“Trajnimi për Përvetësimin dhe Përshtatjen e Programit Mësimor të Seminarit”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2025)
Trajnimi për Përvetësimin dhe Përshtatjen e Programit Mësimor të Seminarit
Ka shumë mënyra të efektshme se si të përgatiteni për ta dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit. Kjo përgatitje gjithmonë përfshin studimin plot lutje të fjalës së Perëndisë dhe kërkimin e udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë për të ditur se si t’i ndihmoni më së miri njerëzit, të cilëve u jepni mësim, që ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur.
Programi mësimor i seminarit është një burim të cilit mund t’i besoni për t’ju udhëhequr në përgatitjen e mësimit dhe për t’ju ndihmuar që të jepni mësim doktrinën e vërtetë. Ndërsa e përdorni këtë burim, kërkoni fillimisht të përvetësoni atë që është në programin mësimor, dhe më pas merrni parasysh nevojat e nxënësve tuaj dhe udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të kuptuar se ku mund t’ju nevojitet që të përshtatni disa nga idetë e programit mësimor.
Merreni parasysh këtë këshillë nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, rreth përdorimit të programit mësimor për të përgatitur mësimet e seminarit:
“Ne së pari e përvetësojmë, pastaj e përshtatim. Nëse bazohemi tërësisht në mësimin e përshkruar që duhet të japim, atëherë ne mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë. Por ka një tundim kur flasim për këtë mundësi për ndryshueshmëri, që t’ia nisim nga përshtatja në vend që t’ia nisim nga përvetësimi. Është një baraspeshim. Është një sfidë e vazhdueshme. Por metoda e përvetësimit fillimisht dhe më pas e përshtatjes është një mënyrë e mirë për të qëndruar mbi një bazë të shëndoshë.” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.)
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme që fillimisht t’i përvetësoni ato gjëra që janë në programin mësimor, përpara se t’i përshtatni ato?
Përvetësimi i Programit Mësimor
Objektivi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë deklaron se ne i “ndihmoj[m]ë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur”. Objektivi vazhdon të deklarojë sa vijon në lidhje me ndihmën ndaj nxënësve për ta thelluar kthimin në besim:
“Ne e [qendërz]ojmë çdo përvojë të të mësuarit te Jezu Krishti dhe te shembulli, cilësitë dhe fuqia e Tij shëlbuese. Ne i ndihmojmë nxënësit dhe studentët të mësojnë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Ne i ndihmojmë nxënësit dhe studentët ta përmbushin rolin e tyre për të mësuar vetë. Ne përpiqemi fort ta ftojmë Frymën e Shenjtë që të përmbushë rolin e Tij në çdo përvojë të të mësuarit.”
Programi mësimor i seminarit është hartuar me kujdes për t’ju ndihmuar që të siguroni këtë lloj përvoje të të mësuarit. Çdo mësim e qendërzon përvojën e të mësuarit te Jezu Krishti (i qendërzuar te Krishti), i ndihmon nxënësit ta mësojnë ungjillin nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve (i bazuar te shkrimet e shenjta) dhe u ofron nxënësve mundësi që të përmbushin rolin e tyre në përvojën e të mësuarit (i përqendruar te nxënësi). Duke i ndërthurur këto tri elemente të rëndësishme të objektivit, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë të përmbushë rolin e Tij në përvojën e të mësuarit. Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit vë në dukje se “Shpirti është mësuesi real dhe burimi i vërtetë i kthimit në besim”. Vetëm kur Shpirti është i pranishëm, mund të ndodhë me të vërtetë një kthim i thellë në besim te Shpëtimtari.
Ky diagram ilustron një përvojë të qendërzuar te Krishti, të bazuar te shkrimet e shenjta dhe të përqendruar te nxënësi, që e fton Frymën e Shenjtë të kryejë rolin e Tij. E verdha tregon shkallën në të cilën përvoja e të mësuarit e fton më mirë Frymën e Shenjtë. Qendra e këtij diagrami ilustron kur Shpirti po e drejton përvojën e të mësuarit dhe nxënësit po e thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Duke e përvetësuar programin mësimor të seminarit, ne rrisim gjasat që nxënësit të kenë një përvojë mësimore të drejtuar nga Shpirti në seminar. Programi mësimor i seminarit gjithashtu është rishikuar dhe ndërlidhur me kujdes për t’ju ndihmuar:
-
Të siguroni saktësi doktrinore.
-
Të reflektoni mbi synimin e autorit të frymëzuar.
-
Të ruani një qasje të baraspeshuar për të modeluar parimet e mësimdhënies si të Krishtit të cilat gjenden te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.
-
Të siguroni mundësi të shpeshta që nxënësit ta tregojnë dhe demonstrojnë atë që po mësojnë.
-
Të përdorni një larmi metodash.
Ka shumë faktorë të rëndësishëm që duhen mbajtur parasysh kur përgatitni një mësim. Përvetësimi i programit mësimor mund të ndihmojë që t’ju udhëzojë se çfarë duhet të jepni mësim dhe si ta bëni atë. Mund t’ju ndihmojë gjithashtu të qëndroni në një themel të fortë doktrinor.
Ja ku janë disa mënyra se si mund ta përvetësoni programin mësimor:
-
Lexoni me kujdes qëllimin e mësimit. Kjo gjendet në dokumentin e vështrimit të përgjithshëm dhe fjalinë përfundimtare të hyrjes për çdo mësim. E gjithë përmbajtja dhe veprimtaritë janë në përputhje me këtë qëllim ose rezultat të të nxënit.
-
Lexoni mësimin. Merreni parasysh se si shkrimet e shenjta të përzgjedhura që nxënësit do të lexojnë, se si të vërtetat me germa të zeza, citimet dhe veprimtaritë do të përputhen me qëllimin e mësimit dhe do të ofrojnë një përvojë të qendërzuar te Krishti, të bazuar te shkrimet e shenjta dhe të përqendruar te nxënësi. Kushtojini vëmendje veprimtarisë së të mësuarit pranë fundit të orës së mësimit, e cila u jep nxënësve një mundësi për të treguar qëllimin e mësimit.
-
Merreni parasysh t’u përgjigjeni pyetjeve dhe t’i bëni veprimtaritë sikur të ishit një nxënës. Kjo mund t’ju ndihmojë të mësoni me anë të Shpirtit dhe të hyni në klasë të lartësuar, të ngritur moralisht dhe të përgatitur më mirë për t’u ofruar nxënësve tuaj një përvojë të ngjashme.
-
Kërkoni të kuptoni dhe jepni të gjitha llojet e mësimeve që gjenden në programin mësimor, edhe nëse ato janë të reja për ju. (Llojet e mësimeve përfshijnë mësimet te “Kursi për Shkrimet e Shenjta”, mësimet tek “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor”, mësimet te “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” dhe mësimet nga “Përgatitja për Jetën”.) Secila prej këtyre përvojave të të mësuarit jep ndihmesë në mënyra të pashoqe për thellimin e kthimit në besim të nxënësve te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.
Zgjedhja për ta përvetësuar atë që është në programin mësimor, mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për mësimet nga “Përgatitja për Jetën”. Këto mësime përqendrohen në një sërë temash të rëndësishme për jetën e nxënësve. Ato janë krijuar me ndihmën e sektorëve të ndryshëm të Kishës dhe specialistë të tjerë për çështjet në fjalë. Disa mësues mund të ndihen të pakualifikuar për të dhënë mësim tema të caktuara nga “Përgatitja për Jetën”, por mendojnë se kanë përvojë të gjerë në tema të tjera të kursit “Përgatitja për Jetën”. Në secilin rast, do të ishte e udhës që mësuesit ta përvetësojnë programin mësimor përpara se të kërkojnë ta përshtatin atë. (Shihni rastet për studim të Vëllait Alvarez dhe Motrës Sato më poshtë.)
Rastet për studim për përvetësimin e programit mësimor
Vëllai Alvarez – Një mësues i cili ndihet i pakualifikuar për të dhënë një mësim të caktuar nga kursi “Përgatitja për Jetën”.
Vëllai Alvarez është i kthyer në besim në Kishë dhe nuk shërbeu në një mision kohëplotë. Ai ndihet i pakualifikuar që të japë mësim për përgatitjen e misionarëve, sepse ai kurrë nuk shërbeu në një mision dhe mendoi ta anashkalonte pjesën “Përgatitja e Misionarëve” nga mësimet nga “Përgatitja për Jetën”. Megjithatë, ndërsa fillon t’i shikojë mësimet, ai vëren se ato përqendrohen te Krishti si një shembull i përsosur i shpërndarjes së ungjillit të Tij dhe nuk mbështetet te përvojat e tij. Ato përfshijnë shkrime të shenjta kuptimplote dhe veprimtari përfshirëse për t’i ndihmuar nxënësit e tij që të përgatiten për të shërbyer si misionarë për Zotin. Ai e kupton se mësimet e programit mësimor mund t’i ndihmojnë nxënësit e tij që të kenë një përvojë të mrekullueshme pavarësisht nga mungesa e përvojës së tij për përgatitjen e misionarëve.
Motra Sato – Një mësuese me përvojë të gjerë në një temë të caktuar të kursit “Përgatitja për Jetën”
Motra Sato po përgatitet të japë një mësim nga kursi “Përgatitja për Jetën” rreth administrimit të financave. Ajo është një planifikuese financiare profesioniste dhe është e emocionuar t’ia tregojë njohuritë dhe përvojat e saj klasës së saj të seminarit. Teksa e studion plot lutje programin mësimor, ajo dallon thjeshtësinë e materialit dhe theksin që vihet te Jezu Krishti dhe shkrimet e shenjta. Ajo vendos se shpjegimi i mësimit, siç përshkruhet në programin mësimor, do t’i ndihmojë nxënësit e saj ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe do t’u sigurojë atyre parimet bazë financiare të përshtatshme për fazën ku janë në jetën e tyre. Në vend që të përgatitet për të dhënë mësim parime më të thelluara financiare, Motra Sato vendos t’i përmbahet ngushtësisht mësimit në programin mësimor.
Përshtatja e Programit Mësimor
Si mësues/e seminari, ju jeni në një pozicion të privilegjuar për t’i ndihmuar nxënësit tuaj të vijnë te Jezu Krishti. Nëpërmjet ndërveprimeve tuaja të rregullta me nxënësit tuaj, ju do të arrini t’i njihni më mirë dhe t’i doni ata më shumë. Njohja e nxënësve tuaj dhe dashuria ndaj tyre do ta rritin aftësinë tuaj për të marrë frymëzim nga Fryma e Shenjtë rreth asaj se kur dhe si të bëni përshtatje me programin mësimor. Ndërsa i përgatitni mësimet duke përdorur programin mësimor, fillojeni përgatitjen tuaj me lutje. Ati Qiellor do t’ju frymëzojë nëpërmjet Frymës së Shenjtë se çfarë përshtatjeje, nëse ka, mund t’i bëni përmbajtjes së mësimit për të përmbushur më mirë nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj.
Arsyet që mund ta përshtatni një mësim përfshijnë:
-
Për t’i ndihmuar nxënësit për çështjet dhe pyetjet aktuale. (Shihni rastin për studim të Vëllait Xhons.)
-
Për ta bërë një pjesë të mësimit më të përshtatshëm bazuar te nevojat, aftësitë, kultura ose burimet në dispozicion të nxënësve tuaj. (Shihni rastet për studim të Vëllait Xhons, Vëllait Rejes dhe Motrës Rodrigez.)
-
Për të përdorur pohimet, udhëzimet ose burimet më të fundit të siguruara nga udhëheqësit e Kishës. (Shihni rastin për studim të Motrës Shmid.)
-
Për të gjetur një mënyrë më të mirë për të realizuar një pjesë të caktuar të mësimit. Shembujt mund të përfshijnë rregullimin e një mësimi me sende në një mënyrë që prapëseprapë i përgatit mendjet dhe zemrat e nxënësve për të marrë mësim, ose ftesën ndaj nxënësve që të interpretojnë me role një rrëfim nga shkrimet e shenjta në vend që të shikojnë një material filmik që përshkruan të njëjtën ngjarje. (Shihni rastin për studim të Vëllait Li.)
Përpara se ta përshtatni programin mësimor, merreni parasysh t’i bëni vetes pyetje si ato që vijojnë:
-
A ofron ende përshtatja ime një përvojë mësimore që është e qendërzuar te Krishti, e bazuar te shkrimet e shenjta dhe e përqendruar te nxënësi?
-
A është përshtatja ime në harmoni me nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe parimet e mësimdhënies si të Krishtit që gjenden te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit?
-
A pasqyron përshtatja qëllimin e autorit të frymëzuar?
-
A përqendrohet përshtatja te parimet e kthimit në besim?
-
A e kuptoj unë se si përshtatja ime mund të ndikojë te mësimet e ardhshme dhe përvojat vlerësuese për nxënësit?
Rastet për studim për përshtatjen e programit mësimor
Vëllai Xhons – Përshtatja e një mësimi të bazuar në çështje aktuale dhe të ndjeshme të kohës
Vëllai Xhons u përgatit me zell të premten përpara fundjavës së konferencës së përgjithshme për të dhënë një mësim nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta” për të hënën e ardhshme. Për habinë e tij, ai e dëgjoi profetin të shpallte se një tempull i ri do të ndërtohej në zonën ku ai jep mësim. Ai e di se nxënësit do të vijnë në orën mësimore plot dëshirë për të folur rreth tempullit dhe se shumë do të kenë pyetje rreth tij.
Vëllai Xhons, të hënën, ndihet i nxitur nga Fryma e Shenjtë ta përshtatë udhëzuesin e tij të ritmit për të shpjeguar një nga mësimet te “Përgatitja për në Tempull” nga kursi “Përgatitja për Jetën” e programit mësimor, në vend që të shpjegojë mësimin nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta”.
Vëllai Rejes – Përshtatja e një veprimtarie bazuar në aftësitë e nxënësve
Ndërsa e studion një mësim, Vëllai Rejes vëren se mësimi mbështetet fort në një format ku nxënësit do të diskutojnë. Vëllai Rejes ka vërejtur se nxënësit e tij shpesh janë shumë të qetë dhe nuk përgjigjen shumë mirë ndaj diskutimeve. Megjithatë, atyre u pëlqen shumë të shkruajnë në ditarët e tyre. Në vend që të ndërmjetësojë një diskutim, ai vendos të shkruajë në tabelë dy pyetje nga programi mësimor dhe i fton nxënësit të shkruajnë përgjigjet e tyre. Ai planifikon të ketë nxënës të gatshëm të tregojnë atë që kanë shkruar.
Motra Rodrigez – Përshtatja e një mësimi bazuar në kulturën e vendit
Motra Rodrigez po përgatitet të japë një mësim që përfshin referenca të shkrimeve të shenjta për Marinë, Nënën e Jezusit. Në qytetin e tyre ka një kulturë ndjenjash të forta dhe besimesh të ndryshme rreth Marisë. Madje shumë njerëz e adhurojnë Marinë për shkak të rolit të saj si nëna e Jezu Krishtit. Teksa e studion mësimin nga programi mësimor, Motra Rodrigez kërkon një vend të duhur për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë atë që shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës kanë dhënë mësim rreth Marisë. Ajo vendos ta përshtatë mësimin duke i shtuar dy pyetjet vijuese asaj që përfshihet në programin mësimor.
“Çfarë na ndihmon Alma 7:10 të kuptojmë rreth Marisë? Ndërkohë që e nderojmë dhe e duam Marinë dhe dishepujt e tjerë besnikë në shkrimet e shenjta, si na ndihmojnë vargjet tek Alma 7:11–13 për të kuptuar arsyen përse ne adhurojmë vetëm Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?”
Motra Dube – Përshtatja e një mësimi bazuar te burimet që janë në dispozicion
Ndërsa Motra Dube përgatit një mësim, ajo vëren se një nga ftesat është që nxënësit të kërkojnë paraardhësit e tyre në FamilySearch.org. Ajo e di që shumica e nxënësve të saj nuk kanë të drejtë përdorimi të internetit. Me mençuri, ajo e përshtat ftesën që nxënësit të fillojnë të plotësojnë fletët e grupeve familjare në letër dhe të flasin me këshilluesin/en e tyre për tempullin dhe historinë familjare në lagjen e tyre për të mësuar se si mund të kërkojnë emra të tjerë të familjes.
Motra Shmid – Përshtatja e një mësimi për të përdorur thëniet më të fundit nga udhëheqësit e Kishës
Gjatë përgatitjes së saj për mësimin, Motra Shmid po lexon një mësim që do të japë të nesërmen. Ndërsa lexon një pohim nga një udhëheqës i Kishës në mësim, asaj i vjen ndërmend një pohim më i fundit që mund të përmbushë të njëjtin qëllim. Kohët e fundit, ajo e ka studiuar bisedën në studimin e saj vetjak dhe e ka të freskët në mendjen e saj. Vendos që në mësimin e saj të përdorë pohimin më të fundit në vend të pohimit që gjendet në programin mësimor.
Vëllai Li – Përshtatja e një veprimtarie mësimore për ta përmbushur më mirë qëllimin
Ndërsa Vëlla Li po përgatitet të japë një mësim nga programi mësimor, ai lexon një sugjerim për të sjellë një top futbolli në klasë. Vëren se qëllimi i mësimit me sende është që t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se vlera e një topi futbolli mund të ndikohet nga dijenija më shumë për historinë e tij.
Duke dashur ta plotësojë këtë qëllim në mënyrën më të efektshme për nxënësit e vet, ai përsiat për një minutë se çfarë sendi mund të sjellë në klasë me të cilin do të lidheshin më mirë nxënësit e tij. Ai vendos ta përshtatë mësimin duke sjellë në klasë një gjerdan të thjeshtë. Pasi nxënësit të thonë se sa mendojnë që kushton gjerdani, ai do t’u tregojë se kush e bëri gjerdanin dhe përse të diturit e historisë së tij, e bën shumë më tepër me vlerë për të sesa mund të ishte po të mos e dinin.
Sugjerime për Përvetësimin dhe Përshtatjen
Megjithëse çdo material në programin mësimor mund të përshtatet, diagrami i mëposhtëm ilustron një gamë se si pjesë të ndryshme të një mësimi mund të jenë më të përshtatshme për t’u përshtatur se të tjerat.
Për shembull, qëllimi i mësimit, konteksti i një blloku mësimi ose e vërteta e theksuar me germa të zeza mund të jenë më pak të përshtatshme për t’u përshtatur sesa mënyra se si fillon një mësim ose çfarë shembujsh mund të sjellë një mësues për një të vërtetë të theksuar me germa të zeza. Artikujt më afër anës së majtë mund të përvetësohen më shpesh, ndërsa artikujt në anën e djathtë mund të përshtaten më shpesh. Mbani në mend se këto janë sugjerime. Mësuesit nuk pritet të përshtatin gjithçka në anën e djathtë, ashtu siç nuk pritet që ata të përvetësojnë gjithçka në anën e majtë.
Përfundimi
Ati Qiellor do t’ju udhërrëfejë nëpërmjet Frymës së Shenjtë ndërsa ju e studioni plot lutje fjalën e Tij dhe përgatitni mësime për të bekuar bijtë dhe bijat e Tij. Ai mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si ta përvetësoni atë që është dhënë në programin mësimor dhe kur të bëni përshtatje për t’i ndihmuar më mirë nxënësit tuaj.