Veprat e Apostujve 22–28
Vështrim i Përgjithshëm
Në mësimet e kësaj jave, ti do të studiosh premtimet që Zoti u bëri Apostujve të Tij dhe se si ato u përmbushën në jetën e Palit. Qoftë i lidhur me zinxhirë ose i sjellë përpara udhëheqësve dhe mbretërve, Pali e tregoi me besnikëri dëshminë e tij të fuqishme për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Kur u ndesh me stuhi të forta, përmbytje të anijes dhe vështirësi të tjera, ai dha këshilla frymëzuese dhe paralajmërime për t’i mbajtur të sigurt ata që kishte me vete. Kjo javë përfshin një mësim për të të ndihmuar të mësosh përmendsh referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta, si edhe mundësinë për të vlerësuar synimet që ke vendosur dhe të mësuarit dhe rritjen personale që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Veprat e Apostujve 22–23, 26–28
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim të shtojë sigurinë e nxënësve që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i përmbushin premtimet e Tyre ndërsa nxënësit përpiqen t’u shërbejnë Atyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për premtimet që Zoti u ka bërë atyre. Për shembull, ata mund të mendojnë për premtimet në lutjet e sakramentit (shih Moroni 4:3 ; 5:2) ose në shkrimet e tjera të shenjta. Nxënësit që i kanë marrë bekimet e tyre patriarkale mund t’i lexojnë ato dhe të kërkojnë premtime nga Zoti.
-
Tabela: Një tabelë që tregon premtimet e Zotit dhe mënyrën se si Ai i përmbush ato
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit t’i kenë studiuar premtimet që Zoti u bëri Apostujve, kërkojuni atyre të përdorin veçorinë e bashkëbisedimit për të shkruar një premtim që përcaktuan. Më pas, ndërsa e vazhdojnë studimin e tyre, ftojini të tregojnë në veçorinë e bashkëbisedimit se si Zoti e përmbushi premtimin që ata përcaktuan.
Veprat e Apostujve 22–26
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të zhvillojnë një dëshirë më të madhe për të ndjekur shembullin e Palit kur japin dëshmi për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij në jetën e tyre të përditshme.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin dhe të vijnë të përgatitur të tregojnë një përvojë kur ata u ndikuan nga dëshmia e dikujt tjetër.
-
Tabela: Një tabelë që tregon mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj dëshmisë së Palit
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në fund të mësimit merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma virtuale të veçanta për të folur rreth dëshmive të tyre dhe ideve të tyre se si t’i tregojnë ato në mënyra normale dhe të natyrshme.
Veprat e Apostujve 27–28
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë rëndësinë e ndjekjes së këshillave të profetit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë disa nga mësimet e tanishme të profetëve të ditëve të sotme. Për shembull, ata mund të lexojnë ose të shohin një bisedë të konferencës së përgjithshme të fundit, të lexojnë një artikull nga një profet ose apostull në revistën Për Forcën e Rinisë ose të lexojnë disa tema në broshurën Për Forcën e Rinisë. Ftojini nxënësit të përsiatin se si ndihen për sa i përket reagimit ndaj këshillave të profetëve.
-
Fletushka: “Udhëtimi i Palit në Romë”
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të paraqitni një kopje të fletushkës që nxënësit t’i referohen ndërkohë që e bëjnë veprimtarinë në ditarin e tyre të studimit. Më pas, duke përdorur funksionin e tabelës së bardhë, caktojuni nxënësve të ndryshëm ose të vizatojnë ose të shkruajnë në një nga katër kutitë një përmbledhje të asaj që ndodhi. Më pas kërkojuni atyre nxënësve të shpjegojnë atë që vizatuan ose shkruan.
Përsëritja 16 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh disa nga referencat e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor të Dhiatës së Re dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë një ose dy nga fragmentet e zotërimit doktrinor që kanë studiuar. Sfidojini ata të mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë ose, nëse është e mundur, të gjithë fragmentin e zotërimit doktrinor.
-
Materialet për nxënësit: Letër për karta ilustrimi
-
Tabela: Tabela e zotërimit doktrinor për t’u paraqitur ose shpërndarë
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë ushtruar mësimin përmendsh të referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë, jepini klasës një frazë kyç të shkrimit të shenjtë dhe kërkojuni nxënësve ta vendosin kartën e saktë përpara kamerës së tyre brenda një afati kohor (për shembull, pesë sekonda).
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë synimet që kanë vendosur dhe të mësuarit dhe rritjen vetjake që kanë përjetuar gjatë studimit të Dhiatës së Re.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar shembuj nga Veprat e Apostujve të njerëzve që u kthyen në besim te Jezu Krishti.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Jepuni nxënësve një përmbledhje të Veprimtarisë A dhe Veprimtarisë B dhe dërgojuni nxënësve një kopje të të dyja veprimtarive. Më pas vendosini nxënësit në dhoma virtuale të veçanta dhe lërini ata të zgjedhin se cilën veprimtari do të bëjnë së bashku. Kur të kthehen në klasë, vërini ata të tregojnë atë që diskutuan dhe mësuan.