Instituti
Pyetjet e Kurseve të Përgjithshme me Zgjedhje


Pyetjet e Kurseve të Përgjithshme me Zgjedhje

Jezu Krishti me fëmijë

Udhëzime për Mësuesin

Kjo pjesë “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”, mund të përdoret në çdo kurs të institutit që nuk është pjesë e kursit Themeltar. Ajo përbëhet nga pyetje që janë një shoqërues i rëndësishëm i pjesëve të caktuara për lexim dhe i pjesëmarrjes në klasë. Kur i ftoni dhe i ndihmoni studentët që t’i studiojnë, t’i vënë në zbatim, t’i shkruajnë dhe t’i shpërndajnë parimet dhe doktrinën, ju mund t’i ndihmoni ata të forcojnë dëshmitë e tyre dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besim.

Sipas orientimit tuaj, studentët u përgjigjen tri prej shtatë pyetjeve që gjenden te fleta Udhëzime për Studentin. Përgjigjet e studentëve duhet të vijnë kryesisht nga ajo që ata kanë studiuar dhe vënë në zbatim gjatë kursit. Ndërkohë që disa nga hollësitë në administrimin e pjesës “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” mund të kërkojnë përshtatje në varësi të klasës ose studentëve të veçantë, hapat vijues do t’ju ndihmojnë juve dhe studentët tuaj që të keni një përvojë të suksesshme:

  1. Përgatituni: Përpara se të fillojë kursi, rishikojini pyetjet dhe bëni një plan për administrimin e pjesës “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”. Përgatitja juaj mund të përfshijë mënyra për t’ia paraqitur pyetjet klasës dhe për të shpjeguar pritshmëritë lidhur me pjesën “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”, të tilla si datat për rishikimin dhe dorëzimin e përgjigjeve të studentëve, sa të gjata pritet të jenë përgjigjet dhe formati për përgjigjet. Rekomandohet që ju ta rishikoni secilën nga tri përgjigjet e studentëve në tri data të ndryshme, sipas zgjedhjes suaj, gjatë gjithë kursit.

  2. Vendosni pritshmëri të qarta: Në fillim të kursit, jepini secilit student një kopje të pyetjeve që gjenden te fleta Udhëzime për Studentin. Kjo do t’u japë kohë të mjaftueshme studentëve që t’i studiojnë, t’i vënë në zbatim dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet gjatë gjithë semestrit. Ndihmojini ata që ta kuptojnë qëllimin e pjesës “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”. Komunikojini qartazi pritshmëritë tuaja për përgjigjet e tyre, përfshirë datat për rishikimin dhe dorëzimin e tyre.

  3. Ndiqeni ecurinë: Gjatë gjithë kursit, nxitini dhe ndihmojini vazhdimisht të gjithë studentët ndërsa punojnë për të plotësuar pyetjet e pjesës “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit”. Gjeni mënyra për t’i lidhur pyetjet me programin mësimor ose për t’i përfshirë ato në veprimtaritë e klasës. Ju mund t’i vini studentët të punojnë për përgjigjet e tyre në klasë, jashtë klasës, ose në të dy mënyrat.

  4. Rishikojini dhe korrigjojini: Për ditët që keni planifikuar një rishikim, ftojini studentët dhe u kujtoni atyre që t’i sjellin në klasë përgjigjet vetjake për pyetjen/t e caktuar/a. Ftojini ata që, gjatë përgjigjeve të tyre, ta shpjegojnë, ta tregojnë dhe të dëshmojnë për atë që kanë mësuar dhe kanë vënë në zbatim nga kursi. Studentët mund të përfitojnë duke e rishikuar punën e njëri-tjetrit në dyshe ose grupe të vogla. Ju mund t’i ftoni studentët t’i korrigjojnë përgjigjet e tyre sipas nevojës përpara se t’i dorëzojnë ato.

  5. Dorëzojini: Studentët e përfundojnë pjesën “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” duke i dorëzuar përgjigjet për të tria pyetjet sipas pritshmërive tuaja. Ndërkohë që përshtypja juaj për përgjigjet e studentëve mirëpritet, ajo nuk është e detyrueshme. Regjistrojeni informacionin në Librin e Notave WISE [Regjistrimi Mbarëbotëror në Seminar dhe Institut] për ata studentë që i dorëzojnë përgjigjet e tyre.

Shënim: Sigurohuni që ata studentë të cilët janë me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara ose me gjendje [të veçanta] shëndetësore, të kenë përshtatjet që u nevojiten për të marrë pjesë në këtë vlerësim në mënyrë të barabartë me moshatarët e tyre. Disa përshtatje mund të përfshijnë sigurimin e varianteve me germa të mëdha ose varianteve zanore të materialeve, lejimin e studentëve për t’i plotësuar përgjigjet me ndihmën e të tjerëve, dhënien e lejes për t’i paraqitur përgjigjet me gojë në vend të përgjigjeve me shkrim ose lejimin e tyre për t’ia diktuar përgjigjet e veta një shkruesi apo aparati regjistrimi. Shkoni te lds.org/topics/disability për të gjetur informacion të përgjithshëm mbi ndihmën ndaj individëve me aftësi të kufizuara.

Udhëzime për Studentin

Pjesa “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit” përbëhet nga pyetje që janë një shoqërues i rëndësishëm i pjesëmarrjes suaj në klasë dhe i studimit të pjesëve të caktuara për lexim. Puna për përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve gjatë gjithë kursit, ndërsa i studioni, i vini në zbatim, i regjistroni dhe i tregoni parimet dhe doktrinën, do t’ju ndihmojë ta forconi dëshminë tuaj dhe ta thelloni kthimin tuaj në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit.

Duke përdorur doktrinën, parimet dhe informacionin që keni studiuar dhe vënë në zbatim gjatë këtij kursi, përgjigjuni TRI prej shtatë pyetjeve vijuese. (Mësuesi/ja juaj mund të caktojë pyetje të posaçme.) Merrini parasysh sugjerimet në pjesën “Përgjigjja” më poshtë kur formuloni përgjigjen tuaj. Jini të përgatitur që ta tregoni atë që keni studiuar dhe vënë në zbatim, duke i sjellë me vete në klasë përgjigjet tuaja në datat e rishikimit që i planifikon mësuesi/ja juaj.

Pyetjet

  1. Si keni arritur ta njihni më mirë Atin tuaj në Qiell?

  2. Çfarë ju ka ndihmuar që ta kuptoni më plotësisht dhe të mbështeteni më plotësisht te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij?

  3. Si është rritur dëshmia juaj për Rivendosjen e ungjillit?

  4. Çfarë ju ka ndihmuar që të kualifikoheni më plotësisht për bekimet e tempullit?

  5. Cilat të vërteta nga ky kurs e kanë bekuar jetën tuaj?

  6. Si e keni forcuar dëshminë tuaj për __________? (Mësuesi/ja do të japë parimin ose doktrinën për këtë pyetje.)

  7. Si është përmirësuar jeta juaj për shkak se e keni thelluar kuptueshmërinë tuaj për __________? (Zgjidhni NJË nga temat doktrinore vijuese.)

    • Kreun-Perëndi

    • Planin e Shpëtimit

    • Shlyerjen e Jezu Krishtit

    • Rivendosjen

    • Profetët dhe Zbulesën

    • Priftërinë dhe Çelësat e Priftërisë

    • Ordinancat dhe Besëlidhjet

    • Martesën dhe Familja

    • Urdhërimet

Përgjigjja

Merreni parasysh të përfshini sa vijon në secilën përgjigje:

  • Përcaktoni një doktrinë që është bërë më kuptimplote për ju ndërsa keni marrë pjesë në këtë kurs.

  • Shpjegojeni doktrinën duke përdorur vetë fjalët tuaja, fragmente nga shkrimi i shenjtë ose fjalë të profetëve të gjallë.

  • Tregoni një përvojë në të cilën e keni ndier kohët e fundit në jetën tuaj fuqinë e doktrinës.

  • Tregoni se si përvoja juaj e ka thelluar kthimin tuaj në besim tek ungjilli i Krishtit.

Shënim: Nëse jeni një person me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara ose me një gjendje [të veçantë] shëndetësore, flisni me mësuesin/en tuaj në mënyrë që ai ose ajo të mund të bëjë përshtatje që t’ju ndihmojnë ta përfundoni këtë përvojë.