Seminari
4. Rivendosja


4. Rivendosja Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

4. Rivendosja

Pamja
fletët e arta

4.1. Perëndia e ka rivendosur ungjillin e Tij në këto ditë të mëvonshme me anë të rivendosjes së të vërtetave të Tij, autoritetit të priftërisë dhe Kishës mbi tokë. Profetët e lashtë e parashikuan Rivendosjen e ditëve të mëvonshme të ungjillit (shih Isaia 29:13–14; Veprat e Apostujve 3:19–21).

4.2. Rivendosja filloi në vitin 1820. Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së Jozefit dhe Ata e thirrën atë të ishte Profeti i Rivendosjes (shih Joseph Smith – Historia 1:15–20).

4.3. Perëndia e thirri Jozef Smithin të ishte një dëshmitar i ditëve të mëvonshme për Krishtin e gjallë. Si Profeti i Rivendosjes, Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë (shih DeB 135:3). Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe përmban plotësinë e ungjillit (shih Ezekieli 37:15–17). Libri i Mormonit është gjithashtu një dëshmitar i thirrjes profetike të Jozef Smithit dhe i vërtetësisë së Rivendosjes.

4.4. Si pjesë e Rivendosjes, Perëndia dërgoi lajmëtarë engjëllorë për të rivendosur Priftëritë Aarone dhe Melkizedeke. Ai më pas udhëzoi që Kisha e Tij të organizohej sërish mbi tokë më 6 prill 1830. Ngaqë ishte rivendosur prej Perëndisë Vetë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30).

Referenca përkatëse: Amos 3:7; Efesianëve 2:19–20; Efesianëve 4:11–14; DeB 13:1; DeB 76:22–24; DeB 107:8

Tema përkatëse: Kreu-Perëndi; Profetët dhe Zbulesa

Braktisja

4.5. Nevoja për Rivendosjen në ditët e mëvonshme të të vërtetave të Perëndisë, autoritetit të priftërisë dhe Kishës u shfaq për shkak të braktisjes. Braktisja ndodh kur një ose më shumë individë largohen prej të vërtetave të ungjillit.

4.6. Pas kryqëzimit të Shpëtimtarit dhe vdekjes së Apostujve të Tij, shumë njerëz u larguan nga të vërtetat që i kishte themeluar Shpëtimtari (shih 2 Thesalonikasve 2:1–3). Parime të ungjillit dhe pjesë të shkrimeve të shenjta u korruptuan ose humbën. Ndryshime të paautorizuara u bënë në organizimin e Kishës dhe ordinancat e priftërisë. Për shkak të kësaj ligësie të përhapur gjerësisht, Zoti i largoi nga toka autoritetin dhe çelësat e priftërisë. Edhe pse pati shumë njerëz të mirë e të ndershëm që e adhuronin Perëndinë në përputhje me dritën që zotëronin, dhe merrnin përgjigje për lutjet e tyre, bota u la pa zbulesë hyjnore nëpërmjet profetëve të gjallë. Kjo periudhë njihet si Braktisja e Madhe.

4.7. Periudha të tjera të braktisjes së përgjithshme kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së botës.

Tema përkatëse: Profetët dhe Zbulesa; Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë; Ordinancat dhe Besëlidhjet

Periudhat kohore të Ungjillit

4.8. Kur fëmijët e Perëndisë kanë rënë në një gjendje braktisjeje, Ai me dashuri u ka zgjatur dorën atyre duke thirrur profetë dhe duke ua dhënë sërish njerëzve bekimet e ungjillit nëpërmjet profetëve të Tij. Një periudhë kohore kur Zoti i zbulon të vërtetat, autoritetin e priftërisë dhe ordinancat e Tij quhet një periudhë ungjillore. Është një periudhë në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë, i cili mban priftërinë e shenjtë dhe i cili ka një detyrë hyjnore për ta përhapur ungjillin dhe për t’i administruar ordinancat e tij.

4.9. Periudhat ungjillore identifikohen me Adamin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Moisiun, Jezu Krishtin dhe të tjerë. Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme, të cilën Zoti e filloi nëpërmjet Profetit Jozef Smith, është pjesë e këtij modeli të periudhave ungjillore.

4.10. Në çdo periudhë ungjillore, Zoti dhe profetët e Tij janë përpjekur të themelojnë Sionin. Me Sion nënkuptohet populli i besëlidhjes së Zotit, të cilët janë të kulluar në zemër, të bashkuar në drejtësi dhe përkujdesen për njëri-tjetrin (shih Moisiu 7:18). Me Sion gjithashtu nënkuptohet një vend ku jetojnë të kulluarit në zemër.

4.11. Sot ne jetojmë në periudhën përfundimtare ungjillore – periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Është e vetmja periudhë ungjillore që nuk do të përfundojë në braktisje. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më së fundi do ta mbushë të gjithë tokën dhe do të qëndrojë përgjithmonë (shih Daniel 2:44).

Tema përkatëse: Profetët dhe Zbulesa; Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë; Ordinancat dhe Besëlidhjet

Shtyp në Letër