Burimet Si Plotësohen në të Vërtetë Vendet e Punës Dëgjojeni se si e përshkruan ky punëdhënës mënyrën se si plotësohen në të vërtetë vendet e punës. “Gabimi që bëjnë shumica e punëkërkuesve, është harxhimi i kohës duke dërguar jetëshkrim, kur duhet ta shpenzojnë kohën duke punuar në rrjet, duke u lidhur me njerëz kyç në fushën e tyre dhe duke ndërtuar marrëdhënie. Si rekrutues, unë e ndihmova kompaninë tonë të plotësonte afro 1 000 vende të hapura vitin e kaluar. Ja se si u plotësuan. Ne nuk e reklamuam shumicën e vendeve tona të hapura. Në vend të kësaj, menaxheri i punësimit e kishte tashmë dikë në mend ose ndoshta një anëtar i ekipit të tij i rekomandonte dikë. Ai do të vihej në kontakt me mua dhe do të më njoftonte se kishte dikë që donte ta merrte në punë, dhe unë thjesht do ta vija procesin në lëvizje që atje. Për pozicionet e reklamuara shpesh do të kishte të paktën njëqind vetë që kishin aplikuar për vendin e hapur. Zakonisht më telefononin menaxherët punësues që më kërkonin të veçoja aplikime të caktuara njerëzish që donin t’i intervistonin. Këta ishin njerëz që ata i njihnin, që u ishin rekomanduar ose me të cilët ishin vënë në kontakt tashmë. Ngaqë menaxheri dinte tashmë rreth këtyre njerëzve, ai e dinte se ata do të ishin një përputhje e shkëlqyer. Këta qenë njerëzit që zakonisht merrnin vendin e punës. Ne morëm disa njerëz nga masa e përgjithshme e aplikuesve, por ishte vetëm rreth 25% e rasteve. Këshilla ime: krijoni rrjet. Ndërtojeni rrjetin tuaj. Mirëmbajeni rrjetin tuaj. Lidhuni me njerëzit që marrin vendime punësimi qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet të tjerëve. Nëse punëkërkuesit do ta bëjnë këtë, ata do të marrin vende pune.” Kthehuni te faqja 26. Basketbolli më Dha Vend Pune Le të lexojmë se si deklarata Unë në 30 Sekonda e Rubenit e çoi te një vend pune i shkëlqyer nga rrjeti i tij. “Unë kam qenë gjithmonë shumë punëtor, por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Shkurtimet më lanë pa vend pune dhe mendoja se gjersa isha shumë punëtor do të gjeja punë lehtësisht. Problemi ishte se pata disa pengesa në biografinë time që po e bënin të vështirë të kisha intervista. Dukej sikur nuk do të shkoja kurrë më tej se aplikimet. Kaluan disa javë dhe isha i mërzitur dhe i shkurajuar. Atëherë mësova rreth krijimit të rrjetit dhe mendova se ky mund të ishte kyçi im për të pasur një mundësi. E ushtrova deklaratën time Unë në 30 Sekonda herë pas here dhe fillova të flas me çdo njeri – duke i njoftuar se po kërkoja mundësi menaxhimi në ndërtim, se cilat ishin aftësitë e mia dhe me sa përvojë isha. Një mbrëmje po luaja basketboll me disa miq. Kuptova se secili prej tyre njihte plot njerëz dhe mund të ishte në gjendje të më ndihmonte të gjeja punë, kështu që u thashë deklaratën time Unë në 30 Sekonda. Për befasinë time, njëri prej tyre tha se bashkëshortja e tij punonte për një firmë ndërtimi dhe t’ia dërgoja asaj jetëshkrimin tim. Unë e bëra këtë dhe e ndoqa ecurinë me të të nesërmen. Ajo tha se do t’ia dorëzonte një grupi të sektorit të cilit i përkiste. Disa ditë më vonë më telefonoi një burrë që nuk e njihja. Ai kishte jetëshkrimin tim dhe donte të fliste me mua. Ai menaxhonte një firmë të madhe ndërtimi. Përfundimisht ajo çoi në një vend pune të shkëlqyer. Vendi im i punës nuk ishte publikuar kurrë dhe erdhi nga dikush dy ose tre nivele thellë në rrjetin tim. Unë kurrë nuk do ta kisha marrë këtë mundësi nëse nuk do ta kisha hapur gojën dhe të thosha deklaratën time Unë në 30 Sekonda. Çdo njeri ka një rrjet; përdoreni atë që të përhapni fjalën.” Kthehuni te faqja 32.