Seminari
Përsëritja 21 e Zotërimit Doktrinor


Përsëritja 21 e Zotërimit Doktrinor

Vëri në Zbatim Fragmentet e Zotërimit Doktrinor

Young adults looking at the scriptures.

Një qëllim i zotërimit doktrinor është të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë mësimet e Shpëtimtarit, të jesh në gjendje t’i shpjegosh ato me fjalët e tua dhe t’i zbatosh ato në jetën tënde. Ky mësim do të të japë mundësinë për të ushtruar vënien në zbatim të fragmenteve të zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re në një larmi rrethanash.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të zgjedhin një fragment të veçantë të zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re që i ka ndihmuar ata, dhe të jenë të përgatitur për t’ia treguar klasës se si i ka ndihmuar ata.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përsëriti fragmentet e zotërimit doktrinor

Në vend të këtij mësimi përsëritjeje mund të nevojitet të jepet një mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor. Referojuni udhëzuesit të ritmit mësimor të ofruar nga drejtori apo bashkërenduesi zonal ose rajonal për t’u siguruar që të jepet çdo mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor gjatë zhvillimit të seminarit.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të pyesin njëri-tjetrin ose të përdorin një metodë tjetër për të përsëritur fragmentet e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë. Nxënësit mund të përdorin materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022) ose programin kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] për t’i përsëritur fragmentet. Në vend të fragmenteve vijuese mund të përdoren fragmente të ndryshme të zotërimit doktrinor.

Përsërit referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë për fragmentet vijuese të zotërimit doktrinor. Mendo për mënyrën se si doktrina në secilin fragment mund të zbatohet në jetën tënde.

Hebrenjve 12:9 : Ati Qiellor është “Ati [i] shpirtrave”.

Jakob [Bibël] 1:5–6 : “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia”.

Jakob [Bibël] 2:17–18 : “Besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur”.

1 Pjetër 4:6 : “Ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve”.

Zbulesa 20:12 : “Dhe të vdekurit u gjykuan … sipas veprave të tyre”.

Zbatojeni doktrinën e dhënë mësim në fragmentet e zotërimit doktrinor

Broshura Për Forcën e Rinisë jep këshillën vijuese: “Studiojini çdo ditë shkrimet e shenjta dhe zbatojini ato që lexoni në jetën tuaj. Shkrimet e shenjta janë një burim i fuqishëm i zbulesës personale dhe një udhërrëfyes e një forcë e përhershme e dëshmisë suaj” ([2011], f. 42).

  • Çfarë lloj gjërash bën ti që të ndihmojnë ta zbatosh në jetën tënde atë që mëson në shkrimet e shenjta?

Nxënësit mund të mbështeten në përgatitjen e tyre për orën mësimore kur të përgjigjen për pyetjen vijuese.

  • Cili është një fragment i zotërimit doktrinor që të ka ndihmuar në jetën tënde? Si të ka ndihmuar ai?

Ushtrimi vijues do të të ndihmojë të ushtrosh vënien në zbatim në jetën tënde të fragmenteve të caktuara të zotërimit doktrinor. Teksa e përfundon ushtrimin, ji i gatshëm për zbulesë vetjake. Shpirti i Shenjtë mund të të frymëzojë me mendime ose ide mbi mënyrën se si mund t’i zbatosh shkrimet e shenjta në jetën tënde. Ji i përgatitur ta shkruash çdo nxitje që merr.

Jepini çdo nxënësi një copë letër dhe ftojini ata të kryejnë hapin një më poshtë. Më pas ftojini nxënësit ta kalojnë letrën e tyre te një anëtar tjetër i klasës, i cili do të kryejë hapin dy. Vazhdoni ta kaloni letrën te nxënës të ndryshëm për hapat tre dhe katër. Nxënësit mund ta kryejnë këtë veprimtari edhe në një pajisje digjitale me një program për dërgimin e mesazheve.

Përpara se nxënësit të fillojnë, ata mund të përfitojnë nga një shembull si ai në vijim: 1. Një nxënës pyet veten nëse Ati Qiellor e di se kush është ai. 2. Vargu Hebrenjve 12:9 mund të ndihmojë sepse ai jep mësimin se Perëndia është Ati i shpirtrave tanë. 3. Një nxënës mund të tregojë një përvojë në të cilën ai e ka ndier se Perëndia ishte në dijeni për të. 4. Kur jam i shkurajuar, unë mund të kujtoj se jam një fëmijë i Perëndisë.

Nëse nxënësve u duhet ndihmë që të mendojnë për një skenar nga jeta reale, merreni parasysh të ofroni disa shembuj që nxënësit mund t’i përdorin.

  1. Përshkruani një skenar nga jeta reale ose bëni një pyetje që lidhet me një ose më shumë fragmente të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor në këtë mësim ( Hebrenjve 12:9 ; Jakob [Bibël] 1:5–6 ; Jakob [Bibël] 2:17–18 ; 1 Pjetër 4:6 ; Zbulesa 20:12).

  2. Përcaktojeni një fragment të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor të Dhiatës së Re dhe shpjegojeni se si ai mund t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni skenarit ose pyetjes.

  3. Tregoni një përvojë që lidhet me doktrinën e dhënë mësim në fragment. Mund të jetë një përvojë vetjake, një përvojë e dikujt që njihni, ose një përvojë e regjistruar në shkrimet e shenjta.

  4. Tregoni se si mund ta zbatoni doktrinën në jetën tuaj ose çfarë ju ndihmon të kuptoni rreth Atit Qiellor apo Jezu Krishtit.

Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata t’ia lexojnë klasës përgjigjet në fletët e tyre. Nxënësit mund të tregojnë më pas se çfarë mësuan nga dëgjimi i këndvështrimeve të nxënësve të tjerë. Nëse ka kohë, nxënësit mund ta përsëritin ushtrimin duke përdorur fragmente të ndryshme të zotërimit doktrinor.

  • Çfarë mund të bësh këtë javë për të të ndihmuar t’i zbatosh shkrimet e shenjta në jetën tënde?

  • Si mund të të ndihmojë të bërit e kësaj të afrohesh më pranë Shpëtimtarit?

Nxitini nxënësit t’i lexojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta zbatojnë atë që mësojnë në jetën e tyre. Dëshmoni për bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta.