Filipianëve dhe Kolosianëve
Gjetja e Forcës te Jezu Krishti
Me çfarë problemesh ose sfidash përballesh ti dhe njerëzit përreth teje? Çfarë i bën të vështira këto sfida? A e pyet ndonjëherë veten nëse mund të marrësh ndihmën për të cilën ke nevojë për t’i mposhtur sfidat e tua? Pali u përball me shumë sfida të vështira në jetën e tij, duke përfshirë vite të tëra në arrest shtëpie në Romë. Ndërsa ishte në këto rrethana, ai u shkroi letra shenjtorëve në Filipi dhe Kolos dhe u mësoi atyre të drejtoheshin te Jezu Krishti për forcë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se nëpërmjet Jezu Krishtit mund të gjesh forcë për t’u përballur me sfidat e tua.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Sfidat dhe problemet me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat
-
Cilat janë disa nga problemet ose sfidat e zakonshme me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat në zonën tënde?
-
Cilat prej këtyre problemeve ose sfidave mendoni se të rinjtë dhe të rejat nuk mund t’i mposhtin të vetëm? Përse?
Në ditarin tënd të studimit, përcakto sfidat dhe problemet e tua dhe shpjego se përse ato janë të vështira për ty. Përfshi edhe mendime rreth arsyes përse ke nevojë për ndihmë për t’i kapërcyer ato.
Në këtë mësim do të kesh mundësinë të përgatitësh dhe japësh një mësim të shkurtër duke përdorur letrat e Palit drejtuar filipianëve dhe kolosianëve. Ndërsa i studion këto letra, kërko për mënyrat se si fjalët e Palit mund të të ndihmojnë ty dhe të tjerët për t’u mbështetur te Jezu Krishti gjatë kohëve sfiduese.
Apostulli Pal u përball me probleme dhe sfida të shumta. “Ndoshta filipianët dhe kolosianët ishin duke shkruar ndërkohë që Pali ishte arrestuar në Romë, por çuditërisht ishte pikërisht gjatë kësaj kohe të vështirë që Pali shkroi për ‘paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie’ ( Filipianëve 4:7). Këto dy letra janë vazhdimisht pozitive dhe optimiste, dhe përmbajnë disa nga mësimet më të qarta e më të sinqerta të Palit për Jezu Krishtin. Pali dha mësim se nëse jetojmë me besim dhe mirënjohje, Zoti mund ta çojë përpara kauzën e ungjillit nëpërmjet nesh – pavarësisht nga rrethanat në të cilat mund të gjendemi – dhe se duke ndërtuar mbi themelin e Jezu Krishtit mund ta shmangim përhumbjen pas filozofive dhe traditave të botës” (New Testament Student Manual [2014], f. 433 dhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Filipianë(ve), Letër Drejtuar” dhe “Kolosianë(ve), Letër Drejtuar”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Lexo te Filipianëve 4:13, duke kërkuar atë që tregoi Pali për rëndësinë e Jezu Krishtit në jetën e tij.
-
Si mendon ti, përse ky është një mësim i rëndësishëm për ta ditur?
Jezu Krishti mund të na ndihmojë me sfidat
Mendo për problemet dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat në zonën tënde, si edhe për sfidat e tua. Përdor hapat A, B dhe C më poshtë për të përgatitur një mësim pesëminutësh. Përqendrohu tek ajo që mund të japësh mësim për Jezu Krishtin që mund të të ndihmojë ty dhe të tjerët t’i mposhtni sfidat.
A. Studio fragmentet vijuese, duke kërkuar të vërtetat që ndien se do të ishin të dobishme për ty dhe të tjerët:
Filipianëve 2:5–8; 3:20–21; 4:6–7
Kolosianëve 1:12–18; 3:1–2, 12–17, 23–24
B. Zgjidh një varg ose grup vargjesh dhe përcakto një të vërtetë që mund të japësh mësim për ungjillin e Shpëtimtarit. Për shembull, një e vërtetë që gjendet te Kolosianëve 1:12–14 është se Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij që ne të mund të çlirohemi nga errësira dhe të marrim falje për mëkatin.
C. Përfshi një ose më shumë nga elementët vijues në mësimin tënd:
-
Trego një përvojë që ke pasur personalisht ose që ka pasur dikush tjetër, që e ilustron të vërtetën. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të tregojnë gjithashtu përvojat. Mund edhe të jepni shembuj ose të tregoni përvoja nga shkrimet e shenjta ose bisedat e konferencave të përgjithshme. Për shembull, përvojat që lidhen me të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë më sipër, mund të përqendrohen te Shpëtimtari që fal dikë ose e çliron atë nga errësira.
-
Gjeni referencat kryq të dobishme. Për shembull, për të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë më sipër, mund të tregosh vargjet te Mosia 16:9 ose 2 Pjetër 2:9. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim të kërkojnë referenca të tjera kryq duke përdorur burime të tilla si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
-
Gjeni një pohim të dobishëm nga një udhëheqës i Kishës. Për shembull, e vërteta e theksuar me ngjyrë të zezë ilustrohet në pohimin në vijim nga Motra Reina I. Aburto, e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës:
“Nëse vazhdimisht jeni të rrethuar nga një ‘mjegull errësire’ [1 Nefi 8:23], drejtojuni Atit Qiellor. Asgjë nga ajo që keni përjetuar nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e përjetshme, se ju jeni fëmija i Tij dhe se Ai ju do. Mos harroni se Krishti është Shpëtimtari e Shëlbuesi juaj dhe se Perëndia është Ati juaj. Ata na kuptojnë. Përfytyrojini Ata pranë jush, duke ju dëgjuar e duke ju dhënë përkrahje. ‘[Ata] do t’ju ngushëllojnë në pikëllimet tuaja’ [Jakob (LiM) 3:1]. Bëni gjithçka të mundeni dhe mirëbesoni te hiri shlyes i Zotit!”
(Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!” Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 58)
Ndërsa japim dhe marrim mësim me anë të Shpirtit ne forcohemi (shih te Doktrina e Besëlidhje 50:22–23). Në ditarin tënd të studimit, shkruaje atë që mësove dhe ndjeve që mund të të ndihmojë të marrësh forcë nga Jezu Krishti ndërsa përballesh me sfidat e tua. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të vendosur se çfarë do të donte Ai që të bëje për të marrë forcën e Shpëtimtarit. Ndiqini nxitjet që merrni.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Filipianëve 2:12–13. A na mësoi Pali se duhet ta fitojmë vetë shpëtimin tonë?
Ndonëse veprimet që demonstrojnë besimin te Jezu Krishti janë thelbësore, është e rëndësishme të pranojmë se nuk është e mundur që ne “ta fitojmë” vetë shpëtimin (shih te 2 Nefi 2:8; Mosia 2:24; Alma 22:14). Vargu te Filipianëve 2:13 shpjegon se Perëndia punon me ne për të na ndihmuar të bëjmë gjëra që nuk mund t’i bëjmë vetë (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Kjo ndihmë dhe forcë shpesh quhet hiri i Shpëtimtarit dhe është si rrjedhojë fuqia me anë të së cilës Ai na shpëton (shih tek Filipianëve 2:8).
Shiko Plakun Dejll G. Renland, të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në materialin filmik “Të Mbushur me Bekime” nga kodi kohor 00:00 deri në 05:39 për të mësuar më shumë rreth kësaj teme.
Filipianëve 4:13. Çfarë do të thotë që “unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit”?
Motra Mishel D. Krejg, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, shpjegoi:
“Natyrisht, të gjithë ne nuk do ta arrijmë [plotësisht] potencialin tonë hyjnor dhe ka njëfarë të vërtete te përfundimi se të vetëm ne nuk jemi mjaftueshëm [të mirë]. Por lajmet e mira të ungjillit janë që, me anë të hirit të Perëndisë, ne jemi mjaftueshëm [të mirë]. Me ndihmën e Krishtit, ne mund të bëjmë gjithçka [Filipianëve 4:13]. Shkrimet e shenjta premtojnë se ne do të ‘gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje’ [Hebrenjve 4:16].”
(Mishel D. Krejg, “Pakënaqësia e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 54)
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:
“Duke folur për disa nga vetë sfidat e tij në vdekshmëri, Apostulli Pal shkroi: ‘Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon’ (Filipianëve 4:13).
Dhe kështu ne shohim se, për shkak të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari ka fuqinë për të ndihmuar – për të dhënë ndihmesë – për çdo dhembje dhe hidhërim të vdekshëm. Nganjëherë fuqia e Tij shëron një lëngatë, por shkrimet e shenjta dhe përvojat tona na mësojnë se ndonjëherë Ai ndihmon ose na jep ndihmesë duke na dhënë forcën ose këmbënguljen për t’i duruar lëngatat tona.”
(Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 62)