Seminari
6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë


6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë

Pamja
Jozef Smithi merr priftërinë Aarone

6.1. Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Me anë të priftërisë, Perëndia i krijoi dhe i qeveris qiejt dhe tokën. Nëpërmjet kësaj fuqie, Ai i shëlbon dhe i ekzalton fëmijët e Tij. Priftëria u jepet anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës. Bekimet e priftërisë janë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të ungjillit.

6.2. Çelësat e priftërisë janë të drejtat e kryesimit ose fuqia që Perëndia ia jep burrit për të qeverisur dhe drejtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 16:15–19). Çelësat e priftërisë janë të domosdoshëm për të drejtuar predikimin e ungjillit dhe administrimin e ordinancave të shpëtimit.

6.3. Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Presidenti i Kishës është i vetmi njeri i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë ata çelësa të priftërisë. Presidentët e tempujve, presidentët e misioneve, presidentët e kunjeve, peshkopët dhe presidentët e kuorumeve gjithashtu mbajnë çelësa të priftërisë, të cilët i lejojnë të drejtojnë e të kryesojnë mbi punën që janë autorizuar të bëjnë.

6.4. Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë – burra e gra – thirren nën drejtimin e atij që mban çelësat e priftërisë (shih DeB 42:11). Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim: “Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj” (“Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 51). Autoriteti i priftërisë mund të ushtrohet vetëm në drejtësi (shih DeB 121:36, 41–42).

6.5. Ata që shugurohen në Priftërinë Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Nëse e lartësojnë thirrjen e tyre dhe me besnikëri i pranojnë Zotin dhe shërbëtorët e Tij, ata do të fitojnë bekimet e ekzaltimit. Grave po ashtu iu premtohen bekimet e ekzaltimit kur ato janë besnike ndaj besëlidhjeve që kanë bërë me Zotin.

Referenca përkatëse: Gjoni 15:16; Efesianëve 2:19–20

Tema përkatëse: Rivendosja; Profetët dhe Zbulesa; Ordinancat dhe Besëlidhjet

Priftëria Aarone

6.6. Priftëria Aarone shpesh quhet priftëria përgatitore. Priftëria Aarone “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit” (DeB 13:1). Nëpërmjet ushtrimit të kësaj priftërie, përgatitet, bekohet dhe administrohet sakramenti. Detyrat në Priftërinë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop.

Priftëria Melkizedeke

6.7. Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë, ose më e madhe, dhe “mban të drejtën e kryesimit dhe ka fuqi e autoritet mbi gjithë detyrat në kishë, në të gjitha epokat e botës, për të administruar në gjërat shpirtërore” (DeB 107:8). Të gjitha bekimet, ordinancat, besëlidhjet dhe organizatat e Kishës administrohen nën autoritetin e Presidentit të Kishës, i cili është Presidenti i Priftërisë Melkizedeke. Kjo priftëri iu dha Adamit dhe ka qenë në tokë sa herë që Zoti e ka zbuluar ungjillin e Tij. Brenda Priftërisë Melkizedeke janë detyrat e plakut, priftit të lartë, patriarkut, Të Shtatëdhjetit dhe Apostullit.

Referencë përkatëse: Efesianëve 4:11–14

Shtyp në Letër