Jakob [Bibël] 2
“Besimi; në Qoftë se S’ka Vepra, Është i Vdekur”
A mund të ketë një ndryshim ndërmjet një personi i cili thotë se beson te Jezu Krishti dhe një personi që e ushtron besimin e tij te Jezu Krishti? Jakobi ofroi një dallim të rëndësishëm që besimi i vërtetë te Jezu Krishti pasqyrohet jo thjesht në atë që një person mendon ose thotë, por gjithashtu në atë që ai bën. Ky mësim do të të lejojë të shqyrtosh se si mund ta ushtrosh në mënyrë më të plotë besimin te Jezu Krishti nëpërmjet veprimeve të drejta.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Marrja e bekimeve – si ndezja e një zjarri
A po kërkon nga Ati Qiellor një bekim ose një përgjigje ndaj lutjes? Mund të të ndihmojë ta krahasosh procesin e kërkimit të këtyre bekimeve me ndezjen e një zjarri me qëllim që të marrësh dritë dhe nxehtësi prej tij.
-
Çfarë hapash do të ndërmerrje për të bërë një zjarr?
-
Sa i rëndësishëm është veprimi i ndezjes së shkrepëses?
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të mësuar se të marrësh bekime është si të ndezësh një zjarr. Mund të shikosh gjithashtu materialin filmik “Të Mbushur me Bekime”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 01:02 deri në 03:27.
“Le t’i krahasojmë bekimet qiellore me një grumbull të madh drurësh. … Kjo turrë drush përmban një sasi të madhe lënde djegëse, në gjendje të prodhojë dritë dhe nxehtësi për ditë të tëra. …
Që energjia në turrën e drurëve të çlirohet, shkrepësja duhet të ndizet dhe shkarpat të marrin flakë. Shkarpat me të shpejtë do të marrin flakë dhe do të shkaktojnë djegien e copave më të mëdha të drurit. …
Ndezja e shkrepëses dhe vënia flakë e shkarpave janë veprime të vogla që bëjnë të mundur çlirimin e energjisë së mundshme të drurëve. Derisa shkrepësja të ndizet, nuk ndodh asgjë, pavarësisht nga madhësia e turrës së drurëve. …
Në mënyrë të ngjashme, shumica e bekimeve që Perëndia dëshiron të na i japë, kërkojnë veprim nga ana jonë – veprim që bazohet në besimin tonë te Jezu Krishti. … Veprimi që na kërkohet, megjithatë, është përherë fare i vogël kur krahasohet me bekimet që marrim përfundimisht.”
(Dejll G. Renland, “Të Mbushur me Bekime”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 70)
-
Çfarë idesh fiton nga analogjia e Plakut Renland?
-
Si mendon, çfarë do të thotë të veprojmë “baz[uar] në besimin tonë te Jezu Krishti”?
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Në ç’mënyra ke besim te Jezu Krishti? Çfarë veprimesh ndërmerr për shkak të këtij besimi?
-
Çfarë përgjigjesh dhe bekimesh të tjera ke marrë nga Perëndia teksa ke ushtruar besim te Jezu Krishti? A ka mënyra të tjera që e ndien se Zoti do të donte që ti të veproje me besim? Përse?
Lutu që Ati Qiellor të të udhërrëfejë teksa kërkon përgjigje për këto pyetje gjatë studimit tënd.
Besimi te Jezu Krishti
Jakobi përdori një analogji tjetër për të na dhënë mësim për rëndësinë e të vepruarit me besim te Jezu Krishti.
Lexo te Jakob [Bibël] 2:14–16 dhe përpiqu të përfytyrosh atë që do të mendoje po ta dëshmoje këtë situatë. (Fjala “zhveshur” te vargu 15 do të thotë i veshur keq.)
-
Çfarë mëson nga analogjia e Jakobit?
Lexo te Jakob [Bibël] 2:17–18, 26 (shih edhe te Jakob [Bibël] 1:22) dhe kërko një të vërtetë që Jakobi e ilustroi përmes kësaj analogjie.
-
Si do ta përmblidhje atë që Jakobi dha mësim?
Një mënyrë për ta thënë të vërtetën që Jakobi dha mësim është se besimi i vërtetë te Jezu Krishti kërkon veprim të drejtë.
-
Si mendon, përse Jezu Krishti dëshiron që ne ta vëmë në veprim besimin tonë?
-
Si mund të na japë shtysë të kujtuarit e Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe mirësisë së Tij që të veprojmë sipas bindjeve tona?
Shembuj të të vepruarit me besim
Mund të jetë frymëzuese të mendosh për shembujt e atyre që veprojnë sipas besimit të tyre te Jezu Krishti. Lexo te Jakob [Bibël] 2:21–25 dhe përcakto shembuj në Dhiatën e Vjetër të atyre që vepruan me besim.
-
Kush të vjen ndërmend, qoftë nga jeta jote ose nga shkrimet e shenjta, që ilustron vënien në veprim të besimit te Jezu Krishti? Çfarë mëson nga ky shembull?
-
Cila është një mënyrë se si Jezu Krishti është një shembull i veprave të drejta? Si na ndihmojnë veprimet tona të drejta të bëhemi më të ngjashëm me Të?
Shkyçja e bekimeve nëpërmjet veprimeve të frymëzuara nga besimi
Presidenti Rasëll M. Nelson dha sfidën vijuese lidhur me besimin tonë dhe veprimet tona:
“Për të bërë mirë cilëndo gjë, duhet përpjekje. Bërja një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit nuk është një përjashtim i kësaj. Rritja e besimit dhe e mirëbesimit tuaj tek Ai, kërkon përpjekje. …
…Çfarë do të bënit nëse do të kishit më shumë besim? Mendoni për të. Shkruani për të. Më pas merrni më shumë besim duke bërë diçka që kërkon më shumë besim.”
(Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, 2021, f. 102, 103)
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Çfarë do të bëje po të kishe më shumë besim?
-
Cilat janë hapat që mund të ndërmarrësh për të vepruar sipas përshtypjeve të tua?
Gjej një minutë për të filluar të veprosh sipas përshtypjeve të tua. Për shembull, në varësi të asaj që e ndien se duhet të bësh, ti mund të dërgosh një mesazh, të ofrosh një lutje, të vendosësh një kujtues në kalendarin tënd ose të planifikosh atë që do të bësh më pas.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
A i kundërshtonin mësimet e Jakobit rreth besimit dhe veprave mësimet e Palit?
Në kontekstin e vargut te Jakob [Bibël] 2:14 , Jakobi e përdori termin vepra ndryshe nga mënyra se si e kishte përdorur Apostulli Pal. Kur Pali përdori termin vepra, ai iu referua fillimisht veprave të ligjit të Moisiut (shih te Romakëve 3:27–31 dhe Galatasve 2:15–16). Kur Jakobi përdori termin vepra, ai iu referua veprave të përkushtimit ose veprave të drejtësisë.
Besimi pa vepra është i vdekur, po veprat pa besim?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Besimi i vërtetë përqendrohet te dhe mbi Zotin Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim të drejtë. … Vetëm veprimi nuk është besim tek Shpëtimtari, por veprimi në përputhje me parimet e drejta është një pjesë qendrore e besimit.”
(Dejvid A. Bednar, “Kërkoni me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 94)