. Shlyerja e Jezu Krishtit


3. Shlyerja e Jezu Krishtit, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

3. Shlyerja e Jezu Krishtit

Pamja
Shpëtimtari i Ringjallur

3.1. Jezu Krishti u parashugurua në këshillin para lindjes për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai erdhi në tokë dhe me gatishmëri vuajti e vdiq për ta shëlbuar gjithë njerëzimin nga pasojat negative të Rënies dhe për ta paguar ndëshkimin për mëkatet tona. Ngadhënjimi i Jezu Krishtit mbi vdekjen shpirtërore dhe fizike nëpërmjet vuajtjes, vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, quhet Shlyerje. Flijimi i Tij është dobiprurës për secilin prej nesh dhe tregon vlerën e pafundme të secilit dhe çdonjërit prej fëmijëve të Atit Qiellor (shih DeB 18:10–11).

3.2. Është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit që ne mund të shpëtohemi, sepse Ai ishte i vetmi njeri i aftë për të bërë një Shlyerje të pafundme dhe të përjetshme për gjithë njerëzimin (shih Alma 34:9–10). Vetëm Ai kishte fuqinë për ta mposhtur vdekjen fizike. Nga nëna e Tij e vdekshme, Maria, Ai trashëgoi aftësinë për të vdekur. Nga Perëndia, Ati i Tij i pavdekshëm, Ai trashëgoi fuqinë për të jetuar përgjithmonë ose për ta dhënë jetën e Tij dhe për ta marrë atë sërish. Ai i vetëm mund të na shëlbonte prej mëkateve tona. Për shkak se jetoi një jetë të përkryer, të pamëkatë, Ai ishte i çliruar nga kërkesat e drejtësisë dhe mund ta paguante borxhin për ata që pendohen.

3.3. Shlyerja e Jezu Krishtit përfshiu vuajtjen e Tij për mëkatet e njerëzimit në Kopshtin e Gjetsemanit, derdhjen e gjakut të Tij, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq, dhe Ringjalljen e Tij të mirëfilltë. Ai ishte njeriu i parë që u ringjall. Ai u ngrit nga varri me një trup të përlëvduar, të pavdekshëm, prej mishi e kockash (shih Lluka 24:36–39). Për shkak të Shlyerjes së Tij, i gjithë njerëzimi do të ringjallet me trupa të përsosur, të pavdekshëm dhe do të sillet sërish në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Flijimi shlyes i Jezu Krishtit siguroi të vetmen mënyrë për ne që të pastrohemi dhe falemi për mëkatet tona, kështu që ne të mund të jetojmë në praninë e Perëndisë përjetësisht (shih Isaia 1:18; DeB 19:16–19).

3.4. Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm vuajti për mëkatet tona, por gjithashtu mori mbi veten e Tij dhembjet, tundimet, sëmundjet dhe dobësitë e gjithë njerëzimit (shih Isaia 53:3–5; Alma 7:11–13). Ai e kupton vuajtjen tonë, sepse Ai e përjetoi atë. Kur vijmë tek Ai me besim, Shpëtimtari do të na forcojë që t’i mbajmë barrët tona dhe t’i përmbushim detyrat që nuk mund t’i bëjmë vetë (shih Mateu 11:28–30; Ethëri 12:27).

3.5. Duke e paguar ndëshkimin për mëkatet tona, Jezu Krishti nuk e përjashtoi përgjegjësinë tonë vetjake. Me qëllim që ta pranojmë flijimin e Tij, të pastrohemi nga mëkatet tona dhe të trashëgojmë jetë të përjetshme, ne duhet të ushtrojmë besim në Të, të pendohemi, të pagëzohemi, ta marrim Frymën e Shenjtë dhe të durojmë besnikërisht deri në fund të jetës sonë.

Referenca përkatëse: Gjoni 3:5; 1 Korintasve 15:20–22; Mosia 3:19; 3 Nefi 11:10–11; 3 Nefi 27:20; DeB 76:22–24

Tema përkatëse: Kreu-Perëndi: Jezu Krishti; Plani i Shpëtimit: Rënia; Ordinancat dhe Besëlidhjet

Besimi te Jezu Krishti

3.6. Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht. Besimi ynë mund të çojë drejt shpëtimit vetëm kur përqendrohet te Jezu Krishti (shih Helamani 5:12).

3.7. Pasja e besimit në Jezu Krisht përfshin pasjen e një besimi të palëkundur se Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ne e kuptojmë që e vetmja mënyrë se si mund të kthehemi të jetojmë me Atin tonë Qiellor është duke u mbështetur te Shlyerja e pafundme e Birit të Tij, duke i mirëbesuar Jezu Krishtit dhe duke i ndjekur mësimet e Tij. Më shumë se bindje jovepruese, besimi i vërtetë në Jezu Krisht çon drejt veprimit dhe shprehet nëpërmjet mënyrës se si jetojmë (shih Jakob [Bibël] 2:17–18). Besimi ynë mund të rritet kur lutemi, i studiojmë shkrimet e shenjta dhe u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

Referenca përkatëse: Fjalët e Urta 3:5–6; Ethëri 12:6; DeB 6:36

Temë përkatëse: Marrja e Njohurisë Shpirtërore

Pendimi

3.8. Besimi në Jezu Krisht dhe dashuria jonë për Të e për Atin Qiellor na bëjnë që të pendohemi. Pendimi është pjesë e planit të Atit Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij që janë të përgjegjshëm për zgjedhjet e tyre. Kjo dhuratë bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pendimi është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës. Ai përfshin largimin prej mëkatit dhe kthimin e mendimeve, veprimeve dhe dëshirave tona drejt Perëndisë dhe përshtatjes së vullnetit tonë me vullnetin e Tij (shih Mosia 3:19).

3.9. Pendimi përfshin njohjen e mëkateve tona; ndjenjën e keqardhjes, ose trishtimin sipas Perëndisë për kryerjen e mëkatit; rrëfimin e mëkateve tona Atit Qiellor dhe, nëse është e nevojshme, të tjerëve; braktisjen e mëkatit; përpjekjen për ta rivendosur, aq sa është e mundur, gjithçka që është dëmtuar si rrjedhojë e mëkateve tona; dhe të jetuarin e një jete me bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih DeB 58:42–43). Në pagëzim, Zoti premton të na falë për mëkatet tona dhe ne e ripërtërijmë atë besëlidhje çdo herë që e marrim sinqerisht sakramentin me qëllimin që ta kujtojmë Shpëtimtarin dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

3.10. Nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe hirit të ofruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund ta marrim faljen e Perëndisë dhe të ndiejmë paqe. Ne e ndiejmë ndikimin e Shpirtit në bollëk më të madh dhe jemi më të përgatitur që të jetojmë përjetësisht me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij.

Referenca përkatëse: Isaia 1:18; Gjoni 14:15; 3 Nefi 27:20; DeB 19:16–19

Temë përkatëse: Ordinancat dhe Besëlidhjet

Shtyp në Letër