2 Korintasve 8–13
Vështrim i Përgjithshëm
Pali i ftoi shenjtorët korintas të ndiqnin shembullin e Shpëtimtarit duke sakrifikuar mjetet e tyre të jetesës për t’u kujdesur për të varfrit. Ai tregoi për disa nga vuajtjet që kaloi dhe mënyrën se si pati mundësi të gjente gëzim në ato përvoja nëpërmjet ndihmës së Shpëtimtarit. Kur disa nga anëtarët e Kishës në Korint u bënë kritikë ndaj tij, ai iu përgjigj duke i ftuar të analizonin lidhjen e tyre me Krishtin.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
2 Korintasve 8–9
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndjekin shembullin e Jezu Krishtit duke e ndarë atë që kanë me ata që janë nevojtarë.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shohin zërat e renditur në formularin “E Dhjeta dhe Oferta të Tjera” dhe të përgatiten që të tregojnë kuptimin e zërave të ndryshëm të renditur. Gjithashtu, ata mund të bëjnë çdo pyetje që kanë për këtë formular.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Thënia nga Plaku Xhefri R. Holland me një fjalë që mungon dhe një formular “E Dhjeta dhe Oferta të Tjera”
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të ftoni një peshkop ose presidente vendore të Shoqatës së Ndihmës që t’u tregojë nxënësve se si përdoren fondet e ofertës së agjërimit për të bekuar ata që janë nevojtarë.
2 Korintasve 11–12
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mbështeten te Zoti teksa përpiqen t’i durojnë besnikërisht sfidat e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të jenë të përgatitur të tregojnë se përse e ndiejnë se thënia vijuese nuk është e vërtetë: “Nëse lutemi me besim të mjaftueshëm te Jezu Krishti, Ati Qiellor do ta largojë çdo sprovë që po kalojmë”.
-
Sendi ose figura për t’u paraqitur: Një gjemb ose figura e një gjembi
-
Materiali filmik: “Male për t’i Ngjitur” (05:05)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit t’i kenë studiuar vargjet te 2 Korintasve 12:8–10 , merreni parasysh të përdorni idenë me titullin “Besim për të mos u shëruar” te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.
2 Korintasve 13
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta analizojnë besnikërinë e tyre ndaj Zotit dhe ta mposhtin tundimin për t’i kritikuar shërbëtorët e Tij.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyrën se si ndihen kur i dëgjojnë njerëzit të flasin negativisht për Kishën e Shpëtimtarit ose shërbëtorët e Tij.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Thënia nga Presidenti Henri B. Ajring me pyetje që nxënësit t’i përsiatin
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për t’i lejuar nxënësit të studiojnë më shumë ndodhi nga shkrimet e shenjta, merreni parasysh t’i ndani ata në grupe të vogla dhe t’i vendosni në dhoma virtuale të ndara. Ftojini ata të studiojnë një ose disa nga ndodhitë që përshkruajnë pasojat e të kritikuarit të shërbëtorëve të Zotit. Më pas çdo grup mund të zgjedhë një zëdhënës që do t’i tregojë diçka që ata mësuan pjesës tjetër të klasës.
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë synimet që kanë vendosur dhe rritjen personale që kanë përjetuar gjatë studimit të tyre të Dhiatës së Re.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shqyrtojnë mënyrat se si janë përpjekur t’i zbatojnë parimet që kanë mësuar nga 1 Korintasve 8–16 dhe 2 Korintasve.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Pyetje për planin e historisë familjare të nxënësve (për Veprimtarinë A)
-
Materiali filmik: “#Aleluja – Një Mesazh Pashke rreth Jezu Krishtit” (01:59)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nëse duket që nxënësit nuk dinë se si ta përdorin faqen FamilySearch.org ose programin FamilySearch, merreni parasysh t’u jepni atyre kohë në klasë për ta zbuluar. Madje mund të jetë e dobishme ta ftoni një nxënës i cili e di se si ta përdorë programin kompjuterik që të vijë i përgatitur për të dhënë disa këshilla që ka mësuar. Ai mund ta ndajë ekranin e tij nga telefoni ose kompjuteri i tij në mënyrë që pjesa tjetër e klasës të mund ta shohë atë që ai po bën.
Përsëritja 20 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësinë për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre dhe për të ushtruar shpjegimin e të vërtetave nga fragmente të ndryshme të zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i shqyrtojnë fragmentet e zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re dhe të zgjedhin një që do të donin ta kuptonin më mirë.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Katër figura të veçanta të Jezu Krishtit
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nga fundi i mësimit, nxënësit mund të ftohen të kërkojnë fragmente të tjera të zotërimit doktrinor që e rritin kuptueshmërinë e tyre për një fragment të zgjedhur të Dhiatës së Re. Merreni parasysh t’i gruponi nxënësit në katër dhoma virtuale të ndara, ku çdo grup kërkon fragmente të zotërimit doktrinor nga një drejtim i ndryshëm i shkrimit të shenjtë. Kur klasa të bashkohet përsëri, ftojeni çdo grup të tregojë fragmentet që gjeti në librin e caktuar të shkrimit të shenjtë. Nxënësit mund të ftohen ta ndajnë ekranin e tyre në mënyrë që shokët e klasës të mund të shohin se si ata i përdorën mjetet në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].