Pyetjet për Kursin Themeltar
Udhëzime për Mësuesin
Kjo pjesë “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” është për studentët e institutit që po ndjekin një kurs Themeltar. Kjo përvojë e të mësuarit përbëhet nga një grup pyetjesh që janë një shoqërues i rëndësishëm i pjesëve të caktuara për lexim dhe i pjesëmarrjes në klasë. Përgjigjet e studentëve nuk duhet të jenë të gjata, por duhet të pasqyrojnë përpjekjet e tyre më të mira. Me ndihmën tuaj, studentët ftohen t’i shkruajnë, rishikojnë, korrigjojnë dhe dorëzojnë përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve gjatë gjithë kursit. Ndonëse studentët nxiten t’i shkruajnë përgjigjet e tyre jashtë klasës, ju mund të vendosni t’u kushtoni pak kohë në klasë këtyre përpjekjeve.
Ndërsa shumë prej hollësive në administrimin dhe ndjekjen e ecurisë nevojitet të përshtaten me programet individuale, hapat vijues do t’ju ndihmojnë ju dhe studentët tuaj të keni një përvojë të suksesshme.
-
Përgatituni: Përpara se të fillojë kursi, vendosni një datë rishikimi dhe një afat përfundimtar për studentët që t’i dorëzojnë përgjigjet e tyre për secilën pyetje. Disa mësues mund të duan t’i rishikojnë ose dorëzojnë të gjitha përgjigjet në një ditë të vetme afër fundit të semestrit; të tjerë mund të vendosin t’i rishikojnë dhe dorëzojnë përgjigjet një e nga një, herë pas here, gjatë gjithë kursit. Sigurohuni që ta trajtoni materialin e domosdoshëm të kursit përpara se t’u jepni detyrë studentëve që t’u përgjigjen pyetjeve të lidhura me atë material.
-
Vendosni pritshmëri të qarta: Në fillim të kursit, jepuni studentëve një kopje të pjesës “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”. Përdorni pak minuta për t’i shpjeguar qartë qëllimin dhe pritshmëritë për këtë përvojë, duke përfshirë datat për rishikimin e materialit të kursit dhe dorëzimin e përgjigjeve.
-
Ndiqeni ecurinë: Gjatë gjithë kursit, nxitini dhe ndihmojini vazhdimisht të gjithë studentët ndërsa punojnë për ta plotësuar pjesën “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” sipas datave të caktuara.
-
Rishikojini: Për ditët që keni planifikuar një rishikim të përgjigjeve, ftojini dhe kujtojini studentët që t’i sjellin përgjigjet e tyre në klasë. Qëllimi i rishikimit është që t’i ndihmojë studentët t’i vlerësojnë përgjigjet e tyre dhe të flasin për atë që kanë mësuar. Studentët mund të përfitojnë duke e rishikuar punën e njëri-tjetrit në dyshe ose grupe të vogla. Ju mund ta bëni rishikimin më kuptimplotë ndërsa i ftoni studentët ta shpjegojnë, ta tregojnë dhe të dëshmojnë për atë që kanë mësuar (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 12). Ju duhet të harxhoni 10 deri në 15 minuta me secilën pyetje gjatë rishikimeve. Studentët nxiten t’i korrigjojnë përgjigjet e tyre sipas nevojës, përpara dorëzimit të përgjigjeve të tyre përfundimtare.
-
Dorëzojini: Nga fundi i kursit, studentët jua dorëzojnë juve përgjigjet e tyre. Studentët e kanë përfunduar pjesën “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” kur kanë bërë një përpjekje të arsyeshme, siç vlerësohet nga mësuesi, për të shkruar, korrigjuar dhe dorëzuar përgjigjet e tyre për të gjitha pyetjet e kursit. Regjistrojini studentët që i dorëzojnë përgjigjet e tyre në Librin e Notave WISE [Regjistrimi Mbarëbotëror në Seminar dhe Institut].
Shënim: Sigurohuni që ata studentë të cilët janë me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara ose me gjendje [të veçanta] shëndetësore, të kenë përshtatjet që u nevojiten për të marrë pjesë në këtë vlerësim në mënyrë të barabartë me moshatarët e tyre. Disa përshtatje mund të përfshijnë sigurimin e varianteve me germa të mëdha ose varianteve zanore të materialeve, lejimin e studentëve për t’i plotësuar përgjigjet me ndihmën e të tjerëve, dhënien e lejes për t’i paraqitur përgjigjet me gojë në vend të përgjigjeve me shkrim ose lejimin e tyre për t’ia diktuar përgjigjet e veta një shkruesi apo aparati regjistrimi. Shkoni te lds.org/topics/disability për të gjetur informacion të përgjithshëm mbi ndihmën ndaj individëve me aftësi të kufizuara.
Udhëzime për Studentin
Kjo pjesë “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” përbëhet nga një grup pyetjesh që janë një shoqërues i rëndësishëm i pjesëmarrjes suaj në klasë dhe i studimit të pjesëve të caktuara për lexim. Puna për përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve gjatë gjithë kursit, do t’ju ndihmojë ta thelloni kuptueshmërinë tuaj dhe vënien në jetë të ungjillit, ndërkohë që reflektoni mbi atë që keni mësuar dhe e shpërndani atë. Plotësojini hapat vijues për secilën pyetje:
-
Shkruani një përgjigje të organizuar për secilën pyetje duke përdorur vetë fjalët tuaja. Mbështetini përgjigjet tuaja te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Sigurohuni që përgjigjet tuaja të jenë të përshtatshme për t’u dhënë.
-
Rishikojini përgjigjet tuaja duke i sjellë ato në klasë në datën/at e dhënë/a nga mësuesi juaj.
-
Korrigjojini përgjigjet tuaja duke u bazuar te rishikimet, sipas nevojës.
-
Dorëzojini përgjigjet tuaja përfundimtare për të gjitha pyetjet në datën/at e dhënë/a nga mësuesi juaj.
Përgjigjet tuaja duhet të plotësohen jashtë klasës, përveç nëse udhëzoheni ndryshe. Nëse jeni një person me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara ose me një gjendje [të veçantë] shëndetësore, flisni me mësuesin/en tuaj në mënyrë që ai ose ajo të mund të bëjë përshtatje që t’ju ndihmojnë ta përfundoni këtë përvojë. Mësuesi juaj dëshiron që ju t’ia dilni mbanë me këtë përvojë dhe është i gatshëm t’ju ndihmojë që të jeni të suksesshëm.